SHKODER – Tre persona u plagosën mbrëmë me armë zjarri ndërsa ishin ulur në një lokal pranë stacionit të trenit në qytetin e Shkodrës. Sipas policisë së qytetit, ngjarja ndodhi rreth orës 22:20, në vendin e njohur si “ura e thive”. Një makinë është afruar pranë lokalit ku ndodhej një grup të rinj, ndaj të cilëve u hap zjarr me armë automatike. Plumbat kanë lënë të plagosur në këmbë tre personat, që sipas policisë janë: Fran Ndrecaj, 20 vjeç, Nikolin Lika, 18 vjeç dhe Mark Kroni, 21 vjeç. Forca të shumta policisë shkuan në vendin e ngjarjes, pas njoftimit për plagosjen e trefishtë. Sipas tyre është mësuar se autorët ndodheshin në një makinë dhe prej saj kanë qëlluar në drejtim të lokalit ku ishin ulur të rinjtë. Të plagosurit ndodhen në spitalin e Shkodrës, ku po mjekohen për plagët e marra, por janë jashtë rrezikut për jetën. Nga ana e saj, policia po punon për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe autorët e saj. Dyshohet se ndonjë sherr i mëparshëm të ketë çuar në përdorimin e armës. Pritet dëshmia e të lënduarve nga spitali për të mundësuar identifikimin e plotë të personave që qëlluan ndaj tyre. Nga ana e policisë janë ngritur patrulla në qytet me qëllim ndalimin e autorëve të dyshuar. r.d











