Rruga, miratohet kredia 222 milionë USD

Apr 1, 2011 | 12:41

Qeveria ka siguruar nga marrëveshja me Bankën Islamike për Zhvillim një kredi me vlerë 222 milionë dollarë, të cilat do të shkojnë për financimin e autostradës Tiranë-Elbasan.Marrëveshja e miratuar dje në mbledhjen e qeverisë vjen pas një sërë negociatash të zhvilluara mes qeverisë shqiptare dhe IBD-së. Paratë e siguruara nga kjo kredi do të shkojnë për financimin e një prej projekteve më ambicioze infrastrukturore të qeverisë. Në total, rruga Tiranë-Elbasan së bashku me tunelin e Kërrabës parashikohet që të kushtojë 407 milionë dollarë dhe me marrëveshjen e miratuar dje duket se është siguruar më shumë sesa gjysma e parave që nevojiten. Marrëveshja mes Bankës Islamike për Zhvillim dhe qeverisë shqiptare, sikurse përcaktohet edhe në titullin e vendimit që e sanksionon, është bërë sipas rregullave financiare islamike e njohur si Istina’a dhe agjencisë me të njëjtin emër. Në faqen zyrtare të agjencisë, një marrëveshje Istina’a është sipas Shari’ah një mënyrë e financimit, e cila përdoret gjerësisht nga bankat islamike dhe institucionet financiare në projekte të ndryshme: strehim, ndërtim pallatesh, dhe rrugë, prodhim aeroplanësh dhe anijesh, makinash dhe pajisjesh të ndryshme. Gjithsesi, marrëveshjet sipas Istina’a nuk mund të përdoren për gjëra të gjalla apo produkte të papërpunuara, siç janë ato të kafshëve apo frutat. Të gjitha kreditë që jepen nga bankat islamike sipas marrëveshjes Istina’a, janë të monitorueshme. Një marrëveshje të tillë sipas Istina’a ka nënshkruar edhe Shqipëria për një projekt infrastrukturor. Tashmë, me sigurimin e pjesës më të madhe të parave i hapet rrugë ndërtimit të plotë të autostradës. Tenderi i tunelit Tiranë-Elbasan, që është pjesë e kësaj rruge, tashmë ka përfunduar dhe fituese është shpallur firma greke “AKTOR”, e cila fitoi me një ofertë 83 milionë dollarë, dukshëm më ulët sesa fondi limit i përcaktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve prej 150 milionë dollarësh. Pikërisht këtë ofertë të ulët të kompanisë fituese Kreu i qeverisë e ka lakuar dje si një element që do të ulë dukshëm koston e rrugës në total, por për çdo rast Berisha u shpreh se qeveria do të paguajë qindarkë për qindarkë çdo shpenzim. “Një vepër kjo, që shndërron distancën midis Tiranës dhe Elbasanit, në një distancë më të shkurtër se Tiranë-Fushë Krujë dhe bën që këto dy qytete të shndërrohen pothuaj në një treg të vetëm. Kostoja totale e projektit është rreth 407 milionë dollarë, por gara e projektit që u bë, ka dhënë një kursim të ndjeshëm dhe ne shpresojmë që edhe segmente të tjera do të shoqërohen me kursim. Në çdo rrethanë, qeveria është e vendosur të financojë këtë projekt me përparësi absolute, qindarkë për qindarkë”, tha Berisha.

407 milione usd
vlerësohet të jetë kostoja totale e gjithë projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, së bashku me tunelin e Kërrabës si pjesë të saj

222 milione usd
është vlera e kredisë që qeveria shqiptare do të marrë nga Banka Islamike për Zhvillim. Paratë do të shkojnë për Tiranë-Elbasan

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura