SHKODER – Del nga rruga përfundon 15 metra poshtë furgoni i linjës Shkodër-Pukë. Pesë persona mbetën të lënduar në aksidentin e ndodhur dje në vendin e quajtur “Kthesa e Rrencit”. Fugoni me pasagjerë i linjës Shkodër–Pukë, me targa PU 295 A, doli nga rruga papritur. Fatmirësisht, për 4 pasagjerët e furgonit nuk ka pasur pasoja për jetën. Shkak i këtij aksidenti mësohet të ketë qenë humbja e kontrollit të mjetit nga ana e drejtuesit, i cili po udhëtonte së bashku me katër pasagjere, mes të cilëve 2 fëmijë. Pasagjerët dhe shoferi kanë dalë nga mjeti dhe kanë marrë ndihmën e parë nga dëshmitarë okularë. Dëmtimet kanë qenë shumë të vogla. Vetëm një grua rreth të 30–tave bashkë me dy fëmijët e saj të vegjël 5 dhe 3 vjeç janë dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës për një kontroll të specializuar. Dëmtimet e tyre janë kryesisht në fytyrë, të cilat janë shkaktuar nga xhamat e thyer të furgonit. Pasi kanë marrë mjekimin e nevojshëm, ata janë larguar nga spitali. Sipas dëshmitarëve është një mrekulli që nuk ka pasur të lënduar rëndë nga pasagjerët, duke parë momentin e rënies së mjetit. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu të qytetit të Shkodrës, të cilat kanë kryer veprimet e duhura hetimore e proceduriale, si dhe kanë marrë në pyetje dëshmitarët në vendin e ngjarjes. Drejtuesi i mjetit sipas bluve është shoqëruar në Komisariatin e Shkodrës për t’u marrë në pyetje në lidhje me shkaqet e këtij aksidenti. Policia e Shkodrës, pasi ka kryer veprimet e para hetimore, ka përcaktuar se shkaku i aksidenti ka ardhur nga humbja e kontrollit të mjetit nga drejtuesi i saj. Por akoma nuk janë përcaktuar rrethanat, nëse bëhet fjalë për pakujdesi të drejtuesit apo ndonjë defekt teknik i mjetit. r.d











