Sabri Hamiti: Si më ndihmoi At Zef Pllumi për kthimin në Kosovë

Oct 27, 2011 | 12:33

AT ZEF PLLUMI

Letra e At Zef Pllumit për rivarrimin e Fishtës dhe indiferenca e shtetit e medias në fillim të ’97-s

Ai nuk fliste shumë, por ndërkohë thoshte mijëra fjalë. Shkreptima e syve ishte falënderimi për atë çka studiuesi kosovar po bënte për At Gjergj Fishtën. Sabri Hamiti e ka njohur At Zef Pllumin në ditë të vështira, atëherë kur Kosova po kalonte kohë zije. Kanë punuar bashkë kokë më kokë, kanë biseduar gjatë… Në vitin 1996, At Zef Pllumi i shkroi një letër Hamitit, ku e falënderonte për ndihmën që po jepte në ndriçimin e figurës së At Gjergj Fishtës, në mbledhjen e veprës së tij dhe realizimin e një varri të denjë për një patriot dhe një poet si Fishta. Një letër që do t’i binte në dorë vite më vonë. Në një intervistë, Hamiti kujton njohjen me njeriun e sakrificës, At Zef Pllumi.

Çfarë ju ka mbetur pa thënë për Át Zef Pllumin?

Sabri Hamiti

Át Zef Pllumi flet përherë për ata që dinë të dëgjojnë. Kush dëgjon, ka diçka për të thënë. Kush e ka njohur, nuk mund të mos kuptojë shenjat e tij domethënëse në pamje, në shikim, në lëvizje, në ecje, në gjeste, duke pasur në plan të parë të folurit e mendimet. Shkrimet e tij, veprat e kryera apo të përkthyera, nuk lexohen vetëm një herë, jo vetëm për domethëniet, po edhe për gjuhën, për idetë që nganjëherë demonstrohen e nganjëherë kanë vetëm thelbin e artikuluar që pritet të rishtrohet. Át Zef Pllumi është personalitet që ka ruajtur parimet e normat e fisnikërisë shqiptare, kodin e njerëzisë, që nuk trazohet nga çasti e nga rasti, për të ruajtur sistematikën e mendimit e të veprimit. Përndryshe, nuk do të mund të plotësonte rolin e misionarit të ringjalljes së vlerave në botën e çorganizuar shqiptare. Për një decenie pune të palodhshme ka ringritur punën e mësuesve të vet françeskanë (si pjesëmarrës e si dëshmitar), duke i lakuar vlerat e tyre universale në botën autentike shqiptare.
Cili është kujtimi më i dashur që keni nga miqësia me Át Zef Pllumin?
Miqësia me Át Zef Pllumin për mua është një dhuratë e Zotit në raport me njeriun. Át Zef Pllumi më thirrte zotni, dhe unë e thirrsha zotni, për nderim të moshës, ndonëse do të pëlqeja ta thirrsha në emër. Nuk e harroj shkëlqimin e syve të tij, kur po ia dhuroja veprat e plota letrare të Gjergj Fishtës, të botuara në Prishtinë. Heshti, po i tha të gjitha. Sepse, secili mbarim e ka një nisje e një histori. Na ra të rrinim më gjatë në Shkodër, në nëntor të vitit 1996. Atëherë ishim mbledhur një grup njohësish apo adhuruesish të Gjergj Fishtës për të rikujtuar poetin e madh në përvjetorin e tij, që binte në fund të dhjetorit. Nëse ne të tjerët mund të flitnim a të punonim nga diçka për autorin e madh, Át Zefi, edhe aty në Shkodër, fliste, punonte e vepronte për të adhuruarin e tij, Fishtën. Gjithë verën kisha përgatitur për botim në Prishtinë veprat e poetit dhe në tryezë kumtova që katër vëllimet do të dilnin për përvjetorin. Fjala ime e dhënë i gëzoi të gjithë, ani që në shikimin e tyre hetova një droje. Át Zef Pllumi më shikoi me dashuri, lidhi duart e tha: Të lumtë!
Në Shkodër na ra të rrinim kokë më kokë, të bisedonim gjatë e të forconim miqësi. Át Zefi e ndiente thellë dhe e njihte çështjen e Kosovës. Kuptonte ndodhjet e pritjet, furtunat që ishin në gatitje. E kuptonte thellë situatën time. Më çoi në një shtëpi shkodrane, ku e kishte strehën e vet, duke më thënë se ishte edhe streha ime për çdo nevojë. Para ledhatimit në ndarje më dhuroi librin e tij, mbasi nxori nga jaka e zhgunit një palim në trajtë mishemeje dhe e futi midis fletëve të tij [Kur e shpalova në shtëpi, gjeta një kartë falënderimi për punën, për qëndrimin në Shkodër dhe disa të holla për të m’u gjetur rrugës]. Dhjetori i atij viti në Prishtinë ishte i akullt. Unë kurrsesi nuk kisha mundësi të shkoja në Shkodër. Ajo që mund të bëja, ishte të shkruaja një fjalë për Gjergj Fishtën e ta dërgoja në trajtë përkujtimi për përvjetorin e tij. Át Zef Pllumi, i paharrueshëm e fisnik, më kishte shkruar një letër, duke shpjeguar ndodhjet në përvjetorin e Fishtës më 1996; letër që më ra në dorë vetëm mbas dhjetë vjetësh; dhe unë tash më së miri është ta jap të plotë.
Çfarë përfaqëson dhe çfarë mund të përfaqësojë në të ardhmen vepra e Át Zef Pllumit në kontekstin kulturor shqiptar?
Nëse me kulturë kuptojmë njohjen e veprimin njerëzor në shoqëri, përballë natyrës, atëherë përgjigjja lyp kohë e lyp mund. Këtë herë po mjaftohem me karakterizime të shpejta. Át Zef Pllumi është një personalitet kulturor, një personazh i realizuar, madje një fenomen kulturor shqiptar, nëse kihet parasysh jeta dhe shkrimtaria e tij.
Át Zef Pllumi mbërrijti të jetojë e të mbijetojë vetëm për me tregue vlerën e madhështinë e paraardhësve të tij të mëdhenj françeskanë përballë barbarisë komuniste, madje të dëshmojë me shkrim për sprovimet e ndodhitë, duke bërë kirurgjinë e një shoqërie në mjerim e në buzë çmendie, duke u bërë vetë françeskani i madh i fundit…
Át Zef Pllumi në çdo rast e në çdo kohë ruajti kodin dhe etikën e françeskanizmit shqiptar me qëndrueshmëri deri në nivel të të pabesueshmes. Át Zef Pllumi, duke u bazuar në autoritetin e nderimet në botën perëndimore, nisi për në universitetet e Europës dhjetëra të rinj shqiptarë për të marrë dije e kulturë. Át Zef Pllumi ringriti një model kulturor e moral në botën shqiptare (model tepër i rrezikuar), duke ruajtur të paprekur dashurinë për njeriun, anipse, jam i bindur, ka shkuar me zemër të mbushur helm, se po i prishej ëndrra.
Në gjykimin tuaj, cila është vepra më e rëndësishme e Át Zef Pllumit dhe pse?
Shkrimtaria e Át Zef Pllumit është një vepër, një strukturë, anise shfaqet në trajta të ndryshme: dëshmi, fiksion, vlerësim, imagjinim, shqyrtim. Ajo ruan stilin, e stili është njeriu. Titujt e librave të veçantë janë kapituj të këtij sistemi të madh, të kësaj vepre. Atëherë:
Vepra më e rëndësishme e tij është “Rrno vetëm për me tregue”, sepse me një qëndrueshmëri monumentale dëshmon jetën në burgje e në llogore duke portretuar tragjedinë shqiptare gjysmëshekullore. Një kryevepër e logorologjisë shqiptare, e denjë për një antologji botërore të këtij lloji. Një dëshmi, një memorie, që bëhet kujtesë e përhershme. Libri më i përsosur i tij është Frati i Pashallarëve Bushatllínj të Shkodrës, i shkruar në trajtën e një utopie, tanimë i vendosur në të shkuarën (mjeshtërisht e sugjeruar në të ardhmen) dhe jo në askund, po në një vend, Shkodër. Një fiksion i pastër, që i jepet lexuesit si faksion, duke përdorur mjeshtërinë borhesiane të dëshmisë letrare që del më e plotë se realiteti. Ky libër është një këngë për harmoninë e besimtarisë shqiptare si domosdo dhe adhurimin e dijes si shpëtim. Libri “Saga e fëmijnisë” është më i ndjeshmi. Këtu Át Zef Pllumi është shkrimtar. Tashmë autori nuk ka vetëm motivim personal, por bëhet unë. Një gjuhë e idiolektit, një njohje e jetës, që secilën herë ka vlerën e zbulimit, një jetë që ndodhjen e bën kujtim, mirëpo përkundet në ëndrra, më së pari në ëndrrën e zbulimit e të madhështisë. Po pra, edhe Át Zef Pllumi kur bëhet kreator, autenticitetin e gjen në fëmijni, jo në ideologjitë e mëdha.
Ja pse përmenda më parë që shkrimtaria e Át Zef Pllumit është një vepër e një sistem: ku kalohet pandieshëm nga dëshmia në utopi, nga memoria në ëndërr, nga ideologjia në empiri, nga universaliteti në autenticitet. Dhe anasjelltas.

P. S.
Le të më lejohet të shtoj diçka. Át Zef Pllumi shkruan saktë, vetëm substancë, pa retorikë, shkrimi i tij kap esencat, në trajtë rezymeje; një shkrim enciklopedik. Kjo mund të provohet me një nga dorëshkrimet e tij (ndër më të fundit), kur bën portretin e Ibrahim Rugovës.

Shumë i dashtuni z. Sabri Hamiti,

Më fal se nuk i përdora titujt akademikë e shkencorë, se më duket se mund e ngrijnë sadopak ngroftësinë pothuej familjare t’asaj miqsie të shtrejtë që, nganjiherë në jetë, lidhet e fortë që me sinqeritetin e takimit të parë.
Mbasi pjesëmarrja juej në Komisjonin për rindërtimin e vorrit të Fishtës kje e pamundun ndër seancat e mavonëshme, më mbetet barrë mue që t’u përmbledhi shkurtazi zhvillimin e mavonëshem.
Siç patëm vendosë në mbledhjen e parë, z. Gjergj Zheji ia paraqiti ministrit të Kulturës, z. Teodor Laço, projektet dhe kërkesat tona për rindërtimin e vorrit. Z. Ministër i priti mirë dhe bani shumë premtime për ndima konkrete. Ndërkaq, filluen të ndigjohen zane që pyetshin: ky komisjon çfarë asht- shtetnor apo privat? Mbasi nuk asht shtetnor, çfarë fuqie ka ky? Dhe pse t’i përgjegjemi kërkesave? Nga këto u kuptue që në ditët e para se nuk do të bahej ai filmi dokumentar i kërkuem prej nesh. Edhe për preventivat dërgue Ministrisë së Kulturës, që kapshin shumen 15,000 USD. Tue kenë se kjo shumë nuk zgidhte asnji problem tonin dhe qesharake për nji shtet, nuk e pranuem. Nji mbledhje e komisjonit, në këtë rast, të xanun papritmas, vendosi që të ju sjellshim dashamirve shkodranë, mbasi reduktuem përgjysë programin simbas fjalës së popullit “shtrij kambët sa të kesh jorganin”. Gjetëm përkrahjen e popullit dhe të Bashkisë së Shkodrës, por tashma ishim vonë, se populli synonte deri atje që t’i naltonte poetit nji monument bronxi. Ndërkaq u realizue nji vorr i thjeshtë, i përbamë nga nji kryq hekuri e dy pllaka graniti të zi, ashtu siç i ka hije nji fratit françeskan. Maska e fëtyrës së tij prej allçije u derdh në bronx, ndërsa për ato pak eshtna të dorës së tij skulptori Ferit Kola punoi nji sarkofag artistik bakrit.
Mbas funksioneve fetare u krye vorrimi. Mbasdreke në Teatrin Migjeni (o ironi e kulturës shqiptare!) u dha nji mbramje letrare artistike. Kje e bukur. Fjalën e rastit e mbajti Aureli e mbas tij foli P. Danjel Gjeçaj (Pal Dukagjini). Në fund, z. David Luka lexoi përshëndetjen tuej, e cila u prit me aq duartrokitje sa nuk ta merr mendja.
Mund thomi se i gjithë shtypi shqiptar ndej shurdhë e memec në këtë rasë. As përfaqsia e Kosovës nuk u gjet e pranishme. Në këtë funeral nuk muer pjesë asnji prej atyne qi quhen dhe e mbajnë veten shkrimtar: si rrjedhim logjik dalin dy konkluzione: o ata nuk e mbajnë Fishtën shkrimtar, ose ata nuk e ndiejnë veten shkrimtarë. Emisioni televiziv u dha vonë e me ngut, por vazhdon jehona e tij. Ma e randësishmja u realizue: nji numër i veçantë i “Hyllit të Dritës” prej 300 faqesh me artikujt ma të mirë të ktyne pesë vjetve. Mund thomi se patëm sukses.
Po përfundoj tue u dergue përshëndetjet e zjarrta, me shpresë se do shifemi kur të promovohen veprat e Fishtës në Prishtinë. Me dashuni vllaznore

Tiranë 14-1-1997.                        Zef Pllumi

IBRAHIM RUGOVA
Nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilsohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës i pamëshirshëm e shkatrrimtar.
Ai u përpoq me spjegue shkrimtarin e madh kosovar Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i perbashktë: liria e popullit kosovar. Caktoi me ndjekë rrugën e tij si ma të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamëvarun prej gjithkujt. Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së bashkueme. Atje mendonte me shti edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkaktue vuejtje as gjak kurrkuj, prandej edhe kje thirrë “Gandi kosovar”. U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve.
Vazhdimisht pat kritika në shtypin Kosovar për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nanë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të dytë ose Woitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet sepse Gjon Pali i dytë kje luftari ma paqsor mbi tokë, i cili ia duel me shkatrrue dy ideologjitë ma kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nana Terezë shqiptarja qi mori çmimin “Nobel për paqen”, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhanë njerëzimit, nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa me nderue vorrin e nanës së vet. Mjerisht, Ibrahim Rugova nuk arriti me i pa të realizueme idealet e veta për Kosovën.
Vdekja e parakohshme ia mungoi veprimtarinë qi n’at kohë qi ai duhej t’ishte për Kosovën si drejtues jo vetëm politik, por edhe shpirtnor, tue drejtue me shemullin e vet personal.
Kujtimi i tij kjoftë i përhershëm!
Át Zef Pllumi

AGRON GJEKMARKAJ

© Panorama.al

Te lidhura