Sahatët e pakontrolluar, gjobë 30 milionë për CEZ

Oct 27, 2011 | 11:13

Kompania “CEZ Shpërndarje” është gjobitur nga Ministria e Ekonomisë me 30 milionë lekë për shkak të futjes së matësve në përdorim te klientët pa verifikimet paraprake që duhet të kryhen nga institucionet përkatëse. Në një njoftim të Ministrisë së Ekonomisë shpjegohet edhe arsyeja e kësaj mase ndaj kompanisë. “Vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë ka ardhur pas futjes së mjeteve matëse (sahatet) të paverifikuar përpara përdorimit dhe moszbatimit të ligjit për bashkëvulosjen e morseterisë së aparatit matës”, thuhet në këtë njoftim. Nga Drejtoria e Përgjithshme të Metrologjisë konfirmohet se janë zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të CEZ-it, por këta të fundit nuk kanë marrë asnjë masë, çka ka qenë dhe shkaku për penalizim.
CEZ
Menjëherë pas njoftimit për gjobën ka reaguar edhe kompania “CEZ Shpërndarje”, duke dhënë variantin e saj për situatën, ku shpjegohet se problematika e ka zanafillën nga amendamentet e miratuara në janar të këtij viti. Ato e detyrojnë CEZ Shpërndarjen të bëjë verifikimin e matësve të saj përmes një pale të tretë të licencuar nga DPM, kurse ERE-s i lind detyra të miratojë një kontratë tip që duhet firmosur mes CEZ Shpërndarjes dhe subjektit të licencuar. Por CEZ e konsideron kontratën e ERE-s si jo në përputhje me ligjin dhe të njëanshme, që ka kosto për kompaninë dhe për këtë arsye, çështja është ende në gjykatë. Gjithsesi, lidhur me problematikën e matësve, CEZ pranon se ka qenë në diskutime me Drejtorinë e Metrologjisë për të gjetur një zgjidhje. “CEZ Shpërndarje i ka kërkuar DPM-së që të nënshkruajë një marrëveshje të përkohshme deri në fund të vitit 2011, me qëllim që të fillojë puna e verifikimit të matësve derisa të zgjidhen çështjet e sipërpërmendura, por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga kjo e fundit”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Liberalizimi i tregut
Pak kohë më parë, Ministria e Ekonomisë deklaroi se është në proces të përfundimit të ligjit që do të sanksionojë liberalizimin e tregut të energjisë. Aktualisht në treg operojnë: KESH si gjenerues, CEZ si shpërndarës dhe OST si transmetues. CEZ, nga ana e saj, mbështeti liberalizimin, por me idenë që procesi të shtrihej në kohë.

Qeveria, “ok” për faturat si tituj ekzekutivë
Faturat e energjisë do të jenë titull ekzekutiv dhe pagesa e tyre duhet të kryhet pavarësisht kontestimeve që mund të ekzistojnë. Pas pagesës, qytetari mund të ndjekë rrugët që i lë ligji për të kërkuar të drejtën e tij. Janë këto ndryshimet që ka miratuar qeveria dje në mbledhjen e saj, të cilat do të sjellin ndryshime në sektorin e energjisë. Faturat si tituj nuk do të jenë vetëm mes kompanisë dhe qytetarëve, por edhe mes kompanive me njëra-tjetrën për blerjet, shitjet dhe shërbimet që kryhen nga të gjithë operatorët në tregun e energjisë elektrike, si: KESH sh.a., CEZ Shpërndarje, OST dhe operatorëve të tjerë. Miratimi i këtyre masave shihet si një mënyrë për të ndihmuar, sidomos kompaninë e shpërndarjes, të mbledhë të ardhurat nga faturat. Ministria e Ekonomisë më herët ka shpjeguar se trajtimi si titull ekzekutiv i faturës ka treguar se ajo ka qenë e suksesshme dhe ka rregulluar marrëdhëniet financiare të palëve kontraktuese.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura