Kapiteni i korçarëve, Bledi Shkëmbi, u ka bërë thirrje tifozëve në rrjetin social “Facebook”, duke thyer kështu në një farë mënyre heshtjen mediatike në klubin bardhekuq. Duke qenë se kjo ndeshje ka një rëndësi të madhe, megjithëse ekipi ndodhet në vendin e parë të renditjes, Shkëmbi ka dashur të gjejë me çdo kusht një mënyrë komunikimi me fansat e qytetit të tij. Vetëm se kapiteni i ka kaluar kufijtë e thirrjes, kur ka dashur të vërë pikat mbi “i” edhe ndaj ndonjë specialisti futbolli që ka dalë kundër Skënderbeut. “Të mrekullueshëm qytetarë dhe tifozë korçarë! Marr shkas nga disa emisione sportive, që t’ju bëj thirrje të jemi bashkë deri në fund dhe të mos i japim rëndësi disa njerëzve xhelozë e të verbër, të cilët vetëm paragjykojnë dhe nuk duan të shohin. Këtyre njerëzve nuk u pëlqen një stadium i mrekullueshëm, ku çdo futbollist e ka ëndërr të vijë të luajë, ku çdo ndeshje ka të paktën mbi 8 mijë tifozë me një ekip që është për t’u pasur zili. Ndaj, ju presim nesër (sot) të gjithëve që të na mbështesni, ndërkohë që ne do t’ju japim fitoren e radhës”, – kanë qenë fjalët e Shkëmbit.
Te Laçi, në kor: Ua prishim festën korçarëve
Mbrojtësi tiranas i Laçit, Elton Doku, do të luajë për herë të tretë kundër ish-skuadrës së tij dhe për herë të dytë kundër tifozëve bardhekuq. Ai i vlerëson shumë korçarët, pjesë e të cilëve ka qenë dikur, por tani që luan më Laçin do kërkojë t’i mposhtë ata. “Kam luajtur dy vjet në Korçë dhe i kujtoj me nostalgji ato vite. Mirëpo unë jam profesionist dhe si i tillë, gjithmonë jap më të mirën në fushën e lojës, pasi në fillim janë interesat personalë. Kundërshtari ka triumfuar dy herë ndaj nesh, por kjo nuk do të thotë që do të shkojmë të dorëzuar përballë tyre. Pra, edhe sot do të luftojmë që t’i mposhtim ata”. Sulmuesi Vilfor Hysa është padyshim tmerri i çdo mbrojtjeje kundërshtare. Ai arriti të shënonte edhe në fundjavë ndaj Vllaznisë, por fatkeqësisht goli i tij ishte sa për statistikë, pasi kuqeblutë e përmbysën rezultatin. “Kundërshtari është i heshtur, pasi e shikon të vështirë përballjen me ne. Në fakt, e vetmja gjë së cilës i druhem, është arbitrimi. Nëse sot na lënë të luajmë futboll të pastër, atëherë ne nuk dalim pa pikë”.











