Edi Rama dhe Kanye West janë të njohur me fishkëllimat dhe reagimet armiqësore të publikut. Të dy për vite me radhë dinin ta tërhiqnin vëmendjen përmes provokimeve të qëllimshme.

Sipas Der Spiegel, të dyve, në një moment, duket se u doli situata jashtë kontrollit. Kundër mënyrës se si Rama po qeveris si kryeministër i Shqipërisë protestojnë tashmë dhjetëra mijëra njerëz në vend. Ata e akuzojnë atë se është i korruptuar, autoritar dhe i nënshtruar ndaj Trumpit. Edhe ylli amerikan i repit West, i njohur për një periudhë si Ye, nuk ka një situatë shumë të ndryshme. Ai është bërë në shumë vende një persona non grata.
Miliona euro për një arenë të përkohshme
Tani rrugët e të dy burrave kryqëzohen. Të shtunën e ardhshme, West pritet të mbajë një koncert në periferi të kryeqytetit shqiptar, Tiranës, ndërsa qeveria e Ramës dëshiron të vërë në dispozicion më shumë se katër milionë euro për këtë ngjarje. Mes të tjerash, këto para do të përdoren për ndërtimin e një arene të përkohshme. Pavarësisht presionit të brendshëm politik, autoritetet deri tani i qëndrojnë këtij plani.
Sipas Ramës, qeveria e tij e ka vënë në dispozicion këtë shumë vetëm “në minutën e fundit”, për të mos e vënë Shqipërinë “në pozitë të vështirë” përballë pothuajse 25 mijë vizitorëve të huaj që kishin blerë tashmë bileta. Këtë ai e shkroi në faqen e tij në Facebook. Sipas tij, shumë prej vizitorëve kishin frikë se koncerti do të anulohej. Gjithashtu, ai tha se priten vizitorë nga 80 vende të botës, të cilët do të udhëtojnë drejt Shqipërisë vetëm për koncertin e West.
Qeveria premton “të paktën” 100 milionë euro
Sipas Ramës, koncerti pritet të sjellë “të paktën” 100 milionë euro të ardhura për Shqipërinë. Ai tha se rezervimet për akomodim rreth koncertit janë rritur ndjeshëm.
Kryeministri është i mësuar me shuma të mëdha parash. Prej vitesh ai kërkon në arenën ndërkombëtare investime dhe mbështetje politike për shtetin dikur të izoluar në brigjet e Adriatikut. Por shumë nga protestuesit, kryesisht të rinj, e akuzojnë se po e shet vendin me çmim të lirë. Në qendër të konfliktit është një resort luksoz që dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, planifikon të ndërtojë në mes të një zone të mbrojtur natyrore.
Nëse ky projekt shumë miliardë dollarësh do të realizohet sipas planit, tashmë është bërë e pasigurt. Krahasuar me këtë projekt, arena e koncertit për West ka një avantazh vendimtar: ajo ndërtohet brenda një kohe të shkurtër dhe më pas çmontohet po aq shpejt.
© Panorama.al











