Sfidat ligjore dhe institucionale të Shqipërisë në tërheqjen e studentëve të hua

Jul 5, 2025 | 8:30

NGA AGIM ALIA agim alia

Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, arsimi i lartë është kthyer në një mjet strategjik për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror dhe ruajtjen e kapitalit njerëzor. Sipas UNESCO, arsimi i lartë luan një rol kyç në arritjen e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, duke kontribuar në përparimin ekonomik, social dhe mjedisor. Universitetet janë institucionet qendrore në krijimin e njohurive dhe aftësive të nevojshme për të përmbushur 17 objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, ndërsa përgatitin edhe liderët e së ardhmes për zhvillimin e qëndrueshëm. Në Shqipëri, ndërkombëtarizimi është bërë një prioritet strategjik kombëtar dhe një faktor kyç për përmirësimin e cilësisë dhe konkurrueshmërisë globale të arsimit të lartë. Por a është kuadri ligjor dhe institucional i vendit i përshtatshëm për të mbështetur këtë ambicie?

Lehtësitë ligjore që janë bërë realitet: Vendi ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për t’u përputhur me standardet e BE-së përmes miratimit të Ligjit 79/2021 “Për të Huajt”, i cili është pjesërisht i harmonizuar me Direktivën EU 2016/801 (në vijim Direktiva). Direktiva është miratuar për të harmonizuar kushtet e pranimit dhe qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta për qëllime kërkimore, studimi, trajnimi dhe të ngjashme. Synimi është të përmirësojë procedurat për studentët dhe studiuesit ndërkombëtarë që dëshirojnë të studiojnë në BE, duke ofruar mundësi më të mira për lëvizshmëri, të drejta pune dhe qëndrimi pas përfundimit të studimeve. Ligji për të huajt përmban dispozita të posaçme për vizat, lejet e qëndrimit dhe punësimin e studentëve të huaj etj..

Një ndryshim i rëndësishëm është bërë me Urdhrin e Përbashkët 112/2024, i cili ka pasur një ndikim shumë pozitiv, duke e ulur garancinë financiare nga 18,000 në 3,000 euro, duke e bërë Shqipërinë më të aksesueshme dhe konkurruese, ku specifikisht parashikohet se: “Përjashtimisht, shuma e garancisë financiare të kërkuar për studentët e huaj të pranuar në universitetet publike ose private në Republikën e Shqipërisë duhet të jetë jo më pak se 300,000 lekë”. Një parashikim tjetër me ndikim shumë pozitiv është që në dokumentacionin shtesë për vizë për motive studimi (student dhe nxënës), dëshmia financiare, që vërteton mbulimin e shpenzimeve të jetesës dhe të shkollimit është në një bankë në vendin e origjinës. Me ndryshimet e reja kemi dispozita të posaçme, që detyrojnë institucionet e arsimit të ndajnë të dhëna me autoritetet vendore për kufirin dhe migracionin lidhur me frekuentimin e procesit mësimor të studentëve të huaj të pranuar për të ndjekur programet e studimit, si dhe të reagojnë menjëherë në rastet kur marrin dijeni mbi informacione që mund të sjellin si pasojë anulimin e vizës.

Këto reforma ligjore synojnë jo vetëm të tërheqin studentë ndërkombëtarë, por edhe t’i integrojnë ata në tregun e punës, të ruajnë talentet e kualifikuara dhe të kontribuojnë në zhvillimin kombëtar. Kuadri ligjor shqiptar ka përshtatur nenin 25 të Direktivës, i cili lejon studentët e huaj të qëndrojnë në vend për të paktën 9 muaj pas diplomimit për të kërkuar punë ose për të nisur një biznes, nëse kanë një kualifikim që nuk e tejkalon nivelin 7 të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve. Në kuadër të ligjit për të huajt, studentët e huaj mund të marrin leje qëndrimi për qëllime studimi, fillimisht e vlefshme për një vit dhe e rinovueshme gjatë gjithë kohës që ndjekin programin e studimit. Pas përfundimit të vitit të parë, studentët lejohen të punojnë me orar të pjesshëm (deri në 15 orë në javë) pa pasur nevojë për miratim paraprak nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Megjithëse është bërë përparim, harmonizimi me standardet në zhvillim të BE-së mbetet ende një proces në vazhdim, me një draft të rishikuar ligji për të huajt që aktualisht është në përgatitje.

Sfidat që vazhdojnë të mbeten: Me gjithë përparimin e bërë, kuadri ligjor shqiptar mbetet i fragmentuar dhe zbatimi i tij shpesh jo i njëtrajtshëm. Ndër sfidat kryesore përmendet kufizimi i të drejtës për të punuar gjatë vitit të parë të studimeve si dhe kufiri i ulët, vetëm 15 orë në javë, që nuk është në harmoni me standardet e BE-së. Ndërsa Direktiva siguron garanci procedurale si marrja në kohë e vendimeve për aplikim dhe refuzime të arsyetuara, në legjislacionin shqiptar mungojnë procedura të detajuara për refuzimin e vizave dhe lejeve të qëndrimit për studentët, si dhe mekanizma të qartë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe autoriteteve të migracionit. Ngarkesat administrative dhe kërkesat e paqarta burokratike shpesh dekurajojnë studentët e huaj të interesuar. Shqipëria regjistron vetëm 1,872 studentë të huaj, një shifër ndjeshëm më e ulët se fqinjët e saj si Maqedonia e Veriut (4,707) apo Serbia (11,247).

Shumica e tyre ndjekin studimet në ciklin e dytë, ndërsa mungon një lidhje strategjike ndërmjet programeve të studimit dhe nevojave të tregut të punës, veçanërisht në sektorë si shëndetësia, teknologjia dhe shkencat natyrore. Ndërsa disa vende anëtare të OECD e lidhin strategjikisht regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë me nevojat e tregut të punës, Shqipërisë i mungon një qasje e tillë e strukturuar. Përkundrazi, vende si Bullgaria dhe Rumania tërheqin mbi 40% të studentëve ndërkombëtarë në programet e studimit të lidhura me fushën e shëndetësisë. Tërheqja e studentëve të huaj duhet të trajtohet në dy dimensione kryesore: konkurrueshmëria ndërkombëtare e programeve të studimit dhe konteksti ligjorinstitucional. Aktualisht, Shqipëria ofron 139 programe studimi në gjuhë të huaja, përfshirë diploma të përbashkëta dhe të dyfishta, kryesisht në nivelin Bachelor dhe Master.

Edhe pse kjo reflekton një angazhim për zgjerimin e ofertave ndërkombëtare, duhet një fokus më i madh në cilësinë akademike, lidhjen dhe partneritetet me universitetet e huaja. Krijimi i programeve të përbashkëta me institucione të huaja të arsimit të lartë dhe ofrimi i tyre në gjuhë të përdorura gjerësisht, si anglishtja, do të rrisë tërheqjen e Shqipërisë dhe do të ndihmojë në mbajtjen e studentëve brenda vendit. Një aset tjetër i pakapitalizuar është diaspora akademike shqiptare, e cila mbetet aktive në kërkimin shkencor dhe arsimin e lartë jashtë vendit. Reforma strukturore, veçanërisht ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë mund të lehtësojnë përfshirjen e akademikëve nga diaspora, duke u mundësuar të kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe në distancë.

Modele dhe praktika ndërkombëtare: Në BE, mobiliteti i studentëve ndërkombëtarë po shihet gjithnjë e më shumë si një zgjidhje ndaj rënies demografike dhe mungesave në fuqinë punëtore. Shtetet anëtare të BE-së, të mbështetura nga Direktiva, fokusohen në standarde ligjore të harmonizuara për të tërhequr studentë të huaj dhe mbajtjen e tyre me qëllim punësimin pas diplomimit. Kjo përfshin procese të thjeshtuara për vizat, akses më të mirë në tregun e punës dhe qëndrime të zgjatura pas përfundimit të studimeve. Vendet e OECD-së kanë zbatuar një sërë iniciativash për të tërhequr studentë të huaj dhe për ti mbajtur ata pas përfundimit të studimeve.

Për shembull, në Suedi studentët ndërkombëtarë kanë të drejtë të shoqërohen nga anëtarët e familjes së tyre të afërt, si dhe mund të punojnë në çdo lloj pune për një numër të pakufizuar orësh në javë. Praktikat më të mira përfshijnë gjithashtu të drejta pune të pakufizuara ose më fleksibël, kohë më të shpejta për përpunimin e dokumenteve dhe rrugë të lehtësuara për rezidencë të përhershme ose shtetësi. Për shembull, në Francë lidhur me shtetësinë, vitet e qëndrimit si student merren parasysh dhe mund të zvogëlojnë numrin e viteve të kërkuara për të paraqitur një aplikim për shtetësi. Kjo tendencë e politikave reflekton një ndryshim nga trajtimi i studentëve kryesisht si burim të ardhurash drejt njohjes së tyre si kapital të vlefshëm njerëzor afatgjatë. Estonia shërben si një shembull i dukshëm i një vendi që ofron të drejta të plota dhe masa mbështetëse për studentët ndërkombëtarë, duke siguruar kushte të favorshme për integrimin e tyre akademik, social dhe profesional.

Për të inkurajuar studentët dhe studiuesit e huaj të qëndrojnë në Estoni, janë bërë disa ndryshime në legjislacion për të thjeshtuar procesin e aplikimit për vizë dhe leje qëndrimi, për të lehtësuar ardhjen e anëtarëve të familjes dhe për të mundësuar hyrjen në tregun e punës. Estonia ka vendosur një kuotë migracioni që kufizon numrin e punëtorëve të huaj që vijnë në Estoni. Megjithatë, të huajt që kanë ardhur për të studiuar dhe që duan të qëndrojnë për të punuar, janë të përjashtuar nga kjo kuotë. Vende si Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar janë shembuj të këtyre ndryshimeve me politika gjithëpërfshirëse të vizave dhe punësimit, që synojnë mbajtjen dhe integrimin e studentëve në ekonominë e njohurive.

Rreziqet dhe çështja e integritetit: Gjithashtu, shqetësimet për keqpërdorimin e vizave studentore si kanal migrimi kanë çuar në rritjen e kontrolleve dhe një normë të lartë refuzimesh vizash. Në vitet 2023 dhe 2024, autoritetet shqiptare regjistruan 43 raste studentësh nga vende si Egjipti, Siria, India dhe Nepali që u larguan në mënyrë të parregullt nga Shqipëria, duke ngritur alarme për integritetin e sistemit. Kjo ka ndikuar negativisht në perceptimin e Shqipërisë si destinacion dhe ka rezultuar në kontrolle më të rrepta, që mund të pengojnë studentët e ligjshëm. Për të adresuar këto sfida, Shqipëria duhet të thjeshtojë procedurat e vizave dhe lejeve të qëndrimit, të investojë në cilësinë dhe dukshmërinë e programeve ndërkombëtare të studimit dhe të promovojë partneritete strategjike, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet IAL-ve dhe autoriteteve të kontrollit dhe emigracionit. Një qasje e balancuar që ruan interesat kombëtare, ndërkohë që lehtëson lëvizshmërinë akademike, është thelbësore për të pozicionuar Shqipërinë si një qendër e besueshme dhe tërheqëse e arsimit të lartë në rajon e më tej. Çfarë mund të bëjmë? Për t’u pozicionuar si një vend mikpritës dhe konkurrues në arsimin e lartë, Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa konkretë.

Krijimi i një Strategjie për Ndërkombëtarizimin e Arsimit të Lartë, që të përfshijë objektiva të qarta, mekanizma zbatimi dhe përgjegjësi institucionale. Kjo ka rëndësi të veçantë për shkak të rënies së numrit të studentëve vendas, përfitimeve nga një ambient akademik i larmishëm dhe vlerës së gjerë socio-ekonomike që sjellin studentët ndërkombëtarë. Ndryshe nga shumë vende evropiane dhe anëtare të OECD-së që kanë miratuar strategji të plota ndërkombëtarizimi, Shqipëria ende nuk ka një kuadër politik të dedikuar në këtë fushë. Kjo Strategji do të ofrojë udhëzime të rëndësishme për institucionet e arsimit të lartë, do të nxisë reforma institucionale dhe do të përmirësojë dukshmërinë globale. Mungesa e një strategjie të plotë për ndërkombëtarizimin kufizon planifikimin e koordinuar të politikave dhe veprimet institucionale. Në mbështetje të kësaj strategjie të ndërkombëtarizimit, Shqipëria duhet të planifikojë hartimin e një Vendimi të posaçëm të Këshillit të Ministrave që përcakton kriteret, dokumentacionin dhe procedurat për hyrjen dhe qëndrimin e studentëve të huaj.

Gjithashtu, procedurat e vizave duhet të reformohen për të adresuar normat e larta të refuzimeve, shpesh për shkak të mungesës së bashkëpunimit efektiv midis autoriteteve të migracionit dhe institucioneve të arsimit të lartë. Propozohet institucionalizimi i mekanizmave të bashkëpunimit, duke caktuar përgjegjësi të qarta për institucionet (psh., raportimi i progresit akademik dhe statusit të studentëve) për të siguruar mbikëqyrje adekuate, e cila u reflektua në ndryshimet e fundit dhe do të gjejë zbatim konkret në praktikë. Reforma të tjera duhet të përfshijnë të drejtat për ribashkim familjar për studentët e huaj, së bashku me politika mbështetëse për bashkëshortët dhe fëmijët, si qasja në punë, në arsim dhe programe të integrimit social. Këto masa do të përforcojnë konkurrueshmërinë e Shqipërisë dhe objektivat afatgjata demografike dhe ekonomike. Vendi ynë duhet gjithashtu të rishikojë politikat kufizuese për punësimin e studentëve. Liberalizimi i të drejtës për punësim që nga viti i parë i studimeve dhe rritja e kufirit të orëve të punës deri në 20 orë në javë.

Liberalizimi i këtyre rregullave do të ndihmojë integrimin dhe pjesëmarrjen ekonomike të studentëve. Përfshirja e diasporës akademike shqiptare, përmes strukturave fleksibël që lejojnë kontributin në distancë në mësimdhënie, kërkim dhe bashkëpunim institucional. Zbatimi i këtyre masave do të mbështesë ambiciet e Shqipërisë për t’u bërë një destinacion konkurrues dhe mikpritës për studentët ndërkombëtarë, me përfitime afatgjata për arsimin e lartë, tregun e punës dhe ekonominë kombëtare. Tërheqja dhe mbajtja e studentëve ndërkombëtarë nuk është thjesht një çështje politike ose administrative, por është një strategji zhvillimi. Në një kohë kur vendet e OECD-së dhe BE-së po e lidhin politikën e arsimit me nevojat e tregut të punës dhe sfidat demografike, Shqipëria duhet të ndërtojë një sistem funksional, të drejtë dhe të hapur.

*Drejtues i NJBSC i Universitetit “Luarasi”, fjala e mbajtur më 25.06.2025, në Forumin e organizuar nga Liga e Universiteteve “Gjon Durrahium”

© Panorama.al

Te lidhura