SHBA: E ardhmja e Shqipërisë në BE varet nga zgjedhjet

Apr 2, 2011 | 10:19

Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit të SHBA, Tomas Kantrimen, tha dje në një konferencë për shtyp se tani është vonë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, por jo vonë që partitë të bien dakord për rregulla të drejta të fushatës zgjedhore.Në përfundim të takimeve me krerët e shtetit, Kantrimen tha se qytetarët e bëjnë dallimin mes një tryeze që bëhet sa për të kënaqur Brukselin dhe Uashingtonin dhe një takimi ku “do të flitej sinqerisht mbi çështjet dhe do të bëhej përparim”.
Konferenca e plotë
“Është diçka e mrekullueshme të jem përsëri në Shqipëri, sidomos në një ditë të bukur pranvere. Nuk kam në plan t’ju mbaj një fjalim të gjatë sot. Dua vetëm të vë në dukje tri pika të rëndësishme dhe më pas do t’iu përgjigjem pyetjeve. Së pari, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të bashkërendojnë shumë ngushtë me Bashkimin Europian dhe me OSBE-në sepse bashkëndajmë të njëjtën shpresë për të ardhmen e Shqipërisë. Siç na kujtoi të gjithëve vizita e komisionerit Fyle, e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe shpresoj që të gjithë shqiptarët do të mbajnë parasysh që pikërisht kjo është çështja dhe sfida më e madhe, më e madhe edhe se zgjedhjet që po vijnë muajin tjetër. Suksesi i këtyre zgjedhjeve mund të përshpejtojë ose mungesa e suksesit mund ta ngadalësojë procesin e anëtarësimit në BE. Është e kuptueshme që duam të shohim një përshpejtim; kjo është ajo që meriton populli shqiptar. Kjo më sjell në pikën e dytë që dua të vë në dukje. Siç e kam thënë edhe më parë, këto zgjedhje për qeverisjen vendore nuk u përkasin partive politike, i përkasin popullit shqiptar. Shqiptarët duhet të marrin pronësinë e këtyre zgjedhjeve duke marrë pjesë në to, duke këmbëngulur për një fushatë të pastër, si edhe duke ofruar vëzhgues të pavarur vendas. Gjithashtu, njerëzit duhet të këmbëngulin dhe të presin nga partitë të respektojnë nevojën për një mekanizëm të pastër për të zgjidhur çfarëdo mosmarrëveshjeje që mund të lindë ditën e zgjedhjeve. Pika e tretë, shumë shkurt, është që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të këmbëngulin në respektin për institucionet e pavarura të Shqipërisë, sipas Kushtetutës së Shqipërisë. Këtu përfshihet edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe pse ky nuk është një institucion i pavarur në po atë mënyrë si edhe Prokuroria e Përgjithshme. U takova me z. Ristani sot. Së pari, theksova që Komisioni duhet të jetë i drejtë dhe objektiv, si dhe transparent në të gjitha vendimet e tij. Së dyti, që presim nga të gjithë anëtarët e Komisionit që të respektojnë detyrimin e tyre për të marrë pjesë në punën e Komisionit. Dhe së treti, që SHBA, ashtu si dhe BE dhe OSBE, respektojnë rolin e Komisionit për të vendosur standardet për zgjedhje të drejta dhe për zgjidhje të drejtë të çfarëdo mosmarrëveshjesh. Këto janë tri pikat e mia kryesore. Ju premtova që, për herë të parë, të flisja shkurt. Me kënaqësi do t’ju përgjigjem pyetjeve tuaja”.
A ju është kërkuar nga partitë garanci për procesin dhe për transparencën paszgjedhore? E dyta, a keni parashtruar në bisedimet, me Kryeministrin ndoshta, rëndësinë për të respektuar lirinë e mediave, sidomos kur ato janë kritike ndaj qeverisë?
Lidhur me pyetjen e parë, të dyja palët shprehen se ato besojnë te transparenca përpara, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve. Dhe unë iu besoj atyre. Ata kanë ende mendime të ndryshme lidhur me mënyrën për ta arritur transparencën pas zgjedhjeve. Kjo është një çështje, e cila mund të trajtohet vetëm me anë të dialogut të drejtpërdrejtë mes dy palëve. Nëse SHBA, apo OSBE, apo bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi, mund të ndihmojnë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen, ne do të ndihmonim me kënaqësi. Lidhur me pyetjen e dytë, më vjen shumë mirë që e ngritët, sepse liria e medias shkon krah për krah me përgjegjësinë e medias. Nuk duhet të ketë kurrfarë përpjekjeje nga asnjë qeveri, as për të shtypur e as për të kontrolluar median për të përfituar mbulim pozitiv. Në të njëjtën kohë, edhe media ka një përgjegjësi ndaj popullit shqiptar – të shmangë atë lloj retorike politike që rrit nxehtësinë, por nuk rrit transparencën. E diskutova këtë edhe me Presidentin Topi. Bëra të qartë që ne respektojmë përpjekjet e tij për t’i kujtuar popullit shqiptar përgjegjësinë e tij për të marrë pjesë plotësisht në zgjedhje dhe për të treguar nivelin e duhur të skepticizmit kundrejt atyre që dëgjojnë qoftë nga partitë politike, ashtu edhe nga media.
Ju thatë që transparenca është një çështje që duhet trajtuar nëpërmjet dialogut politik. Këtu ndahen partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike – nëse ky dialog duhet zhvilluar para datës së zgjedhjeve apo pas. OSBE ka thënë qartë që nuk duhet ndryshuar Kodi Zgjedhor sepse kjo do të minonte procesin. Çfarë mendojnë SHBA për këtë?
Së pari, transparenca është një vlerë që është shumë e rëndësishme për një demokraci dhe, siç thashë, të dyja partitë e bashkëndajnë këtë vlerë. Procedura specifike për ta arritur është ajo për të cilën ka ende mosmarrëveshje. Nuk jam i sigurt nëse duhet quajtur dialog politik apo dialog teknik, apo nëse duhet mbajtur mes partive në Kuvend, apo në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por, është një dialog që duhet të ndodhë urgjentisht.
OSBE ka të drejtë – që është shumë vonë për të bërë ndryshime madhore në Kodin Zgjedhor. Por nuk është tepër vonë që partitë të bien dakord për rregulla të drejta fushate dhe procedurale kur këto janë jashtë Kodit Zgjedhor.
Në vizitat tuaja të mëparshme keni thënë që partitë duhet të fillojnë një dialog konstruktiv. Por kjo nuk ka ndodhur. Pyetja ime e parë: A keni marrë shenja se do të ketë një kompromis dhe dialog konstruktiv përpara zgjedhjeve? E dyta: Komisioneri i Zgjerimit, Fyle, tha se rrezikojmë integrimin europian nëse zgjedhjet nuk janë të drejta dhe të lira. Sipas opinionit tuaj, çfarë rrezikon Shqipëria nëse nuk ka zgjedhje të lira dhe të drejta.
Po e filloj me pyetjen e dytë. Komisioneri Fyle është eksperti më i lartë për këtë pyetje. Dhe, nëse e thotë ai që dështimi për të mbajtur zgjedhje të besueshme është një zmbrapsje për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, nuk mendoj se një diplomat amerikan mund të shtojë apo heqë ndonjë gjë nga ky vlerësim. Çështja nuk është vetëm teknike lidhur me anëtarësimin në BE. Ndaj e kam një opinion lidhur me çfarë tjetër rrezikon Shqipëria nëse këto zgjedhje nuk janë të pastra. Ky vend nuk ka arritur sukses në çuarjen përpara të axhendës së reformave që mund ta bëjnë vendin më të begatë dhe një vend ku shqiptarët të jenë edhe më krenarë të jetojnë. Dështimi në këto zgjedhje, dështimi për të zgjidhur mosmarrëveshje rrezikon që të vazhdojë kjo mungesë përparimi, mungesë veprimi nga Kuvendi. Si në çdo vend tjetër, njerëzit do të gjejnë një mënyrë për të ecur përpara, për t’i bërë jetët më të begata dhe për t’i bërë qytetet e komunitetet e tyre më të begata, edhe nëse Kuvendi nuk e kryen detyrën që ka. Por nuk është ajo çka ndonjë prej nesh dëshiron të shohë në Shqipëri. Ne duam përparim. Lidhur me dialogun midis partive: Jam në një mendje me deklaratën që Kethrin Eshton bëri në emër të BE-së, që mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë ka qenë burim shqetësimi për ne dhe ka çuar në dështimin e Shqipërisë për të përparuar. Pati disa shenja shpresëdhënëse këtë javë, si në seminarin e drejtuar nga z. Fyle, ashtu edhe në diskutimet mbi një Kod Sjelljeje për zgjedhjet vendore. Kjo është diçka e mirë, por nuk mjafton dhe unë mendoj që populli shqiptar e bën dallimin midis një takimi që organizohet për të kënaqur Brukselin dhe Uashingtonin dhe një takimi ku do të flitej sinqerisht mbi çështjet dhe do të bëhej përparim.

Topi: Çdo veprim për zgjedhje të drejta
Presidenti Bamir Topi tha dje se është i gatshëm të ndërmarrë çdo veprim për zgjedhje të drejta më 8 maj. Në njoftimin e Presidencës lidhur me takimin me zyrtarin e lartë amerikan thuhet se “kryetari i shtetit theksoi edhe njëherë gatishmërinë e tij personale dhe institucionale që, në respekt të ligjeve dhe të interesave madhore kombëtare, të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm që garanton zgjedhje të drejta, korrekte dhe demokratike dhe që inkurajon KQZ-në si dhe të gjithë infrastrukturën zgjedhore”. Nga ana e tij, z. Kantrimen vlerësoi qëndrimin e drejtë institucional të kreut të shtetit ndaj ngërçit politik të krijuar nga partitë politike në vend.

Berisha: Rama, skenar bllokues njësoj si në 2007-n
Kryeministri Sali Berisha tha dje gjatë takimit me zëvendësndihmëssekretarin e shtetit, Tomas Kantrimen, se Rama tentoi sërish t’i bllokojë zgjedhjet e 8 majit njësoj si në vitin 2007. “Kryeministri theksoi se pavarësisht tentativës së zotit Rama për të përsëritur skenarin bllokues të vitit 2007, falë kornizës ligjore konsensuale dhe bashkëpunimit të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, procesi i përgatitjes së zgjedhjeve po vazhdon me hapa të shpejtë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Kantrimen vlerësoi përgatitjet që po bën KQZ-ja dhe institucionet e tjera për procesin zgjedhor dhe hartimin e listave të zgjedhësve.

Kantrimen, 60 minuta takim me Ramën
Pas takimit me kryeministrin Sali Berisha, zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Tomas Kantrimen, ka udhëtuar për në selinë e Partisë Socialiste, ku është pritur nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Zyrtari i lartë amerikan shoqërohej në këtë takim nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Takimi mes tyre ka zgjatur rreth 60 minuta, por selia rozë nuk ka nxjerrë asnjë njoftim pas bisedës mes Ramës dhe z. Kantrimen. Në përfundim të takimit, zv.ndihmëssekretari i Shtetit ka lënë zyrën e kryetarit të PS-së për të shkuar në Presidencë dhe prej andej u takua me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani.

© Panorama.al

Te lidhura