Salianji nga selia e PD: Duhen revolta, jo Foltore para Kryeministrisë! Ja si i përgjigjet pyetjes për protesta të iniciuara nga ana e tij

Dec 13, 2025 | 14:25

Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, i cili ka nisur disa takime me bazën demokrate që janë parë si një lëvizje anti Berisha, theksoi se rruga e duhur janë revoltat dhe jo Foltoret para kryeministrisë.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, para se të merrte pjesë në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, Salianji u pyet edhe për mundësinë e protestave të iniciuara nga ana e tij.

“Është momenti që të fokusohemi te protestat  dhe revoltat, përballja me qeverinë dhe padiskutim të dëgjimi i çdo shqetësimi i qytetarëve. Si përfaqësues të PD, duhet të dëgjojmë çdo shqetësim të demokratëve. Nëse nuk jemi të aftë dhe të dëgjojmë dhe përkthejmë në energji të demokratëve do ta kemi shumë të vështirë, siç po e kemi, që të bëjmë protesta.

Mesa duket, siç e kam thënë që në mbledhjen e parë të kryesisë, që pas daljes nga qelia rruga e duhur janë revoltat dhe jo foltoret para kryeministrisë. I kam thënë në çdo mbledhje, dhe do t’i them. Kam qenë në protestë dhe i jam nënshtruar vendimmarrjes së partisë. Nëse është ky shqetësimi, do ta bëjmë edhe atë”, theksoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura