“Lironi çunat!”- Protesta e 33-të, mijëra qytetarë marshojnë drejt Komisariatit Nr.3! Vargu kilometrik “pushton” Mine Pezën: Policia e krimit!

Jul 2, 2026 | 22:35

Ashtu siç është kthyer në traditë prej më shumë se një muaji, mijëra qytetarë kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës pas protestës së zhvilluar për disa orë para Kryeministrisë, ku u kërkua si çdo ditë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Pas përfundimit të tubimit, vargu i protestuesve është drejtuar drejt Komisariatit Nr. 3, ku prej paradites mbahen mbi 10 qytetarë të shoqëruar pas protestës së sotme para Kuvendit, e cila u shoqërua edhe me përplasje fizike me policinë.

Fillimisht, turma është zhvendosur drejt qendrës së Tiranës, më pas në zonën e njohur të “9-Katësheve”, për të vijuar më tej në drejtim të rrugës “Mine Peza”, ku ndodhet Komisariati Nr. 3, ku mbahen disa protestues.

Screenshot 2026-07-02 222615

Gjatë marshimit në rrugët e kryeqytetit janë dëgjuar thirrjet “Lironi çunat” dhe “Polici e krimit”, ndërsa qytetarët kanë vijuar lëvizjen në drejtim të komisariatit.

Protestuesit nuk kanë lënë pa artikuluar as kërkesën kryesore të protestës 33-ditore, dorëheqjen e kryeministrit, duke thirrur “Rama jep dorëheqjen” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”. Po ashtu janë dëgjuar edhe thirrje të forta kundër klasës politike “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

Protesta e sotme vjen pas tensioneve të raportuara më herët para Parlamentit, ku pati përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit, si dhe përdorim të gazit lotsjellës dhe spraj piperi nga policia.

Screenshot 2026-07-02 221736 Screenshot 2026-07-02 221648

Screenshot 2026-07-02 223505

© Panorama.al

Te lidhura