
Situata e tensionuar në Veri të Kosovës ka tërhequr vëmendjen e fuqive ndërkombëtare, të cilat kanë vendosur të organizojnë një takim për t’i dhënë drejtim këtij problemi, që po lë pezull çdo lloj ecje përpara në zgjidhjen e konfliktit shumëvjeçar mes Serbisë dhe Kosovës. Së shpejti do të sqarohet nëse situata në Kosovë do të ketë lidhje me qëndrimin e tyre ndaj Serbisë dhe aspiratave të këtij shteti për të qenë pjesë e Unionit Europian.
Sipas burimeve ndërkombëtare për “Express”, vendet e fuqishme e kanë toleruar Serbinë prej 11 vitesh tashmë, dhe së shpejti ata do të mbledhin përfaqësuesit e tyre në një kryeqytet europian, për të diskutuar mbi situatën në Veri dhe strukturat paralele. Durimit duket se i ka ardhur fundit dhe ky mesazh ishte i qartë edhe në atë çka përcolli Kancelaria gjermane, Anxhela Merkel, në vizitën e saj në Beograd. Ajo i tha Presidentit serb, Boris Tadiç, se duhet t’i largojë strukturat serbe nga Kosova. “Besoj se tani jemi në një fazë kritike, çështja e kandidaturës së Serbisë për BE është e lidhur me raportet ndaj vendeve fqinje”, ka thënë Merkel pas takimit me Tadiçin, më 23 gusht të këtij viti. “Nëse Serbia do të arrijë statusin e kandidatit, ajo duhet të rifillojë bisedimet me Kosovën dhe të arrijë rezultate në atë dialog, t’i mundësojë EULEX-it që të punojë në të gjitha rajonet e Kosovës dhe t’i heqë strukturat paralele dhe të mos krijojë të reja”, ishte shprehur Kancelarja gjermane, Merkel. Por mesazhi edhe pse gjatë vizitës së Merkelit nuk u komentua nga zyrtarët serbë, politika e tyre vazhdoi me të njëjtin kurs. Ata jo vetëm po mbajnë strukturat paralele në Veri të Kosovës, por janë organizuar edhe më shumë se kaq, me barrikada dhe kërcënime. Jo më larg se dje, ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, u takua në Zveçan me krerët e strukturave paralele të Veriut, duke kërkuar prej tyre që të rezistojnë në barrikada. “Vetëm duke qenë të pranishëm pranë barrikadave në numër sa më të madh, do të bindim bashkësinë ndërkombëtare për seriozitetin e kërkesave, si dhe për vendosmërinë e synimeve tona”, ka thënë ai, sipas Express. Bogdanoviç nuk ka dashur të komentojë për mediat, përveçse duke thënë se takimi ka qenë konstruktiv dhe se ditët në vijim do të dihen detajet e tij. As krerët paralelë të komunave serbe në Veri nuk u lejuan të komentojnë për gazetarët mbi takimin, në pritje të zhvillimeve të ardhshme ndërkombëtare në lidhej me Serbinë dhe statusin e saj në BE, si dhe përgjigjen që do t’i japë Prishtina kërkesave që do t’u përcjellë sot Robert Kuper, pas vizitës që kreu në Beograd.
Kuper në Kosovë
I dërguari i BE-së për ndërmjetësim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Robert Kuper, viziton sot Prishtinën. Pas takimeve jo shumë inkurajuese me palën serbe në Beograd, Kuper pritet të bisedojë edhe me shefen e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, në lidhje me vazhdimin e dialogut. Takimi i radhës ishte parashikuar për datën 14 tetor, por nuk dihet nëse ai do të zhvillohet, për shkak të kushteve të palës serbe, të papranueshme nga Prishtina, që temë diskutimi të jenë edhe pikat doganore 1, 31 dhe Veriu i Kosovës.











