
VLORE- Policia e Vlorës arrestoi dje pesë persona, pasi iu sekuestrua një sasi prej 33.5 kg lëndësh narkotike. Burime të Policisë bënë të ditur se operacioni i koduar “Mëngjesi” u organizua nga sektori i antidrogës, pasi ata kishin përdorur dhe metodat speciale duke i mbajtur të dyshuarit në survejim prej një muaji. Operacioni u krye në orët e para të mëngjesit, në vendin e quajtur “Ura e Drashovicës”. Blutë ushtruan kontroll në tri automjete të dyshuara, nga ku zbuluan edhe sasinë e mësipërme të lëndës narkotike kanabis sativa. Pas sekuestrimit të lëndës, policia e Vlorës arrestoi edhe transportuesit e saj, të cilët janë shtetasit Selman Bitaj, 33 vjeç, Ardian Braka, 41 vjeç, Agim Shoraj, 55 vjeç, që të tre banues në lagjen “24 Maji” në Vlorë, si dhe Salushe Hoxha, 25 vjeçe, banuese në lagjen “Pavarësia” dhe Musa Bedinaj, 39 vjeç, banues në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë. Veç lëndës narkotike, policia sekuestroi edhe një shumë të hollash prej 4800 eurosh dhe 192 mijë lekë. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 8 aparate celulare, si dhe tri automjete, të cilat po përdoreshin për transportimin e lëndës narkotike. Sipas Policisë, lënda narkotike është siguruar në fshatrat e lumit të Vlorës, në komunën Kote dhe do të shërbente për t’u shpërndarë në qytetin e Vlorës, kryesisht për përdorues nxënës shkollash e studentë. Të 5 personat a arrestuar u akuzuan për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se personat mbaheshin nën vëzhgim prej një muaji, pasi në strukturat e antidrogës kishin siguruar të dhëna operative më parë për veprimtarinë e tyre. q.b
Bllokohen në Gjirokastër 18 kg kanabis
Policia kufitare sekuestroi mbrëmjen e së shtunës 18 kg kanabis, në tentativë për ta kaluar në Greqi. Operacioni u zhvillua në dalje të fshatit Vrisera, 1.5 km larg kufirit. Pasi kanë ndaluar mjetin, pasagjeri Vilson Kalemaj ka tentuar të largohet, por policia ndërhyri duke e ndaluar atë. Në këtë moment, drejtuesi i mjetit tip “Renault Clio” me targa Tr 27 84 M, i ka dhënë gaz makinës duke u larguar. Ai është përplasur në një kanal nga shpejtësia, por megjithatë arriti të largohej në kohë. Policia e ka shpallur atë në kërkim.











