Numërova si prurje të reja të Bibliotekës Kombëtare në këtë konferencë fillimin e integrimit të materialeve tona të dixhituara në “Europeana”, në atë koleksion vigan shumëgjuhësor materialesh të dixhituara nga kulturat e kombeve europiane, në të cilin BKSH është partnere me të drejta të plota; kujtova nënshkrimin në shtatorin e këtij viti të Kartës së Bashkëpunimit në “Bibliotekën Dixhitale Botërore” (Word Digital Library), ku BKSH ishte ftuar, ndërsa tanimë nëpërmjet kësaj karte do të mundësohet fillimi i integrimit të “materialeve shqiptare” të dixhituara prej nesh: shpresojmë “Albania” e Konicës të jetë në krye të radhës; përmenda përfundimin për herë të parë në sistemin akademik shqiptar të Masterit të Nivelit të Dytë në Shkencën e Bibliotekave, në bashkëpunim në Universitetin e Tiranës dhe diplomimin në këtë nivel të rreth dyzet specialistëve të bibliotekonomisë në rrafsh vendi, si dhe doktorimin po këtë vit të dy specialistëve tanë ndër më të mirët në “Shkencën e Bibliotekave” duke i hapur kështu rrugën akademizmit në Shqipëri edhe për këtë shkencë; zura në gojë edhe Portalin Albanologjik Shqipëri-Kosovë, që e kemi ideuar së toku të dyja bibliotekat kombëtare, e Shqipërisë dhe e Kosovës, një sprovë promovuese të të cilit do ta bëjmë nesër po këtu në Prishtinë.
Përse gëzohemi për të gjitha këto? Përse i quajmë “suksese”? Ç’po bëjmë, në thelb? Së jashtmi duket sikur po shtojmë dhe përforcojmë mundësitë e shkëmbimit: nuk dallohet që kemi të bëjmë me prekjen e të gjitha strukturave të dokumentimit dhe të informimit të caktuara për të përmbushur nevojat e përdoruesve të tyre.
Dukuria e shkëmbimit – e dimë këtë – karakterizon në ditën e sotme mbarë shoqërinë: ne jetojmë mes një shkëmbimi informacionesh politike, sociologjike, teknologjike, menaxheriale, ekonomike, kulturore etj., nëpërmjet transformimit të normave dhe të teknikave të qendrave të informacionit, nëpërmjet futjes së rregullave reja të qasjes për përdoruesit, por edhe nëpërmjet zgjerimit të vetë politikës së qasjes në informacion. Ku po na çon ky shkëmbim, po e quaj “supershkëmbim”? Ku po i çon bibliotekat tona, tani që quajmë “suksese” integrimin në “Bibliotekën Dixhitale Botërore”, në “Europeana”-n, “Portalin Albanologjik Shqipëri-Kosovë”, si dhe integrime të tjera të pritshme? Ku po i çojmë ne vetë bibliotekat tona nëpërmjet ambicies për të grumbulluar, konservuar dhe shërbyer jo vetëm libra, dorëshkrime, shtypshkrime, harta, gazeta, revista, por edhe CD-ROM-e, DVD-ra, materiale të dixhituara, full text-e etj.? Madje: jo vetëm të bibliotekave tona, por edhe të rrjeteve gjithnjë më të gjera burimesh të ofruara: mbarëkombëtare, europiane, deri botërore. Kemi të bëjmë gjithnjë me “biblioteka”, sipas vetë prejardhjes së termit, “depo librash”? Apo me institucione të reja hibride?
Në të vërtetë kemi të bëjmë me gërshetimin e të dyja koncepteve, gërshetim prej të cilit ka lindur koncepti i ri i “bibliotekave hibride”. Punojmë nën shenjën e këtij koncepti, shpesh edhe pa e ditur atë, ndërkohë që lakmojmë t’i hibridizojmë gjithnjë më shumë bibliotekat tona.
Koncepti “Hybrid Library” është shfaqur në kontekstin e përdorimit të teknologjive të reja të informacionit dhe të bartësve (suporteve) të rinj të informacionit. Biblioteka hibride është, pra, ajo bibliotekë në të cilën përdoruesit i sigurohet qasja e integruar – dhe ky është thelbi i integrimit që synojmë – në burimet e informacionit në çdo bartës (suport) duke përdorur teknologjitë e informacionit. Po ta thjeshtonin kjo do të thotë integrim i harmonishëm i dokumenteve letër me ato elektronike, duke u hapur nga baza themelore lokale, në një bazë gjithnjë më të gjerë, në rastin e nevoja tona: kombëtare, europiane, botërore.
Këto që numërova i quaj tri perspektivat tona të mëdha të pashmangshme, të të dyja bibliotekave tona kombëtare, dhe e vlerësoj si avantazh të mirëfilltë faktin që për t’i përballuar ato i kemi tanimë mundësitë të qëndrojmë e të punojmë përkrah duke mbështetur shoqja (bibliotekë) shoqen (bibliotekë).
Bibliotekat tradicionale – të tilla janë në themel edhe dy bibliotekat tona kombëtare – kanë të drejtën ta vështrojnë me dyshim modelin e “bibliotekës hibride”. Këtë dyshim duhet të na e heqë siguria se “bibliotekat hibride” kanë në qendër të vëmendjes përdoruesin dhe mundësitë e tij për të gjetur burimet e informacionit në formate nga më të ndryshmet që ndodhen në biblioteka ose në institucione të tjera, pra burime qofshin lokale, qofshin në distancë. Në këtë kuptim “biblioteka hibride” nuk është thjesht një formë kalimi nga biblioteka tradicionale në bibliotekën digjitale, dhe kaq. Po t’i përmbahemi një klasifikimi të propozuar nga drejtuesi i programit të Bibliotekës Elektronike (e-Lib) Chris Rusbritge, në një bibliotekë të tillë do të përmblidheshin këto burime:
-burime tradicionale, jodixhitale, që përfshijnë dorëshkrime, shtypshkrime, harta, regjistrime audio & video;
-burime kalimtare, me të cilat kuptohen burimet tradicionale të dixhituara;
-burime dixhitale të reja, d.m.th. burime të krijuara vetëm në formë digjitale ose në formë digjitale paralelisht me formën e shtypshkruar, si revista dhe libra elektronikë, baza të dhënash bibliografike, baza të dhënash full text, imazhe, audio & video, baza të dhënash statistikore etj.;
-burime dixhitale të integruara.
Me të gjitha këto lloje burimesh, me veçoritë specifike të çdonjërit, duhet t’i bëjmë llogaritë nëse jemi të ndërgjegjshëm që rruga ku jemi nisur është pikërisht ajo e “bibliotekave hibride”. Me zhvillimin e tyre veç e veç, me ndërthurjen e tyre, si edhe me raportet mes tyre, do të duhet t’i bëjmë bilancet tona, por sidomos me problemin e problemeve: atë të lehtësimit të qasjes së përdoruesit në burimet e informacionit dhe të thjeshtimit sa të jetë e mundur të interfaqeve të qasjes të llojit: katalogu elektronik i bibliotekës, CD-ROM-e, baza të dhënash full text, dokumente Web lokale, dokumente Web në distancë, direktori, motorë kërkimi etj. Me sa po na imponojnë gjithnjë më fort teknologjitë e reja, mediumi Web mbahet më i përshtatshmi për integrimin e burimeve dhe të shërbimeve nëpërmjet përdorimit të metodave që duhet të sigurohen nga furnizuesit e të dhënave në formën e njohur si Application Programming Intereface (API). Specialistët e pranishëm këtu e kuptojnë që e kam fjalën për situatën kur përfituesi formulon kërkesën, ia dërgon shërbimit përkatës nëpërmjet API-t, e cila e përpunon dhe ia dërgon mbrapsht përfituesit të shërbimit dhe ky atëherë mund ta shohë nëpërmjet interfaqes lokale.
Në ç’pikë jemi ne me detyrimet që do të na imponojë perspektiva e një shërbimi të tillë?
Konstatoj që në momentin e sotëm ndodhemi përpara një vargu problemesh që kanë të bëjnë me: autentifikimin, profilin e përfituesve, dizajnin e interfaqes për përfituesit, bashkëlidhjen e bazave të të dhënave, menaxhimin e dixhitimit, zhvillimin e personelit. Po u hedh nga një sy, në mënyrë konkrete, këtyre problemeve duke i vlerësuar ato nga gjendja e sotme e Bibliotekës sonë Kombëtare:
Autentifikimi. Në rastin e bibliotekave tradicionale, siç është jona dhe juaja, është e mjaftueshme vetëm një procedurë autentifikimi e përdoruesit: paraqitja e kartës së anëtarësisë. Në rastin e kërkimit dixhital autentifikimi paraqitet problem më i ndërlikuar, sidomos në rastet kur çdonjëri burim kërkon autentifikim të ndryshëm.
Profili i përdoruesit. Deri në ditën e sotme përdoruesit e bibliotekave të të gjitha llojeve janë heterogjenë nga pikëpamja e nevojave për informacion, por edhe nga ajo e njohjes së teknologjive të informimit dhe të komunikimit.
Bashkëlidhja e bazave të të dhënave dhe dixhitimi. Krahas faktit që ofron qasje edhe në shërbime të tjera, bibliotekës do t’i duhet të vijojë të zhvilloje shërbimet e veta, ndër të cilat krijimi i bazës së të dhënave dhe dixhitimi. Në ditën e sotme do të na duhet të kërkojmë metoda dhe teknika të reja dixhitimi, por nuk mund të harrojmë kujdesin: që strategjinë e dixhitimit ta bashkërendojmë me zhvillimin e bazës së të dhënave. Krahas kësaj duhet të vijojmë hapat për konservimin dhe organizimin e materialeve të dixhituara, duke llogaritur edhe momentin kur do të ndodhemi para nevojës për sqarimin e aspekteve të lidhura me metadatat dhe kjo do të na shndërrohet në domosdoshmëri.
Zhvillimi i personelit. Krahas problemeve teknike, një “biblioteke hibride” i duhet të përballojë problemet që lidhen me menaxhimin e burimeve njerëzore. Në Shqipëri këto kohë flitet shumë, në nivele administrative, për “reformim” të institucioneve kombëtare, madje edhe prej nëpunësish ordinerë ministrish që as nuk e kanë haberin se ç’do të thotë një reformim i mirëfilltë personeli – athua se janë të bindur që Sali Berisha me “reformim” nënkupton vetëm “shkurtim” – dhe as se çfarë specifikash duhet të përballojë ai. Suksesi në krijimin e një biblioteke të tillë bashkëkohore sigurohet nëpërmjet një kooperimi mes personelit bibliotekar dhe informaticienëve. Në përballimin me këtë problem do të na duhen ndërhyrje të llojit gati revolucionar, pra që nuk lidhen as me “shkurtime” as me “zgjatime”. Koncepti i “bibliotekës hibride” sjell në diskutim konceptin e “bibliotekarit hibrid”. Ajo çfarë do t’i kërkohet një specialisti të tillë është aftësia që të kuptojë problemet e reja që shfaqen në kontekstin aktual dhe të jetë i zoti t’i zhvillojë vetes aftësi të reja. Bibliotekat, qendrat e informimit dhe të dokumentimit, me të gjithë larminë e formave të tyre, përbëhen në thelb prej instrumentesh shfrytëzimi të informacionit. Mirëpo në ditën e sotme nuk mjafton që informacioni të prodhohet dhe mandej të stokohet. Ka shumë gjasa që një informacion me vlerë ta humbasë vlerën për shkakun e thjeshtë që nuk shfrytëzohet dot nga pamundësia për t’u gjetur, për të qenë i gjetshëm, nga vështirësia për t’i dalë në “takim” përdoruesit në përputhje me nevojën dhe kërkesën e tij: dhe ne e dimë që në bibliotekat tona kjo ngjan, ndodh, më ndodh edhe mua vetë kur pozicionohem si përdorues i bibliotekës. Pikërisht prandaj njëherësh me shfaqjen e internetit është riafirmuar edhe roli i bibliotekarit si “agjent” – po e quaj kështu – në përpunimin e informacionit që kërkohet, në analizën dhe vlerësimin e tij, në strukturimin dhe organizmin e tij për zbatime praktike: jo vetëm në përmbushjen e kërkesave të përfituesve, por edhe në tërheqjen dhe nxitjen e përfituesve. Ka qenë ky njëri nga synimet tona kur kemi hartuar programin e Masterit të Nivelit të Dytë në Shkencën e Bibliotekave, që përfunduam këtë vit, por gjithsesi ka qenë vetëm një hap.
Besoj se kuptohen, edhe nga kaq sa thashë, nevojat e ngutshme të ndryshimeve në strukturën e shërbimeve të ofruara nga bibliotekat tona dhe këto ndryshime mund t’i kryejmë vetëm nëse identifikojmë, paraprakisht, barrierat që na pengojnë për zhvillimin e një “biblioteke hibride”: barriera kulturore, organizative, strategjike, teknike dhe – afërmendsh – financiare.
Do të na duhet të vijojmë në këtë rrugë duke qenë të sigurt që procesi i informatizimit të shoqërisë e ka ndryshuar natyrën e kërkesës së përdoruesit të bibliotekave tona. Edhe nëse na duket se ende nuk përballemi me një ndryshim të tillë, me të do të ndeshemi për së afërmi, madje shumë shpejt. Vetëm që, edhe atëherë, zhvendosja e vëmendjes drejt informacionit dhe modaliteteve të shfrytëzimit të tij nuk do të na bëjë ta ndalim punën për evidentimin e vlerave intrinseke që përmban informacioni që grumbullojmë, konservojmë dhe ofrojmë në shërbim: ngulmimi ynë, i të dyjave bibliotekave tona kombëtare, në realizmin e “Portalit Albanologjik Shqipëri-Kosovë” pikërisht edhe këtë kujdes synon të na ngulisë në mend.
Pa i pasur parasysh këto sfida që i kemi në rrugën përpara, pa i matur forcat me to në mënyrë konkrete, do të jemi si të verbrit që nuk do të shihnim se si përreth nesh shkëmbimet prekin çdo segment të shoqërisë, depërtojnë në çdo ind të saj: ashtu prekin edhe të gjitha strukturat e dokumentimit dhe të informimit të caktuara për të përmbushur nevojat e përdoruesve të tyre. Nëse nuk do të punojmë që këto struktura t’i vëmë në një hap me procesin integrues, ato rrezikojnë të bëhen anakronike, të destinuara për t’u zhdukur, pikërisht nga paaftësia për të përmbushur kërkesat për të cilat janë krijuar dhe atëherë referimet, ligjërimet ose kumtimet për “integrimin” do të mbeteshin vetëm fjalë boshe.
*Fjala e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Aurel Plasari, në Edicionin VI të Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë Shqipëri-Kosovë “Perspektivat kombëtare në integrimet botërore”, zhvilluar në Prishtinë nga 18 më 19 nëntor












