Shkencëtarët paralajmërojnë për gripin e shpendëve: Mund të shkaktojë një pandemi më të keqe se COVID-19

Nov 27, 2025 | 17:32

Virusi i gripit të shpendëve, i cili po përhapet mes zogjve të egër, shpendëve të fermave dhe gjitarëve, mund të çojë në një pandemi edhe më të rëndë se COVID-19 nëse arrin të përshtatet për transmetim nga njeriu te njeriu, deklaroi sot drejtoresha e qendrës për infeksionet respiratore të Institutit Pasteur.

gripi-ptinon

Gjatë viteve të fundit, gripi i shpezëve ka shkaktuar asgjësimin e qindra milionë shpendëve, duke dëmtuar zinxhirët ushqimorë dhe duke rritur çmimet, megjithëse infektimet te njerëzit mbeten të rralla.

“Ajo që na shqetëson është mundësia që virusi të përshtatet tek gjitarët, e sidomos tek njerëzit, duke u bërë i aftë për transmetim nga njeriu te njeriu dhe kështu të shndërrohet në një virus pandemik”, tha për Reuters Marie-Anne Rame Verty, drejtoreshë mjekësore e qendrës për infeksionet respiratore të Institutit Pasteur.

Instituti Pasteur ishte një nga laboratorët e parë evropianë që zhvilloi dhe shpërndau testet e zbulimit të COVID-19, duke i bërë protokollet të disponueshme për OBSH-në dhe laboratorët në mbarë botën.

Ajo shpjegoi se njerëzit kanë antitrupa kundër gripit sezonal H1 dhe H3, por jo kundër gripit të shpezëve H5 që prek shpendët dhe gjitarët — njësoj siç nuk kishin imunitet para shfaqjes së COVID-19. Ndryshe nga COVID-19, e cila prek më rëndë grupet vulnerabël, viruset e gripit mund të jenë vdekjeprurëse edhe për njerëz të shëndetshëm, përfshirë fëmijët.

“Një pandemi e gripit të shpezëve do të ishte ndoshta shumë serioze, ndoshta edhe më serioze se pandemia që përjetuam,” tha Rame Verty nga laboratori i saj në Paris.

Ka patur raste të infektimit të njerëzve me viruset H5 në të kaluarën, përfshirë H5N1, i cili po qarkullon aktualisht tek shpendët dhe lopët e qumështit në SHBA, por zakonisht këto raste kanë qenë të lidhura me kontakt të ngushtë me kafshë të infektuara. Rasti i parë ndonjëherë me H5N5 u regjistrua këtë muaj në shtetin e Washington-it në SHBA; pacienti, i cili kishte sëmundje kronike, ndërroi jetë javën e kaluar.

Sipas raportit më të fundit të OBSH-së për gripin e shpezëve, ka patur gati 1.000 raste tek njerëzit midis viteve 2003 dhe 2025, kryesisht në Egjipt, Indonezi dhe Vietnam dhe 48% e tyre kanë rezultuar fatale.

Megjithatë, drejtori i shkencës në Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve, Gregorio Torres, tha për Reuters se rreziku i zhvillimit të një pandemie njerëzore mbetet i ulët.

“Duhet të jemi të përgatitur për të reaguar në kohë. Por aktualisht, ju mund të ecni lirshëm në pyll, të hani pulë dhe vezë dhe të shijoni jetën. Rreziku i pandemisë ekziston si mundësi, por mbetet ende shumë i ulët,” u shpreh ai.

Rame Verty shtoi se, nëse gripi i shpezëve do të pësonte mutacion dhe do të bëhej i transmetueshëm nga njeriu te njeriu, bota sot është shumë më e përgatitur sesa para pandemisë së COVID-19.

“Pika pozitive është se për gripin, ndryshe nga COVID-i, ne tashmë kemi masat parandaluese. Kemi vaksina të mundshme gati dhe dimë të prodhojmë shpejt një vaksinë të re,” tha ajo. “Kemi gjithashtu rezerva të barnave antivirale që, në parim, do të ishin efektive kundër këtij virusi të gripit të shpezëve.”

© Panorama.al

Te lidhura