Serbët e Veriut të Kosovës me kërkesa ekstreme

Oct 20, 2011 | 12:15
KFOR në Veri të Kosovës

Në një lëvizje surprizë, serbët në Veriun e Kosovës, pikërisht kur durimi i KFOR-it për heqjen e barrikadave përfundoi, kanë çuar në ekstrem kërkesat e tyre, të cilat i vënë kyçin përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar par arritjen e një kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë, me anë të dialogut diplomatik. Ata kanë fajësuar për situatën e tyre KFOR-in, EULEX-in dhe qeverinë e Serbisë dhe kanë kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve Prishtinë-Beograd. Serbët nuk pranuan të heqin barrikadat, por do të lejojnë vetëm lëvizjen e KFOR-it me kushte, sa për t’u furnizuar. Barrikadat e minoritetit serb në Veri të Kosovës, rreth 16, janë ngritur prej më shumë se një muaji. Katër drejtuesit e strukturave paralele të komunave serbe në Veri të Kosovës, pas mbledhjes së përfaqësuesve të tyre dolën me kërkesa maksimale, me të cilat jo vetëm që sfidojnë BE-në dhe KFOR-in, por edhe Serbinë. Ajo që duan të arrijnë komuna serbët e Veriut është: ndërprerja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të nxitur e negociuar nga BE. Madje, as rezultatet e vogla të negociatave të arritura deri më tani nuk duhen zbatuar. Ata kërkojnë që misioni për ligj e drejtësi, EULEX, të largohet. Dhe sa për KFOR-in, “serbët ndoshta do të lejojnë që KFOR-i të punojë i lirë, por vetëm nëse ata nuk do të marrin pjesë në transportimin e doganierëve kosovarë dhe policisë”. Sipas agjencisë gjermane DPA, kjo kërkesë do të thotë që “KFOR të kontrollohet nga serbët”. Për më tepër, Serbisë i kërkohet që të stacionojë ushtri dhe policë në Veriun e Kosovës.

© Panorama.al

Te lidhura