Vrasja e dy vëllezërve Bilali ne Shkoder, mendohet se është kryer për ndonjë hakmarrje të mundshme dhe është vazhdë e ngjarjeve të tjera të ndodhura më përpara në Shkodër.

Historia nis në janarin e vitit 2018, kur një sasi e konsiderueshme me tritol shpërthen në atentatin ndaj të fortit të Shkodrës Lulzim Kulla në lagjen “Rus” në Shkodër. Lul Kulla i shpëton vdekjes dhe mbetet vetëm i plagosur, ndërsa bashkë me të plagosen edhe disa shtetas të tjerë të rastësishëm aty.
Në 18 qershor vritet në servisin e tij, teksa po riparonte brava makinash, shtetasi Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende ajo ngjarje është pa autor ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend.
Në 15 korrik të vitit të kaluar, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohet çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe një fëmijë 3 vjeç që i shpëtoi mrekullisht plumbave.
Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin “Bajri”, që aktualisht janë të arrestuar. Më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, pjesëtar i familjes Lici, vëllai i të fortit Sokol Lici dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës Mustaf Lici. Pas vrasjes së Fatbardh Licit, makina e autori gjendet e djegur në afërsi të By Pass-it.
Në 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, dhe ende sot nuk janë gjetur. Këta dy shtetas dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici ndërsa mendohet se pasi janë zhdukur, janë vrarë.
Pa kaluar shumë ditë vjen vrasja e Arjan Ferracakut, i cili u qëllua teksa ndodhej me kalin e tij në zonën e Livadheve, më 1 shtator të vitit të kaluar.
Arjan Ferracaku, pak minuta para se të vritej, kishte komunikuar me Astrit Bilalin dhe ky i fundit e kishte thirrur që të dalë me kalë pasi Astriti do shoqëronte disa turistë nga Kosova në Liqenin e Shkodrës.
Më 14 nëntor vritet Fatos Ferracaku, kushëriri i Arjan Ferracakut. Fatos Ferracaku u vra në mes të ditës, teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”.
PANORAMA
© Panorama.al











