Saif al Islam do të dorëzohet në Hagë, “zbulohet” varri sekret i Gedafit

Oct 27, 2011 | 11:54
Moment në një prej videove të keqtrajtimit të Gedafit

Djali i preferuar i kolonel Gedafit, Saif al-Islam, u ofrua të dorëzohet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, në Hagë. Lajmin e dhanë zyrtarë të qeverisë libiane të tranzicionit. I njohur si playboy, i edukuar në Londër, 39-vjeçari është i fundit i luftëtarëve në familjen e Kolonelit. Said dhe ish-kreu i shërbimeve sekrete, Abdullah al-Senusi, po propozojnë të dorëzohen në Gjykatën Ndërkombëtare”, tha dje një zyrtar i lartë i Këshillit. “Ata po propozojnë një mënyrë për ta dorëzuar veten në Hagë. Saif kërkohet për krime lufte. Ka edhe një fletë-arrest për Senusin”, tha Abdel Majid Mlegta. Ata e kanë kërkuar këtë pasi nuk është e sigurt për ta të qëndrojnë në Libi, apo të shkojnë në Algjeri ose Niger. Ka zëra se vendimi i Saif dhe Senusit për të shkuar për gjykim në Hagë, mund të ketë ardhur pasi ata kanë parë pamjet e tmerrshme filmike të trajtimit të Muamar Gedafit në Libi, rrahjes dhe sadizmit ndaj tij përpara se të goditej me plumb në kokë. “Ata e ndiejnë se nuk janë të sigurt aty ku janë apo edhe po të shkojnë në një vend tjetër”, tha Miegta. Lajmi u publikua kur forcat speciale britanike kanë nisur kërkimin në shkretëtirë për Saifin. Ndërkohë, televizionet arabe pretendojnë se kanë gjetur vendvarrosjen e Muamar Gedafit, në shkretëtirë. Në disa prej tyre janë transmetuar pamje, ku tregoheshin gjurmë të një autokolone makinash, të cilat dyshohet se kanë transportuar trupin e Gedafit dhe të djalit të tij, të varrosur në fshehtësi në orët e para të ditës së martë.

“NATO të qëndrojë”
Lideri i përkohshëm i qeverisë së Tranzicionit, Mustafa Abdel Jalil, tha dje se NATO duhet të jetë e përfshirë me misione në Libi deri në fund të vitit, për të parandaluar që besnikët e Gedafit të largohen nga vendi.

© Panorama.al

Te lidhura