“Eurodeputetët mbështetën qëndrimet e opozitës” – Bardhi në PE: PS vendosi veton ndaj amendamenteve tona, i shërben interesave të ngushta partiake e personale

Jul 9, 2026 | 13:46

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar nga Strasburgu në lidhje me mosmiratimin e rezolutës për Shqipërinë nga Komiteti i Stabilizim-Asociimit në Parlamentin Europian.

bardhi pe

Bardhi përshëndeti mbështetjen që eurodeputetët dhanë me votë ndaj amendamenteve të tyre, duke theksuar se kjo përcjell mesazhin se Evropa nuk pranon ligje vetëm në letër dhe as një integrim fasadë të vendit.

“Miratimi i këtyre amendamenteve nga eurodeputetët përcjell një mesazh të qartë: Europa nuk pranon ligje vetëm në letër dhe as një integrim fasadë. Ajo kërkon shtet ligjor, konkurrencë të ndershme, mbrojtje të pronës, drejtësi të pavarur dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve.”, u shpreh Bardhi.

Ai akuzon socialistët se vendosën veton ndaj amendamenteve të tyre, duke vepruar në shërbim të interesave partike dhe jo të vendit dhe qytetarëve.

“Keqardhje për deputetët e PS-së, të cilët zgjodhën të vazhdojnë me të njëjtën qasje, duke vendosur veton për të penguar miratimin e këtyre amendamenteve dhe duke i shërbyer interesit të ngushtë partiak e personal, në vend të interesit të Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë.”, shton ai.

Reagimi i plotë:

Faleminderit eurodeputetëve që mbështetën me votën e tyre qëndrimet e opozitës në Komitetin e Stabilizim-Asociimit në Parlamentin Europian, të pasqyruara në 35 amendamente konkrete. Mbështetja e tyre është një dëshmi e qartë se integrimi europian nuk ndërtohet mbi propagandën, por mbi reforma të vërteta, rezultate konkrete dhe përgjegjësi institucionale.

Miratimi i këtyre amendamenteve nga eurodeputetët përcjell një mesazh të qartë: Europa nuk pranon ligje vetëm në letër dhe as një integrim fasadë. Ajo kërkon shtet ligjor, konkurrencë të ndershme, mbrojtje të pronës, drejtësi të pavarur dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve.

Keqardhje për deputetët e PS-së, të cilët zgjodhën të vazhdojnë me të njëjtën qasje, duke vendosur veton për të penguar miratimin e këtyre amendamenteve dhe duke i shërbyer interesit të ngushtë partiak e personal, në vend të interesit të Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë.

Shqipëria nuk ka nevojë për një sistem që punon për pakicën, por për një shtet që punon për shumicën. Integrimi europian nuk duhet të mbetet një slogan propagandistik, por të shndërrohet në mirëqenie, siguri dhe mundësi më të mira për çdo qytetar shqiptar.

© Panorama.al

Te lidhura