Ndalimi i tre deputetëve të VLEN në Qafë-Thanë, Drejtori i Policisë së Shtetit tregon si qëndron e vërteta: Ja pse nuk e kaluan kufirin drejt Shqipërisë

Jul 9, 2026 | 13:52

 

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita thotë se tre deputetët e VLEN në Maqedoninë e Veriut nuk kanë pasur asnjë pengesë për t’u futur në Shqipëri.

skender hita

Në një konferencë për gazetarët, Hita tregon se me ta ishte edhe një person tjetër, që për shkak të probleme që kishte nuk mund të lejohej të futej në territorin tonë.

Sipas Hitës, edhe tre deputetët kanë vendosur që të mos kalojnë kufirin drejt Shqipërisë, pasi nuk u lejua personi që shoqërohej me ta.

“Policia e shtetit dhe policia kufitare vepron në bazë të ligjit. Dje në pikën kufitare të Qafë Thanës janë paraqitur 4 shtetas me qëllim për të kaluar në kufi. Tre prej tyre që dispononin edhe pasaporta diplomatike u është bërë me dije që mund të vazhdonin udhëtimin, por një person i shoqëruar me ta, që kishte pengesa të ligjshme në kufi nuk ka mundur të udhëtojë drejt Shqipërisë. Në këtë kuadër edhe 3 personat nuk kanë pranuar të vazhdojnë udhëtimin dhe janë rikthyer për në Maqedoninë e Veriut. Prandaj nuk është rast i veçuar, kjo është puna e policisë”, tha Hita.

© Panorama.al

Te lidhura