TIRANE – Lajmi për një të plagosur me thikë më 12 prill 2011, gjatë fushatës, në rrugën “Margarita Tutulani”, ngjarje për të cilën akuzohet një 22-vjeçar, u përcoll bujshëm atë kohë, pasi u etiketua si “incident elektoral”. Pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për këtë ngjarje, duke çuar si të pandehur në Gjykatë të riun Arbër Ristani. Në Gjykatën e Tiranës, Ristani do të gjykohet për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”. Dosja, ku 22-vjeçari është i pandehur, u regjistrua pak ditë më parë në Gjykatën e kryeqytetit. Pas depozitimit në kryesekretari, ajo iu nënshtrua shortit elektronik, i cili ka përzgjedhur gjyqtarin Sokol Tona, si gjyqtarin që do të kryesojë këtë gjykim. Burime pranë Gjykatës pohuan se ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë të këtij procesi. Sipas Prokurorisë, ngjarja për të cilën akuzohet i dyshuari Arbër Ristani ka ndodhur në afërsi të Njësisë Bashkiake Nr.5 në Tiranë, pranë zyrave elektorale të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në rrugën “Margarita Tutulani”. Në të njëjtën ditë, nga ana e kreut të opozitës, ishte planifikuar një miting me banorët e kësaj zone. Incidenti u shënua në kohën kur pjesëmarrësit në miting po kalonin pranë zyrave të LSI. Identifikimi i tij nga policia u bë pas analizimit të pamjeve filmike të xhiruara nga kamerat e televizioneve që po ndiqnin takimin elektoral. Pas ngjarjes, Policia tha zyrtarisht se “Arbër Ristani dyshohet se, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, pas një grindjeje të çastit të ndodhur dy ditë më parë, në afërsi të qendrës ‘Kristal’ në Tiranë, kanë plagosur me thikë 16-vjeçarin A.Doçi”. Për shkak të situatës, ngjarja u trajtua me ngjyresa politike. Nga ana e saj, Prokuroria që në seancën e caktimit të masës së sigurisë për Ristanin pohoi se bëhej fjalë për një konflikt mes disa të rinjve, pa e lidhur me motive politike. “Rezulton se ky shtetas ka plagosur rëndë me thikë shtetasin A. Doçi. Fillimisht ai është zënë me Ali Doçin me grushte dhe më pas e ka goditur atë me thikë”, thuhej në vendimin e masës së sigurisë ndaj Arbër Ristanit.











