
Serbët në Veri të Kosovës kanë përforcuar edhe më shumë barrikadat e tyre, jo vetëm në pikat kufitare, por tashmë duke vendosur “kufirin e dëshiruar me Kosovën”, në mes të lumit Ibër. Ata kanë ndarë me beton pjesën me shumicë serbe dhe atë me shumicë shqiptare të Mitrovicës, duke deklaruar kështu një formë “lufte të hapur” me ata që nuk i pranojnë strukturat e tyre paralele si legjitime. Dhe këtu përfshihen gjithashtu misionet ndërkombëtare KFOR dhe EULEX. Barrikada e betonit u vendos menjëherë pas përfundimit të një ndeshjeje volejbolli nga ekstremistët serbë. Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti. Disa serbë bëjnë roje te barrikada kryesore mbi lumin Ibër, me të tjerë që luajnë edhe futboll pranë saj. Barrikadat e vendosura në pjesë të tjera të Veriut vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët, që çojnë në pikat kufitare veriore 1 e 31, kurse bartja e doganierëve të Kosovës për në Bërnjak dhe Jarinjë vazhdon të bëhet nga ajri. Ndërkohë, kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan, Ileana Ros-Lehtinen, tha dje për “Kosovapress” se së shpejti në Kongresin amerikan do të mbahet një seancë, ku ajo do të informojë kongresistët lidhur me zhvillimet në Veri, ku serbët e rebeluar kanë vënë barrikada në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së pushtetit të Prishtinës zyrtare në këtë pjesë të vendit. “Vetëm dua ta bëj të qartë se në Kosovë nuk do të ketë ndryshim të kufijve dhe, me sa duket, Departamenti ynë i Shtetit nuk e ka ngritur shumë zërin në këtë çështje”, tha kongresistja amerikane.











