Ryshfet me patentat, 4 instruktorë në hetim

Oct 5, 2011 | 13:14

Një pronar autoshkolle dhe tre inspektorë të punësuar nga ai janë marrë në hetim dhe pritet të njihen me masën e sigurisë në gjykatë, pasi dyshohet se kanë marrë ryshfet për pajisjen e kursantëve me leje drejtimi automjeti. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Tiranës, mësohet se janë marrë në hetim drejtori i autoshkollës “MIRI XX”, Qemal Musta, si dhe inspektorët e kësaj autoshkolle, Trëndafil Taho, Zenel Shera dhe Nesti Xhurgaj. Ata akuzohen për veprat penale “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Nga të dhënat 9-mujore të hetimeve të antikrimit ekonomik, rezulton që personat e ndaluar nëpërmjet njohjeve në Drejtorinë e Transportit Rrugor ndërhynin për pajisjen me patentë të personave të regjistruar në autoshkollën e tyre, edhe pse ata nuk kishin kryer asnjë ditë kurs teorik apo praktik. Sipas burimeve nga Policia, mësohet se kursantët e regjistruar pajiseshin me leje drejtimi automjeti, duke dhënë 30-40 mijë lekë të reja ryshfet, përveç tarifës zyrtare, edhe pse mund të mos dinin të drejtonin makinën. Zyrtarisht, Policia tha dje se këta persona dyshohen se kryenin veprimtari të kundërligjshme, duke u kërkuar dhe marrë para shtetasve të ndryshëm, me qëllim marrjen e testimit të provimit të teorisë dhe praktikës dhe më pas pajisjen e tyre me dëshmi aftësie për drejtim automjeti, kundrejt përfitimit të shumës së parave. Sipas Policisë, në këtë rrjet dyshohet të jenë të përfshirë edhe punonjës të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Tiranë, të cilët mund të kenë shpërdoruar detyrën, por janë pjesë e hetimeve që vazhdojnë të kryhen.

© Panorama.al

Te lidhura