Senati italian ka aprovuar dje një ligj të ri buxheti, duke i hapur rrugën miratimit përfundimtar të paketës së reformave në Dhomën e Ulët, sot dhe formimit të një qeverie emergjence që do të zëvendësojë Kryeministrin Silvio Berluskoni. Reformat dhe masat e kursimit kanë si synim evitimin e një krize si ajo e Greqisë, drejt së cilës Italia ishte drejtuar me shpejtësi gjatë ditëve të fundit. Masat e reja synojnë të rigjallërojnë ekonominë dhe të kontrollojnë borxhin e madh publik, pas kërkesave të partnerëve europianë për veprim urgjent që të sigurojnë sërish garanci në tregje për financat e Italisë. Prospekti i një qeverie tranzicioni i drejtuar nga një ekonomist i respektuar në arenën ndërkombëtare, Mario Monti, i ka qetësuar tregjet. Bursat në Milano kanë pësuar rritje me 4 pikë. Presidenti i Këshillit të Europës, Herman von Rompuj, tha dje se Italia ka nevojë të zbatojë masa urgjente ekonomike, jo të shkojë në votime. Senati e nisi debatin mbi ligjin për buxhetin të premten, pas miratimit të tij në Komitetin e Senatit, të enjten në mbrëmje. Monti u prit me duartrokitje kur ai zuri vend në Senat pas emërimit Senator i përjetshëm nga Presidenti Xhorxho Napolitano. Dhoma e Ulët e Parlamentit italian do të diskutojë sot për ligjin e buxhetit, i cili pritet të jetë një stabilizues i ekonomisë së vendit. Pas miratimit edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, Dhoma e Ulët e Parlamentit italian, pritet dorëheqja e Berluskonit.
Rehn e Barroso
Ndërsa tregjet kanë reaguar pozitivisht nga ndryshimet e qeverive në Greqi dhe së shpejti në Itali liderët më të lartë të BE-ë kanë paralajmëruar për recesion të ri. Komisioneri i Monedhës dhe Ekonomisë në BE-së, Olli Rehn, tha se ka rrezik recesioni në Europë. Ndërkohë, presidenti i KE, Hose Manuel Barroso, përpiqet që me një fjalim në Berlin të pengojë një ndarje të Europës. “Ju lutem mos e vrisni atë që sjell lajmin e keq! Unë e pres me gëzim ditën kur mund të sjellë sërish lajme të mira, por për momentin, parashikimet për ekonominë europiane për fat të keq janë të errëta. Ekziston rreziku i një recesioni të ri, po të mos veprojmë me vendosmëri”, tha Rehn.











