Sali Berisha zotohet para shqiptarëve: Zero tolerancë ndaj vjedhjes dhe shpërdorimit të parave të tyre! Bandat dhe ministrat hajdutë do të vendosen para ligjit

Apr 11, 2025 | 21:00

Gjatë fjalës së tij në çeljen e fushatës elektorale për 11 majin, Berisha sfidoi Edi Ramën se do përmbys narko-qeverinë ashtu siç përmbysi me shqiptarët regjimin në 1992.

berisha

Berisha tha se do dyfishohen rrogat dhe pensionet dhe do vendoset minimumi jetik 200 euro. Më tej theksoi se organizatat kriminale do vihen para ligjit kudo ku janë, së bashkui me ministra hajdutë dhe kriminelë që i mbështesin ato. Berisha shtoi se qeverisja e tij pas 11 majit do i bëjë një audit narko regjimit dhe do i kthejë shqiptarëve paratë e vjedhura.

Berisha: Dua së bashku me ta ashtu siç përmbysëm diktaturën e baballarëve të tu, siç vendosëm tregun dhe demokracinë, ashtu siç anëtarësuam Shqipërinë në NATO. Të ndërtojmë tani Shqipërinë Madhështore, Shqipërinë më të bukur që kanë patur shqiptarët në historinë e tyre. Këtë projekt do e nisim, jo me patronazhistët, jo me ministrat tënd që vjedhin në mënyrë të pamëshirshme. Por me ata që numërojnë kafshatën, që qajnë me lot mjerimin. Me ata 750 mijë burra që i ke katandisur si askush tjetër. Do vendosim minimumin jetik 200 euro për çdo pensionistë, çdo studentë, për çdo të papunë. Jemi partia e rritjes së e rrogave dhe pensioneve, ne do i rrisim dhe dyfishojmë ato. Vetëm në këtë mënyrë rikthejmë familjeve shqiptare që janë të shenjta, dinjitetin, shpresën, besimin tek vetja, familja dhe Shqipëria.

Shqipëria e punës, e njerëzve të paguar, e njerëzve që prodhojnë, e njerëzve të suksesit. Ndaj dhe unë jam këtu për tu zotuar para shqiptarëve se qeveria do vendosë mbi ta, taksat më të ulëta që ekzistojnë në botë. Në mënyrë që ju me mundin dhe djersën tuaj të begatoheni, të pasuroheni. Nuk ka një vend të dytë të pasur si Shqipëria. Nuk ka 28 mijë km 2 me pasuri përrallore. Sot ato shfrytëzohen nga Edi Rama dhe oligarkët e tij. Nesër do kthehen në pasuri për ju dhe fëmijët tuaj për Shqipërinë Madhështore. Pastrimi i shtëpisë, Zoti e do Shqipërinë kur ne ta pastrojmë atë. Zoti vjen në shtëpi kur ne ta pastrojmë atë. Garantoj zero tolerancë ndaj korrupsionit do jetë moto jonë.

Njeriu i lirë, i punës nuk ka armik më të egër se korrupsioni i qeveritarëve të tij. Vret mundësinë e të rinjve. Mbjell krimin dhe pasigurinë. Zotohem para jush se zero tolerancë ndaj shpërdorimit të parave të tyre. Auditi i përgjithëm i narko shtetit do i kthejë shqiptarëve qindra miliona euro të vjedhura prej tyre. Zotohem se organizatat kriminale do vendosen para ligjit dhe bashkë me ta ministrat kriminelë.

© Panorama.al

Te lidhura