Shkodër, në pranga polici, plagosi kalimtarin me armë

Apr 4, 2011 | 13:41

Një polic i komisariatit të Shkodrës është prangosur nga kolegët e tij, pasi plagosi në këmbë një kalimtar të rastit.Polici Edmond Sakicaj kishte pasur konflikt me një person tjetër, por në momentin që ai ka nxjerrë armën e punës dhe ka tentuar të qëllojë personin në fjalë, plumbi ka kapur një të pafajshëm në këtë mes. I lënduari, në atë moment ka qenë duke kaluar rastësisht pranë vendit ku polici po debatonte me një tjetër person. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, 34-vjeçari Edmond Sakicaj, me detyrë efektiv i komisariatit të Policisë së Shkodrës është arrestuar mbrëmjen e së shtunës, pasi ai është identifikuar si autori i plagosjes së një 30-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 të së shtunës, në lagjen “Partizani” të qytetit të Shkodrës. Efektivat e policisë së Shkodrës me të mbërritur në vendngjarje kanë arrestuar në flagrancë kolegun e tyre. Sipas dëshmitarëve okularë në vendin ku ndodhi plagosja, është mësuar se polici Edmond Sakicaj ka qenë në një lokal të vogël në këtë lagje dhe për motive të dobëta ka filluar të debatojë me një tjetër klient që ndodhej në të njëjtin lokal me të. Më pas debati mes Sakicajt dhe klientit tjetër të lokalit ka vazhduar dhe jashtë këtij ambienti. Në grindje e sipër polici 34-vjeçar Sakicaj ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të këmbëve të personit me të cilin ai po grindej. Por plumbi i armës së zjarrit, gabimisht ka kapur një person të tretë, i cili në ato momente po kalonte rastësisht në afërsi të vendit ku po zhvillohej konflikti. I plagosuri është dërguar në spital, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe më pas është larguar në drejtim të banesës së tij. Pas ndalimit, punonjësi i policisë u ka pohuar eprorëve të tij gjatë marrjes në pyetje se personin me të cilin ai ishte grindur, nuk ka dashur ta vrasë, por vetëm ta kërcënojë. Ai e ka argumentuar këtë dëshmi, me faktin se armën e ka drejtuar përtokë, duke mohuar akuzën për plagosje të mbetur në tentativë ndaj tij. Edmond Sakicaj është arrestuar në flagrancë nga kolegët e tij dhe akuzohet për veprat penale të “plagosjes së lehtë, me dashje”, “prishje të rendit e qetësisë publike” dhe “kanosje”. Fakti që 30-vjeçari i plagosur në këmbë ka lënë Spitalin e Shkodrës pa rrezik për jetën, ka lehtësuar pozitën e Sakicajt përballë akuzave. Materialet në ngarkim të punonjësit të policisë i kanë kaluar Prokurorisë për të vazhduar më tej me hetimin e këtij konflikti, i cili në bazë të të dhënave të deritanishme erdhi si pasojë e një sherri të rëndomtë, të çastit.

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura