Ruçi: Berisha e Bregu të japin dorëheqjen

Oct 14, 2011 | 11:25
Ruçi dje gjatë fjalës në Parlament

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se është ajo përgjegjëse për dështimin e dytë të vendit në refuzimin e ftesës për vendin kandidat për në BE. Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i kërkoi dorëheqjen Kryeministrit Berisha dje gjatë fjalës së tij në Parlament. “Zoti Kryeministër në ikje dhe ju zonja ministre e Integrimit, duhet të jepni llogari. E para, që keni dëmtuar në sytë e opinionit ndërkombëtar kredibilitetin e vendit. Shqiptarët nuk do t’jua falin kurrë, do të duhet kohë për ta riparuar. E dyta, keni humbur interesat ekonomike të shqiptarëve, pas refuzimit ka një faturë financiare si zhvillimi rajonal, burimet njerëzore dhe bujqësia. Të gjitha këto ne i humbëm. Një vend fqinj si Maqedonia ka fituar 64 milionë euro pasi mori statusin, ndërkohë që shqiptarët u ndëshkuan”, tha Ruçi. Ai nënvizoi se shkak i refuzimit të statusit ishte mosplotësimi i asnjë prej 12 rekomandimeve që BE i vuri Shqipërisë 3 vjet më parë. “Ju, zoti Kryeministër, thatë se opozita është shqiptare dhe dëmin më të madh shqiptarëve mund t’ia bëjnë vetë shqiptarët. Edhe për këtë ju duhet të jepni dorëheqjen”, iu drejtua Ruçi Kryeministrit, ndërsa lajmëroi se opozita do të kërkojë mbajtjen e një seance të posaçme në Kuvend për raportin e progresit të një dite më parë nga Komisioni Europian. “Opozita do të përmbushë detyrën e saj. Ne, zonja kryetare, institucionalisht sot po kërkojmë që Parlamenti shqiptar, në një seancë të posaçme, duhet të ndalet me të gjithë përgjegjësinë, me një mocion me debat, pikërisht për progres-raportin. Klasa politike shqiptare të nxjerrë përgjegjësinë dhe të thotë fjalën e saj në përgjigje të këtij raporti shumë dinjitoz, shumë të rëndësishëm dhe shumë të përgjegjshëm që kanë bërë partnerët tanë ndërkombëtarë”, u shpreh Ruçi. Kreu i Grupit të PS-së tha se Berisha dhe qeveria e tij kanë humbur tashmë kredibilitetin e vendit dhe këtë populli nuk ka për t’ia falur kurrë. “Ju keni humbur kredibilitetin e vendit. Këtë s’do t’jua falin kurrë shqiptarët. Këtë perceptim të gabuar do t’i duhet kohë për ta riparuar. Keni humbur shumë interesat ekonomike dhe financiare të shqiptarëve. Humbja ka një faturë, dhe ju keni humbje financiare”, u shpreh Ruçi.

© Panorama.al

Te lidhura