Salihi: Duhet ndeshja perfekte ndaj Francës

Oct 7, 2011 | 13:09
Hamdi Salihi

Hamdi Salihi do jetë sulmuesi i vetëm i deklaruar i Shqi-përisë në ndeshjen e sotme, por shkodrani përpiqet të evitojë presionin. Ai është i ndërgjegjshëm se sot fansat shqiptarë i kanë sytë tek ai, por do t’i duhet një mbështetje e madhe dhe shumë fat që të mund të shënojë kundër Francës.
Hamdi, kjo është një ndeshje nga ato kur ju duhet të bëni edhe Bogdanin…, a mund ta bëni dot këtë?
Nuk ma merr mendja se ka ndonjë lojtar që merr përsipër të bëjë i vetëm gjithçka. Sigurisht, është një ndeshje delikate, por jemi të detyruar të luftojmë deri në fund për të arritur diçka të mirë. Unë nuk mendoj se edhe po të ishte Bogdani, do të thoshte se i vetëm mund të bëjë diferencën. Bogdani është një mungesë shumë e rëndësishme, sepse ai krijon hapësira edhe për mua, por tani ne duhet t’iu përshtatemi rrethanave. Kjo është një ndeshje ku duhet të jemi në një ditë të mirë, por edhe të kemi shumë fat.
Do të jeni sulmuesi i vetëm në fushë, a jeni nën presion?
E di, njerëzit kërkojnë shumë nga unë, Cana, Duro, Dallku, sepse jemi lojtarët me më shumë eksperiencë, por kjo është tipike nga ato ndeshje kur i vetëm nuk mund të bësh asgjë. Sigurisht, ne do të përpiqemi të marrim më shumë përgjegjësi se të rinjtë, por duhet të jemi një grup i tërë. Sa i përket faktit se do të jem i vetëm në sulm, unë kam luajtur edhe ndeshje të tjera të kësaj natyre, por sigurisht jo ndeshje ku na duhet të mendojmë më shumë për mbrojtjen. Kam luajtur te Riedi i vetëm në sulm, por me raste edhe te Rapidi. Megjithatë, ka një diferencë të madhe, sepse në këtë ndeshje do të mendojmë më shumë për mbrojtjen, ndaj edhe jam i ndërgjegjshëm se do të kemi pak raste për të shënuar.
Në këtë gjendje që jemi a kemi shanse të marrim pikë në Francë dhe si mund të bëhet kjo?
Në futboll nuk ka asgjë të pamundur, por ne jemi të ndërgjegjshëm se për ta bërë këtë, pra për të marrë një rezultat pozitiv, duhet të krijohen kushtet. Duhet të jemi në një ditë të mirë. Duhet të jemi të qetë dhe të ftohtë, sidomos në startin e ndeshjes dhe më pas të kemi edhe shumë fat.
Te Rapidi gjërat nuk po ecin siç prisnit apo jo?
Eh, nuk ka qenë një periudhë fort e mirë siç do të doja, por as nuk mund të qahem.

Dallku: Gomisin do ta ndal unë
Mbrojtësi i Kombëtares, Armedn Dallku, ka konfirmuar se nuk ka asnjë problem dhe se do jetë në fushën e lojës ndaj Francës. “Jam mirë dhe mendoj se mund të luaj, por do të shohim deri nesër paradite. Në fillim u shqetësova shumë, por tashmë gjendja është përmirësuar”, ka pohuar Dallku. I pyetur për mungesën e Frank Riberisë, mbrojtësi kosovar i Kombëtares ka theksuar se nuk ka qenë ai pika e referimit të kësaj France. “Mungesa e tij është plus, por të mos harrojmë se në ndeshjen e parë nuk ishte Riberi pika e referimit të Francës. Kjo skuadër ka lojtarë individualisht të përkryer, ndaj nuk mendoj se do vuajmë më pak, meqenëse nuk do të jetë Riberi”, ka vazhduar Dallku. Në fund, mbrojtësi ka dhënë edhe një mendim për sulmin e “gjelave” ku do mungojë Benzema. “Do luaj Gomis dhe sigurisht që nuk është si Benzema, por kam përshtypjen se do të jetë më i uritur se Benzema dhe ky është një problem më vete. Në rast se do të kemi vështirësi, atëherë trajneri më ka thënë se mund të spostohem në qendër të mbrojtjes, por të shohim”, ka përfunduar Dallku.

Hyka: Ua bëj të vështirë francezëve
Është momenti i tij, dhe kjo është parë edhe në ndeshjet që ai ka zhvilluar në kampionatin zviceran me Luzernin. “Nuk kam luajtur shpesh si fantazist, por me Kombëtaren, me shumë gjasë, do të jem në këtë rol, pra, pas sulmuesit kryesor. Është një rol që më pëlqen shumë që ta bëj, sepse ka më shumë liri veprimi. Shpresoj t’ia dal mbanë. Lojtarët e Francës përgjithësisht janë shumë të gjatë dhe trupmëdhenj, ndaj do të përpiqem që t’i vë në vështirësi, sigurisht që pres ta kem shumë të vështirë”, ka thënë Hyka.

Kuzhe “qan” Bulkun: Na prishi punë
Ervin Bulku nuk do të luajë sonte ndaj Francës. Lajmi është konfirmuar nga vetë trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe. Mesfushori tiranas erdhi i dëmtuar që nga kampionati azerbajxhanas dhe nuk arriti që të rikuperohet në kohë për këtë ndeshje. “Bulku nuk ia del. Në vend të tij do të luajë Gilman Lika. Mund të them se mungesa e tij na prishi shumë punë, por do të përpiqemi të sajojmë diçka. Bulku nuk udhëtoi fare me ne, sepse ai i është nënshtruar një terapie intensive për të qenë gati kundër Rumanisë”, ka pohuar trajneri.

Lala ironizon me Dallkun
Këtë edicion Hanoveri i Lalës luan në Ligën e Europës, në fazën e grupeve, ndaj Vorskla Poltavës së Armend Dallkut. Ndeshja e parë në Ukraninë u fitua nga gjermanët dhe Lala luajti si titullar. Ndërsa dje nuk kanë munguar edhe batutat e tij ndaj Dallkut. “Kur të vish në Hanover ki kujdes çfarë ha mor i zi. Nejse, faleminderit për në Ukrainë, se na i “fale” pikët me lojën që bëre……(qesh)”. Sakaq Bakaj, në anën tjetër, nuk para përzihet, kjo edhe për faktin se ndihet i zhgënjyer për lënien jashtë formacionit, por nuk jep asnjë koment.

JETMIR HALILAJ

© Panorama.al

Te lidhura