SHBA, kapen 37 anëtarë të bandës së tre shqiptarëve

Jul 14, 2011 | 12:29
Arif Kurti, një nga të akuzuarit

Federalët amerikanë arrestuan dje 37 persona, anëtarë të një bande të trafikut të drogës të drejtuar nga tre shtetas shqiptarë që gjatë 11 viteve të fundit kanë fituar 500 milionë dollarë nga narkotrafiku në tri kontinente.REUTERS shkruante mbrëmë se arrestimet u kryen në Nju Jork, Nju Xhersi, Kolorado dhe Florida. Gjavit Thaqi, Arif Kurti dhe Gjevelin Berisha janë tre personat e akuzuar si kapo të bandës. Një nga krerët e bandës, shtetasi Arif Kurti, është arrestuar më parë në Shqipëri me akuzën për trafikim heroine. SHBA thonë se kanë kërkuar ekstradimin e tij në Amerikë, por ky shtetas i shumëkërkuar nga pala amerikane është dënuar me 7 vjet e 6 muaj burg pasi bashkë me Dritan Gjurën e të tjerë akuzohen se kanë trafikuar 20 kg heroinë nga Maqedonia drejt Shqipërisë. Zyrtarët amerikanë thanë mbrëmë se personat e arrestuar vepronin në klane të organizuara që udhëhiqeshin nga familjet shqiptare të njohura si fise. Aktiviteti kryesor ka qenë në grumbullimin, importimin dhe shpërndarjen e sasive masive të marijuanës, kokainës, oksikodonit dhe drogave të tjera të paligjshme. Trafiku ka ndodhur në SHBA, në Kanada, Amerikën Jugore dhe Europë që nga viti 1999. Federalët kanë thënë dje se kanë faktuar pastrimin e 15 milionë dollarëve të drogës nga kjo organizate, e cila në total dyshohet se ka përfituar 500 milionë dollarë.
Akuzat
Sipas autoriteteve amerikane, të arrestuarit e bandës së udhëhequr nga shtetasit shqiptarë, veç trafikut të drogës, akuzohen se janë përfshirë edhe në krime të dhunshme, si rrëmbim dhe tentativë për vrasje. Kontrollet e policisë gjetën dje në shtëpitë e të dyshuarve 18 armë zjarri, miliona dollarë të fituar nga të ardhurat e drogës dhe qindra pako me marijuanë. Prokurorja e SHBA, Loretta Lynch, tha se kjo sindikatë përhapte drogë në të gjitha kontinentet, duke dërguar në mbarë botën produktin shkatërruese dhe duke korrur fitime të mëdha. Zëri i Amerikës shkruante mbrëmë se Gjykata Federale e Bruklinit në Nju Jork ngriti akuza kundër 37 pjesëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të rrjetit ndërkombëtar të drogës, që sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, drejtohej nga shqiptarë me banim në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Europë. Shumica e të pandehurve u arrestuan sot në Nju Jork, Nju Xhersi, Kolorado dhe Florida. Dy të pandehur u arrestuan muajin e kaluar, pas një shkëmbimi zjarri që lidhej me drogën, ndërsa disa të tjerë janë tashmë në burg për krime të mëparshme. Njëri nga drejtuesit e rrjetit të dyshuar u arrestua në Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar ekstradimin e tij. Personat e arrestuar dolën dje para një gjykatësi për t’iu komunikuar akuzat. Sipas aktakuzës të paraqitur nga autoritetet amerikane, rrjeti përfshin disa familje shqiptare, të lidhur me qindra punëtorë dhe klientë në tri kontinente.
Ky rrjet, i cili vepronte prej më shumë se një dekade, thuhet në një njoftim të Departamentit të Drejtësisë, mendohet se është përgjegjës për importimin dhe shpërndarjen e dhjetëra mijëra kilogramëve marijuanë nga Kanadaja dhe Meksika, sasi të konsiderueshme të MDMA-së nga Holanda dhe Kanadaja, qindra kilogramëve kokainë nga Meksika, Kolumbia, Venezuela dhe Peruja, si dhe sasi të mëdha pilulash, si oksikodonë. Droga shpërndahej në vende të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë Nju Jorkun, Kaliforninë, Xhorxhian, Koloradon dhe Floridën, si dhe në Kanada dhe Europë. Sipas aktakuzës dhe materialeve të tjera gjyqësore të paraqitura nga qeveria, hetimi katërvjeçar zbuloi se shumica e marijuanës kontrabandohej nga Kanadaja dhe Meksika e fshehur në rimorkio traktorësh, zakonisht nga 50 kilogramë për ngarkesë, ndonjëherë edhe nga 600 kilogramë. Dërgesat e marijuanës ruheshin në magazina dhe vende të tjera në lagjet “Bruklin”, “Kuins” dhe “Bronks” të Nju Jorkut para shpërndarjes. Sasi të ndryshme kokaine merreshin nga burime në Shtetet e Bashkuara dhe eksportoheshin në Shqipëri dhe vende të tjera të Europës, të fshehura brenda makinave luksoze, nën kujdesin e shitësve gjoja të ligjshëm të makinave, por që kontrolloheshin nga pjesëtarët e rrjetit. Në kohën e arrestimeve të sotme, rrjeti dyshohet se ishte përfshirë në negociata për të marrë qindra kilogramë kokainë nga burime në Amerikën e Jugut, për transportim nëpër Shtetet e Bashkuara për në Kanada dhe në Europë. Hetimi i qeverisë zbuloi më tej se rrjeti shfrytëzonte shërbimet e një organizate kanadeze për pastrimin e parave me qendër në Kanada, e cila akuzohet si përgjegjëse për pastrimin e më shumë se 15 milionë dollarëve, të ardhura nga kontrabanda në një vit të vetëm. Zakonisht, pastruesit e parave i merrnin paratë e drogës në Nju Jork dhe ua dorëzonin ato furnizuesve kanadezë dhe meksikanë. Nëse shpallen fajtorë, tre krerët e dyshuar të rrjetit, Gjavit Thaqi, Arif Kurti dhe Gjevelin Berisha, përballen minimumi me një dënim të detyrueshëm prej 25 vitesh burg dhe një dënim maksimal me burgim të përjetshëm.

Tre kapot

• Gjavit Thaqi
• Arif Kurti (arrestuar
• Gjevelin Berisha

ARIF KURTI
Sipas Policisë shqiptare, shtetasi Arif Kurti, 41 vjeç, ka lindur në Bronz, Nju Jork, dhe është banues në Gjakovë. Ai është me 8 klasë dhe sipas verifikimeve nga policia, rezulton i padënuar më parë. Ai është me kombësi shqiptare e shtetësi amerikane. Ai u arrestua në Shqipëri më 9 shtator 2008, në vazhdim të operacionit “Tifozët”, ku më datë 6 shtator 2008 u arrestuan tre shtetas maqedonas dhe u sekuestruan 4.2 kg heroinë.

© Panorama.al

Te lidhura