
Artan Bushati nuk është më trajner i ekipit Shpresa. Ai është shkarkuar nga kjo detyrë dhe në vend të tij është vendosur trajneri i U-19, Skënder Gega. Sakaq, vendin e këtij të fundit e ka marrë ish-kapiteni i Kombëtares, Foto Strakosha. Atëherë kur pritej nga të gjithë që presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit të bënte prezantimin e teknikut të ri të ekipit përfaqësues, vjen një tjetër lajm, i dhënë pikërisht nga Duka. Pas 6 vitesh në krye të ekipit Shpresa të Shqipërisë, ku kanë rënë në sy në mënyrë të veçantë akuzat, gati të përhershme të tifozëve, opinionit publik, por edhe e analistëve dhe ish-lojtarëve të Kombëtares për trukime, më në fund presidenti i FSHF-së vendosi që të shkarkonte Bushatin. Madje, për trajnerin shkodran ka pasur edhe akuza për favorizime apo marrje pagesash për një vend në skuadër (kujto rastin e Henri Shibës, por edhe të shumë të tjerëve). “Lajmëroj për ndryshimin e trajnerit të U-21. Artan Bushati është larguar me kërkesën e tij dhe drejtimin e ekipit kombëtar e merr ish-trajneri i U-19, Skënder Gega, i cili do të nisë punë që nga dita e nesërme. Vendi i tij tek U-19 i ngarkohet një tjetër ish-futbollisti, ish-kapiteni i Kombëtares, Foto Strakosha”, deklaroi Duka gjatë ditës së djeshme. Sakaq, i pyetur se cilat ishin arsyet e lënies në këtë post për një kohë të gjatë të Bushatit teksa ndaj tij ka pasur jo vetëm shumë akuza por edhe rezultate negative, z.Duka ka preferuar të mos bëjë asnjë koment, duke thënë se ai e ka vlerësuar pozitivisht punën e ish-teknikut të U-21. Sakaq, zëvendësi i këtij të fundit, Skënder Gega, e ka nisur karrierën e tij si trajner në Amerikë, ku ka stërvitur kryesisht skuadra femrash, ndër to edhe Kombëtaren U-17 të femrave në SHBA. Por ai tregoi gjithë cilësitë e mira si trajner kur u emërua në krye të Shqipërisë U-19 në fillim të këtij viti. Gega arriti të ndërtonte një skuadër kompetitive, që bëri një paraqitje shumë të mirë në kualifikime, por nuk arriti që të kalonte turin në grupe. Skuadra që Gega drejtoi, humbi në minutën e fundit ndaj Danimarkës, barazoi me Austrinë dhe dominoi plotësisht Maltën. Ndërsa ish-kapiteni i Kombëtares, Foto Strakosha (ka luajtur 73 ndeshje me Shqipërinë), e nisi karrierën si trajner te APOEL në Qipro, si teknik i portierëve dhe deri dje mbante të njëjtin post te skuadra greke e Panioniosit.
Armand Duka: Trajneri i ri, brenda javës
Teksa po afrohen dy sfidat miqësore të muajit nëntor: më 11 ndaj Azerbajxhanit në “Qemal Stafa” dhe më 15 ndaj Maqedonisë në Prilep, Kombëtarja nuk ka ende një trajner në drejtim. Ndërsa vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka theksuar dje se brenda javës ai do të emërojë teknikun e ri. “Brenda kësaj jave do të përfundojmë emërimin dhe trajneri do të fillojë nga puna për të përgatitur dy ndeshjet miqësore. Kemi disa projekte që po i shohim dhe i kemi vendosur vetes një objektiv”, ka pohuar Duka. Sakaq, emri më i lakuar ka qenë ai i Besnik Hasit, por mësohet se ky i fundit ka kërkuar kohë, për shkak se ka marrë një ofertë trevjeçare si zv/trajner i Anderlehtit me një pagesë të majme.
Trukimet, presidenti mohon gjithçka
President i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka mohuar kategorikisht që të ketë marrë letër nga UEFA për të hetuar ndeshjen Kastrioti-Vllaznia 2-1. Sipas organit të futbollit europian ka pasur lëvizje të mëdha parash, që sjellin dyshime të forta lidhur me këtë takim, ndaj është kërkuar që federata të hetojë gjithçka. Ndërkohë, për këtë ndeshje është prononcuar edhe administratori i Vllaznisë, Kujtim Shaba, i cili ka akuzuar direkt gjyqtarin e ndeshjes, Albano Janku (ky i fundit është dënuar nga sektori i arbitrave në FSHF me dy javë pezullim). Por presidenti i FSHF-së nuk ka komentuar, duke i lënë rrugë të hapur zhvillimit të hetimeve që mund të bëjnë organet përkatëse.
Stadiumi, FSHF gati të investojë
Në konferencën e djeshme për shtyp, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka komentuar edhe çështjen e stadiumit “Qemal Stafa”. Dy ditë më parë, vetë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, u shpreh se qeveria ka bërë gjithçka ka në dorë në lidhje me planin për rikonstruksionin e stadiumit. “Di që në projektbuxhetin e vitit 2012 është planifikuar një shumë prej 3 miliardë lekësh të vjetër për stadiumin. Ne do t’i përgjigjemi çdo lloj vendimi që do të marrë bordi i shoqërisë aksionere të stadiumit. Shpresojmë që të fillojnë sa më shpejt punimet, pasi kjo gjë është në të mirën e të gjithëve, sidomos të botës së futbollit”, është shprehur presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











