Sarandë, zbulohen 143 kg hashash, do të trafikohej në Greqi

Oct 17, 2011 | 9:33

SARANDE- Policia e Sarandës zbuloi një rast të trafikimit të lëndëve narkotike drejt Greqisë. Pas informacioneve të grumbulluara në rrugë operative nga agjentët e Antidrogës së Komisariatit të Sarandës, u zhvillua një operacion në afërsi të brezit kufitar. Pas kontrolleve të shumta, policia ka gjetur të fshehur në disa shkurre, në vendin e quajtur “Kthesa e Xarrës”, midis fshatit Vrinë e Sarandës, dy çanta të zeza sportive, brenda të cilave ndodheshin 69 pako, me 68.5 kg lëndë narkotike e llojit “cannabis sattiva”. Policia ka nisur menjëherë hetimet dhe ka shoqëruar në Komisariat tre shtetas, banorë të zonës, të cilët mund të kenë dijeni mbi ngjarjen. Policia dyshon se lënda narkotike do të transportohej me skaf nga Kepi i Stillos për në Korfuz, por nuk përjashtohet mundësia e trafikimit të saj edhe me rrugë tokësore përmes grykës së Kataetos për në Igumenicë. Ndërkaq, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Policia Kufitare e Korfuzit zbuloi teksa pluskonin në det, rreth 75 kg hashash, që dyshohet se ishin transportuar me një skaf që vinte nga Shqipëria. Vendi ku u kap droga, “Alikon”, është zonë detare përballë Kepit të Stillos në Sarandë. Policia greke po vazhdon ende kërkimet me skaf dhe helikopter, për të zbuluar sasi të tjera që mund të jenë hedhur nga skafi. Dyshohet se mjeti lundrues është kthyer sërish në Sarandë, ndërsa lënda narkotike është hedhur në det si pasojë e ndonjë defekti. Gjatë muajve të fundit, policitë kufitare të dy vendeve kanë zbuluar sasi të konsiderueshme lënde narkotike me destinacion Greqinë.                            sh.d

© Panorama.al

Te lidhura