Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë, për të drejtat dhe liritë e njeriut, nënvizon se Parlamenti shqiptar ka qenë jofunksional gjatë 2010-s.Duke risjellë në vëmendje krizën politike pas zgjedhjeve të 2009-s dhe pozicionin bojkotues të PS-së, sipas raportit, Kuvendi mbeti pa miratuar ligje të rëndësishme që lidhen me reformat e vendit. “Në fund të vitit, bllokimi politik që pasoi zgjedhjet e qershorit 2009 vazhdoi. PS-ja, pavarësisht se ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, bojkotoi Parlamentin, bëri thirrje për hetime të mashtrimit elektoral dhe bllokoi legjislacionet kyçe që kërkojnë një shumicë parlamentare superiore, duke përfshirë krijimin e një sistemi administrativ të gjykatave. Puna e Parlamentit është penguar nga bllokimi i vazhdueshëm politik dhe as PS-ja, as qeveria nuk kanë treguar gatishmëri për kompromis e për t’i dhënë fund bllokimit. Si rezultat, Parlamenti nuk ishte plotësisht funksional gjatë vitit dhe Parlamenti nuk arriti të miratojë propozime të mëdha ligjore”, thuhet në raportin e DASH.
Korrupsioni
Sipas raportit, korrupsioni vazhdon të mbetet në nivele të larta në administratën publike. “Treguesit e qeverisjes së Bankës Botërore për vitin 2009 tregojnë se korrupsioni ishte një problem serioz. Sipas një studimi të korrupsionit, publikuar gjatë këtij viti, 91,8 për qind e të intervistuarve mendojnë se korrupsioni ndërmjet zyrtarëve publikë është ose ‘i përhapur’, ose ‘disi i përhapur’. Të intervistuarit në këtë anketë deklaruan se doganat dhe taksat, si dhe mjekët, janë institucionet dhe grupet më të korruptuara”, thuhet në raport. Aty nënvizohet se “qeveria ndoqi penalisht zyrtarë të korruptuar dhe i drejtoi ankesat lidhur me policinë e korruptuar nëpërmjet Avokatit të Popullit dhe Kontrollit të Brendshëm të Policisë së Shtetit Shqiptar. Megjithatë, dispozitat e gjera për imunitet për gjyqtarët, anëtarët e Parlamentit dhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë penguan aftësinë e qeverisë për të ndjekur penalisht korrupsionin në nivel të lartë”. Raporti nënvizon dhe punën e bërë nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurisë së Zyrtarëve. “ILDKP-ja është e ngarkuar me zbatimin e ligjit të deklarimit të pasurisë dhe ligjin e konfliktit të interesit. Çdo vit ILDKP mbledh rreth 4000 forma të deklarimit të pasurisë nga politikanët, nëpunësit publikë dhe ata të Gjyqësorit. ILDKP ka zgjedhur rastësisht 4 për qind të tyre për një hetim të plotë administrativ. ILDKP gjithashtu ka hetuar rastet që mediat kanë raportuar”, thuhet në raport.
Gjykatat
Emërimet politike në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese kërcënojnë të rrezikojnë pavarësinë dhe integritetin e këtyre gjykatave, thuhet në këtë raport, i cili ndalet edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Sipas tij, edhe OSBE/ODIHR-i deklaroi se edhe pse pjesa më e madhe e angazhimeve u plotësuan, ato nuk përmbushën standardet më të larta për zgjedhjet demokratike.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











