Shkëlzen Maliqi, rrëfimi nga Tito te Ibrahim Rugova

Oct 18, 2011 | 13:40
Shkëlzen Maliqi

Një intervistë dhënë mikut të tij Baton Haxhiu, e përmbledhur dhe botuar nga “UET Press”, sjell erudicionin e Shkëlzen Maliqit që nga vitet si student në Beograd, deri te zhvillimet e procesit të Dejtonit. Para vitit 1982, Shkëlzen Maliqin në Kosovë pakkush e ka njohur si njeri të shkrimit. Në jetën e shkronjave dhe debateve, por edhe të politikës, thuhet se ju ka futur një letër e hapur e botuar në revistën “NIN” të Beogradit. Letra e hapur drejtuar akademikut serb Pavle Iviç ju bëri që të dilni nga gëzhoja e anonimitetit. Pse në të vërtetë e shkruat letrën? Kjo është pyetja e parë e një bisede-intervistë që gazetari i njohur Baton Haxhiu ka zhvilluar me gazetarin, filozofin dhe politologun Shkëlzen Maliqi. Ishte pikërisht një replikë me një akademik nacionalist serb, të cilën e shkroi ndërsa priste një emërim pune pas kthimit nga studimet, ajo që e bëri të famshëm në qarqet akademike të Prishtinës dhe në një farë mënyre përcaktoi të ardhmen e Shkëlzen Maliqit. Kjo bisedë e gjatë mes miqsh të vjetër në formë interviste sillet sot për publikun nga botimet “UET Press”.

Maliqi rrëfen në këtë bisedë me mikun dhe kolegun Haxhiu jetën e tij që nga vitet ‘60 si student në Beograd, deri në zhvillimet e vona në Kosovë. Ky rrëfim nuk është thjesht një biografi e tij, është një analizë e hollë e ngjarjeve të rëndësishme nëpër të cilat kaloi Kosova, veçanërisht pas qeverisjes së Titos, ndër ato vite kur nacionalizmi serb nisi të ravijëzohej nëpër Jugosllavi. “Shkëlzen Maliqi ka bërë akte të forta intelektuale në jetën tij: nga debati me nacionalistët serbë në shtypin e Beogradit e deri te qëndrimet e tij në fund të viteve ‘80 e në vazhdim për Kosovën. Të gjitha këto i japin atij statusin e dikujt që mirë vendoset në rebusin mes universalizmit dhe kozmopolitizmit tipik për intelektualin dhe patriotizmit të tij si shqiptar. Shumëkush tjetër e ka humbur një prej këtyre betejave: është bërë patriot duke humbur intelektualin apo intelektual duke humbur atdheun”, thotë Henri Çili në parathënien e librit. Megjithëse ishte i biri i Mehmet Maliqit, ministri i Rendit të asaj kohe në Kosovë, ai tregon se kishte dëshirë të punonte në Bibliotekën Kombëtare si bibliotekist i thjeshtë dhe që punësimi të bëhet sipas rregullave, duke qenë i detyruar të priste për gjashtë muaj. Por nuk mohon se të qenit biri i tij ka qenë përparësi deri diku për guximin që pati në demaskimin e nacionalizmit serb, të mos kishte menjëherë pasoja. Maliqi rrëfen bisedat me të atin për valën në ngritje të këtij nacionalizmi. Libri, i cili do të promovohet sot në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, është i ndarë në periudha kohe dhjetëvjeçare. Aty rrëfehet për Beogradin e viteve ‘60, për Titon dhe Enverin, deri tek filozofia paqësore e Ibrahim Rugovës.
Baton Haxhiu: Para vitit 1982, Shkëlzen Maliqin në Kosovë pakkush e ka njohur si njeri të shkrimit. Në jetën e shkronjave dhe debateve, por edhe të politikës, thuhet se ju ka futur një letër e hapur e botuar në revistën “NIN” të Beogradit. Letra e hapur drejtuar akademikut serb Pavle Iviç ju bëri që të dilni nga gëzhoja e anonimitetit. Pse në të vërtetë e shkruat letrën?
Shkëlzen Maliqi: Është e vërtetë se në kohën që shkrova atë letër reagim, në Kosovë nuk më njihnin… Posa isha kthyer nga Beogradi, ku pata kaluar një periudhë bukur të gjatë të jetës, 16 vjet. As në Beograd nuk kam pas krijuar emër publik. Atëherë isha 35 vjeç dhe nuk kisha asgjë pos bibliotekës personale, nja trekatër mijë librave që i kisha sjell nga Beogradi. Që nga shtatori i vitit 1982 po prisja të gjeja ndonjë punë. Kjo nuk shkonte aq lehtë edhe pse “lidhjet” i kam pasur shumë të forta. Babai im, Mehmet Maliqi, ishte atëherë ministër i Rendit në Kosovë, post shumë i fuqishëm dhe i frikshëm. Njerëzit sot do të mendonin, si edhe atëherë, se ka mjaftuar një fjalë e tij për të më gjetur punë çfarë dëshiroja. Por, unë isha shumë modest dhe i kujdesshëm… Kërkoja punë të qetë, mundësisht në Bibliotekën Kombëtare, si bibliotekist i thjeshtë, dhe që punësimi të bëhet sipas rregullave. Kështu edhe prita 6 muaj. Dhe në atë kohë, derisa po prisja punësimin, i kaloja qetë, duke lexuar dhe shkruar nga pak, kryesisht poezi… Një ditë, nëse më kujtohet saktë ka qenë fundi i nëntorit ose fillimi i dhjetorit të ‘82-shit, e pata lexuar një shkrim në javoren “NIN” të Beogradit që komentonte librin “Shqiptarët dhe trojet e tyre”, të botuar në atë kohë në Tiranë. Bashkëbiseduesi i NIN-it ishte akademiku serb Pavle Iviç. Ai riaktualizonte debatin për etnogjenezën e shqiptarëve, duke hedhur poshtë tezën ilire dhe afirmuar tezën trakase. Në atë shkrim kishte shumë paragjykime kundër shqiptarëve dhe Kosovës. Iviçi e kritikonte ashpër nacionalizmin shqiptar nga pozitat e një nacionalizmi të pafrenuar serb. Unë e shkrova një reagim, ia dërgova NIN-it dhe u çudita kur doli një javë më pas pa ndërhyrje dhe shkurtime. Një javë më pas u befasova edhe më shumë kur reagimi im doli i përkthyer si kryeartikull në shtojcën për kulturë të “Rilindjes”. Nuk e kam pritur këtë lloj audience. Nuk e kam menduar as në ëndërr që brenda natës do të bëhem i famshëm, që kjo letër do të përcaktojë fatin tim në të ardhmen, duke më lidhur për publicistikën dhe politikën, për çka deri atëherë as që më ka shkuar mendja se do të më bëhen angazhimet kryesore për një çerek shekulli.
B.H.: Do të kthehemi më vonë te ‘68-a…. Tani, ju lutem, ta vazhdoni rrëfimin për motivin e futjes në polemikë me një akademik serb në të përjavshmen “NIN”
… Sh.M.: … Po, motivi është i qartë. Ishin bërë 15 vjet që unë jetoja në Beograd dhe kisha njohuri relativisht të mira të skenës serbe dhe se kush është dhe çka përfaqëson akademiku Iviç në Serbi. Me fillimin e fushatës antishqiptare në mediat serbe, unë po zemërohesha gjithnjë e më shumë pse s’kishte kundërreagime ose pse kur reagohej, ato ishin të zbehta, madje më dukeshin edhe kundërproduktive. E dija se garnitura e udhëheqësve serbë, pas vdekjes së Titos, kishte marrë kursin radikal ndaj Kosovës. Ma kishte thënë këtë edhe babai im, më 1981-shin, pasi që ishte emëruar në detyrën e vështirë dhe delikate të ministrit të Punëve të Brendshme në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës, që ishte qeveria në atë sistem. Më kujtohet se diku nga fundi i vitit 1981, ne po ktheheshim me makinë nga Prizreni për në Prishtinë dhe diku te Qafa e Dulës, Mehmeti ma bëri me dije se udhëheqësit serbë, sidomos ministri i Brendshëm, – nuk më kujtohet më emri i tij – janë më radikalë në çështjen e Kosovës se edhe vetë Aleksandar Rankoviçi famëkeq! Më la të kuptoj se në takimet mes dy udhëheqësive, të Serbisë dhe të Kosovës, ka tensione të jashtëzakonshme, deri edhe kërcënime për likuidime nga mujsharët e ri të Beogradit, të cilët po shfrytëzonin vakumin e autoritetit pas vdekjes së Titos dhe demonstratat e Kosovës të vitit 1981. Unë e pata pyetur Mehmetin për organet federative jugosllave, si qëndron puna me pushtetin dhe disponimin e tyre, se a ka “federata” fuqinë për t’ia ndalin hovin pretendimeve serbe? Por nuk pata marrë ndonjë përgjigje të qartë për raportin real të forcave në Federatë. Mehmeti më pat thënë se kuadrot kosovare po rezistonin në shumë nivele. “Nuk do të lejohet zhbërja e autonomisë së Kosovës. Ne i kemi të gjitha të drejtat e republikës, pos emrit, dhe nuk do të lejojmë kthimin mbrapa”.
B.H.: Të gjithë heshtnin e Shkëlzen Maliqi i ra hise të reagojë?! Po si të lindi kjo ide?
Sh.M.: E kisha idenë për këtë edhe më herët derisa isha në Beograd, por mendoja se nuk më takonte mua reagimi. Ka të tjerë atje në Kosovë që janë më të informuar, më pranë detyrës dhe obligimit për të kundërshtuar fushatën antishqiptare… Vetëm kur u ktheva në Kosovë, duke qëndruar disa muaj në Prishtinë dhe duke u futur në disa qarqe intelektuale, kuptova se mos reagimi ndaj fushatës nuk i kishe burimet vetëm në represionin e shtuar dhe pasigurinë dhe frikën e njerëzve nga pasojat, nga ndjekja, burgosja, përjashtimi nga puna etj. Kuptova se intelektualëve në Prishtinë u mungonte jo vetëm guximi por edhe informimi dhe qasja e duhur për çështjen, po mendoj në rrethanat e atëhershme dhe mundësitë që ekziston për reagime. Atëherë vendosa që të reagoj vetë, t’i them ato kundërargumentet ndaj fushatës që prej kohësh i vloja nëpër mend. E pata bërë këtë me shpresën se mund të shërbente si model edhe për të tjerët. Ndoshta kam qenë naiv, s’di, por disi e kisha bindjen dhe vetëbesimin se ekzistonte hapësira e mjaftueshme edhe brenda sistemit dhe ideologjisë së atëhershme jugosllave, për demaskimin e nacionalizmit serb, i cili po e dirigjonte ashtu ashiqare fushatën denigruese antishqiptare. Por, kur e kujtoj sot pozicionin tim të atëhershëm, mendoj se kam pas deri diku një përparësi, ose fat, që guximi im në demaskimin e nacionalizmit serb të mos kishte menjëherë pasoja. Thjesht, unë kam qenë një intelektual shqiptar jashtë kategorive të zakonshme, pasi kam qenë deri diku i mbrojtur, me disa favore relative, të cilat të tjerët nuk i kanë pasur. E para përparësi ka qenë që isha i biri i Mehmet Maliqit, që në atë kohë mbante detyrën e ministrit të Rendit të Kosovës dhe po e luftonte irredentizmin shqiptar, siç etiketohej në atë kohë lëvizja për Republikën e Kosovës ose më parë ajo për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për këtë lidhje të ngushtë familjare unë kam pasur probleme me patriotët dhe nacionalistët shqiptarë, dhe jo aq me pushtetin që ende ishte komunist. E dyta, përparësi ishte që unë nuk i kisha frikë kacafytjeve publike me nacionalistët serbë ngase isha i bindur se e kam gjetur formulën e polemizimit me ta. Kjo formulë ishte e thjeshtë: kujdesesha që të mos paraqitem nga pozitat e nacionalizmit shqiptar, çka nuk e kisha të vështirë sepse për nga bindja nuk isha nacionalist. Kjo pikënisje ime jo-nacionaliste sot mund të tingëllojë si pozicionim nga ana e “integrizmit jugosllav”, siç më kanë perceptuar disa qarqe në Kosovë, p.sh. Mehmet Kraja, por nuk ka qenë as ashtu. Unë vetëm besoja se arma më e fuqishme e konfrontimit publik me nacionalizmin serb ka qenë shfrytëzimi i legatit të komunizmit jugosllav, të titizmit, që parimisht përjashtonte dominimin e ideologjive nacionaliste, sidomos të nacionalizmit serb. Në themelet e atij sistemi, sado që nuk ka qenë krejtësisht konsistent, ka qëndruar vlera e luftimit e të gjithë nacionalizmave, sidomos të atij serb. Dhe kjo është dashur të shfrytëzohet si një mjet për demaskimin e koalicionit që kishte arritur Lidhja Komuniste e Serbisë me forcat ultranacionaliste dhe serbomëdha. Në diskursin publik të asaj kohe ende ekzistonin fusha të tëra të pakontrolluara nga lëvizja serbomadhe. Ekzistonte hapësira dhe mënyrat e ndryshme të demaskimit legjitim të dyfytyrësisë së pretendimeve serbomëdha. Forcat reaksionare në Serbi angazhoheshin gjithnjë e më hapur dhe në mënyrë ultimative për ndryshimin e Kushtetutës të vitit 1974 dhe kthimin e hegjemonisë serbe. Nëse kjo nuk do të ndodhte, ato kërcënoheshin se do të heqin dorë nga Jugosllavia për të krijuar Serbinë e Madhe, që pos Kosovës do të përfshinte edhe Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën, më shumë se gjysmën e Kroacisë me pothuajse tërë bregdetin e Adriatikut dhe, më në fund, nuk hiqnin dorë as nga Maqedonia. Dhe kjo edhe do të dalë sheshit shumë shpejt, pas hartimit dhe botimit, kinse “ilegal” të Memorandumit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, që u pat kuptuar menjëherë si një ultimatum i adresuar ndaj Federatës Jugosllave: O do të rivendoset hegjemonia e Serbisë në Jugosllavi, o Serbia do të kërkojë rrugë të tjera për zgjidhjen e çështjes serbe…

© Panorama.al

Te lidhura