Shkëmbim historik, një ushtar izraelit me 1027 palestinezë

Oct 19, 2011 | 12:11
Ushtari izraelit Gilad Shalit, (majtas) disa të liruar palestinezë

Një ushtar izraelit u këmbye me mbi një mijë të burgosur palestinezë, pas shumë raundesh bisedime dhe pas një vendimi të Gjykatës së Lartë izraelite kundër peticioneve të qindra izraelitëve që kishin kundërshtuar lirimin masiv. Ushtari izraelit, Gilad Shalit, u lirua pas pesë vitesh izolimi në Rripin e Gazës. 25-vjeçari u është dorëzuar ndërmjetësve egjiptianë, të cilët kanë ndihmuar lehtësimin e lirimit të tij, duke e shoqëruar në udhëtimin e tij të shkurtër drejt lirisë. Ushtari u rrëmbye në qershor 2006 nga militantët që hynë në Izrael nga një tunel dhe e rrëmbyen ushtarin nga tanku i tij, duke e izoluar nga komunikimi që prej atëherë. Ata e përdorën atë si një kartë negocimi për ta këmbyer me lirinë e 1027 palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite. Në qytetin e Shalit, në Mitzpe Hila, rruga ruhej nga policia dhe anash saj ishin vendosur banderola që e mirëprisnin ushtarin. Dhjetëra të rinj kishin veshur bluza me imazhin e Shalit dhe valëvisnin flamurin izraelit. Policia i largoi reporterët menjëherë nga shtëpia e tij përpara se ai të kthehej për t’i dhënë privatësi të riut derisa të marrë veten. Edhe në Uest Benk, të burgosurve të liruar u është bërë një pritje heronjsh. Fakhri Barghout, 57 vjeç, mbahej mbi supet e një burri i rrethuar nga të afërmit që brohorisnin. I dënuar me burgim të përjetshëm, pasi kishte vrarë një izraelit, Barghouti kishte kaluar 34 vjet në burg. “Nuk do të jem i lumtur derisa të lirohen të gjithë”, tha Barghouti, i cili ka lënë pas në burg të birin Shadi, i dënuar 27 vjet për përfshirje në një grup të armatosur.
Marrëveshja
Izraeli dhe Hamasi kanë mbajtur disa raunde bisedimesh ndërmjet negociatorëve gjermanë dhe atyre egjiptianë. Zyrtarët e dy palëve thanë se bisedimet i kanë ndihmuar ata të arrijnë një marrëveshje. Izraeli nisi dje lirimin e 477 palestinezëve, si pjesë e marrëveshjes. Një pjesë e mirë e tyre mbërritën para perëndimit në kufirin izraelito-egjiptian. Rreth 550 palestinezë të tjerë do të lirohen në një fazë të dytë, që pritet në rreth dy muaj. Këta në këmbim të një ushtari izraelit të mbajtur prej pesë vitesh peng nga Hamasi. Marrëveshja mori dritën e gjelbër nga Gjykata e Lartë izraelite të hënën vonë, pasi ajo refuzoi peticionet nga publiku për të parandaluar lirimin masiv të të burgosurve palestinezë, disa prej të cilëve të dënuar për vrasje të izraelitëve. Marrëveshja me Hamasin, një grup i klasifikuar nga SHBA dhe BE si organizatë terroriste për shkak të refuzimit të tyre për të njohur Izraelin dhe shkaktimit të akteve të dhunshme, nuk pritet të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në bisedimet e paqes në Lindjen e Mesme.

Intervista
Në një intervistë për televizionin egjiptian para kthimit në Izrael, Shalit u shfaq i zbehtë dhe i tmerruar nga pyetjet e shumta në arabisht, hebraisht dhe anglisht. “Unë nuk ndjehem edhe kaq mirë pas gjithë kësaj… të shoh kaq shumë njerëz pas një kohe kaq të gjatë… pasi nuk kam parë njerëz prej një kohe shumë të gjatë. Nuk jam në gjendje”, tha Shalit në gjuhen hebraishte. Shalit tha se ai do të jetë shumë i lumtur nëse palestinezët e mbetur në burgjet izraelite do të lirohen e t’u kthehen familjeve të tyre. “Gjithmonë kam menduar për ditën kur do të lirohesha. Më mungon shumë familja ime. Më mungojë miqtë e mi dhe takimet me ta, të bisedoj me njerëz”, tha ai.

Netanjahu: Dhuna do të ndëshkohet
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, e përshëndeti Shalit në kthimin e tij dhe paralajmëroi militantët e liruar palestinezë gjatë shkëmbimit se ata do të ndëshkohen nëse i rikthehen dhunës. “E solla djalin tuaj në shtëpi”, u tha Netanjahu prindërve të Shalit, ndërsa ai priste bashkë me ta për të përshëndetur ushtarin e kthyer. Shumë izraelitë e kishin kundërshtuar marrëveshjen. Netanjahu tha se ai kupton dhimbjen e familjeve izraelite, të cilat kanë humbur të afërmit e tyre nga dhuna e palestinezëve. “Ne do të vazhdojmë të luftojmë terrorin dhe çdo terrorist të liruar, i cili i kthehet dhunës”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura