Lufta në Ukrainë, Reuters: Putin po i hedh poshtë thirrjet për paqe nga Trump, mund të përshkallëzojë konfliktin nga muaji i ardhshëm

Jul 9, 2026 | 13:23

Presidenti rus, Vladimir Putin po hedh poshtë thirrjet për bisedime paqeje me Kievin, thanë për Reuters tre burime me lidhje me Kremlinin, ndërsa sulmet e fundit me dronë ukrainas ndaj rafinerive dhe porteve ruse përforcojnë vendosmërinë e tij për të vazhduar luftën për momentin.

putin

Dy nga burimet, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se Putini ka më shumë gjasa ta përshkallëzojë konfliktin, i cili tani është në vitin e tij të pestë. Njëri prej tyre, i cili ka takime të rregullta me presidentin rus, e quajti mundësinë e përshkallëzimit në muajt e ardhshëm “të lartë”.

Dje, presidenti amerikan kishte thënë se Putin dëshiron t’i japë fund luftës dhe se një zgjidhje për çështjen është “më afër nga sa e kuptojnë njerëzit”.

Donald Trump zhvilloi telefonata të ndara me Putinin dhe homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar. Ai u takua me Zelenskyn në samitin e NATO-s të mërkurën, ku presidenti ukrainas tha se ata diskutuan “ide për promovimin e paqes”.

Sipas njërit prej burimeve, Putini “këmbënguli fuqishëm” në arritjen e qëllimit kryesor të pushtimit të të gjithë Donbasit, ku përparimi i forcave ruse është ngadalësuar këtë vit. I njëjti person tha se Putini kohët e fundit qortoi një grup këshilltarësh që propozuan një kompromis bazuar në një armëpushim përgjatë vijave aktuale të frontit. Burimi i dytë tha se Putini beson se Rusia së shpejti do ta pushtojë Donbasin.

Presidenti rus hodhi poshtë publikisht në qershor një kërkesë nga Zelensky për një takim dhe armëpushim.

“Rusia është e gatshme për një zgjidhje paqësore, por ka kapacitet të mjaftueshëm për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe për të vazhduar operacionin special ushtarak”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke iu përgjigjur një kërkese për koment mbi këtë çështje.

© Panorama.al

Te lidhura