Fjala e urtë thotë se budallallëku s’ka brirë. Pra, sipas fjalës së urtë, budallallëku është diçka e fshehtë, diçka e koduar, që shprehje të jashtme në mënyra të ndryshme ka, por shenja të jashtme të prekshme nuk ka.
Çështjet e budallallëkut janë sot nga më delikatet, nga më seriozet. Prandaj, sidomos ne shqiptarët që përdorim më tepër fjalë të rrepta se të urta, s’kemi pse t’i besojmë verbërisht këtij proverbi, i cili nuk na thotë çfarë budallallëku ka, por vetëm çfarë budallallëku nuk ka.
Për të hedhur sadopak dritë mbi enigmën se çfarë ka e çfarë nuk ka budallallëku nga brenda e nga jashtë, nga lart e poshtë, nga majtas e djathtas, e mira do ishte që përgjigjja e kësaj pyetjeje të merrej nga vetë bartësi i budallallëkut, budallai. Por kjo nuk mund të bëhet. Sepse budallait, për arsye nga më të larmishmet, nuk mund t’i afrohesh.
Kështu që, duam s’duam, budallain dhe budallallëkun jemi të shtrënguar t’i këqyrim nga larg, nga shenjat e jashtme, nga gjurmët që ata lënë mbi jetën tonë.
Le të mos na e thotë të vërtetën rreth budallait dhe budallallëkut, as vetë budallai të cilit nuk i afrohemi dot, dhe as proverbi ambig. S’kemi nevojë për ta. Kemi Bashkinë e Kamzës, e cila sekretet e budallallëkut na i jep gratis.
Në qendër të Kamzës, atje ku rruga kryesore kryqëzohet me rrugën që vjen nga Dajti dhe vazhdon drejt Laknasit, në mesin e atij kryqëzimi, brenda një rrethi paksa të ngritur, ndodhet një kryevepër e skulpturës së skëterrës. Jam ndalur dhe i kam ardhur rrotull dhjetëra herë asaj kryevepre. E kam këqyrur me kujdes nga larg e nga afër. Ia kam shqyrtuar në imtësi detajet. I kam bërë këto për të kuptuar sadopak mesazhin që përcjell ajo lodhje artistike skëterrore. Por nuk kam arritur deri sot të kuptoj asgjë. Skulptura në fjalë paraqet një kalë paksa të azdisur pranë të cilit ndodhet një njeri. Kali deri diku edhe mund të kuptohet si personifikim i fuqisë, energjisë, dinamizmit të jetës etj. Por njeriut që rri pranë kalit nuk mund t’i jepet kurrsesi asnjë shpjegim, nuk mund t’i bëhet dot asnjë interpretim. Duke nisur nga mosha e atij njeriu. Që mund të merret fare mirë si një adoleshent, po aq sa edhe një i moshuar. Por ajo që konstatohet lehtësisht dhe të lë pa frymë në këtë farë kryevepre, është rëndësia dukshëm më e madhe që skalitësi i ka dhënë kalit ndaj robit, me fjalë të tjera kafshës ndaj njeriut.
Kjo ishte sa për hyrje, për aperitiv. Se budallallëku bashkiak s’ka fund.
Përfytyro, i nderuar lexues, rrugën që vjen nga Bërxulli drejt City park-ut, përfytyro të lutem që kjo rrugë të quhet rruga “City park”. Përfytyro gjithashtu, me radhë; rrugën që vjen nga Mëzezi drejt Vodafon-it të quhet rruga “Vodafon”, rrugën që vjen nga Domja dhe prek autostradën atje ku është Mercedes Benz-i të quhet rruga “Mercedes Benz”, mbikalimin tek qafa e Kasharit të quhet mbikalimi “Megatek”, dhe raste të tjera rrugësh që mbajnë emrat e bizneseve që ndodhen në fillim, në krye, apo diku pranë atyre rrugëve.
Nuk është fantazi!
Budallallëku i Bashkisë së Kamzës, budallallëk që është aq i madh e i dukshëm, sa s’ka nevojë as për brirë, as për ambiguitet proverbash, këtë marrëzi të pafundme e ka bërë dhe e ka tejkaluar.
Diku në mes të Laknasit zë fill rruga “Coca Cola”!
E kuptoj vështirësinë e lexuesit, jo vetëm për ta besuar, por edhe për ta marrë me mend një marrëzi të tillë. Por edhe e siguroj lexuesin se kjo marrëzi nuk është aspak fantazia ime, por një realitet. Një realitet i përdredhur me kthesa dhe tabela gati 1 kilometër i gjatë, nga aty ku thamë, pra qendra e Laknasit, deri në autostradë pranë stabilimentit të mbushjes së Coca Cola.
Çfarë t’i ketë thënë vallë mendja kryetarit të Bashkisë së Kamzës apo dikujt tjetër në atë Bashki që merret me këtë punë, kur i ka vënë asaj rruge një emër të tillë?!
E thamë që në krye se budallait vështirë t’i afrohesh dhe në mendjen e tij zor se hyhet, prandaj, ajo që mund të bëjmë, është vetëm të hamendësojmë.
Etje e pashuar e gjyshërve në fshatin e thatë? Etje e vjetër dhe e re për pijen e famshme?
Korrupsion? Veneracion ndaj simboleve kapitalistike konsumistike? Ndonjë djalë apo vajzë apo kushëri që punon atje, me shpresën e marrë se djalin apo vajzën apo kushëririn, pas vënies së atij emri rrugës, kapitalizmi do t’i mbajë me hatër?!
Hamendësimet mbi budallallëkun nuk kanë fund. Prandaj, më mirë t’i futemi vetë rrugës nga Laknasi.
Rruga “Coca Cola”, si rrugë tretësore, është nga të paktat që në atë zonë kanë mbetur pa u asfaltuar. I lumtë për këtë Bashkisë. Çudia e parë është se rruga me një emër aq të madh, është fare e ngushtë.
Çudia e dytë është se, pa u futur as 50 metra, nga e majta, drejt rrugës me emrin e çuditshëm, vjen rruga “Lukova”. Brenda rrugës “Lukova” duhet të ketë normalisht lukovarë. Apo jo? Jo! Në rrugën “Lukova” nuk ka as lukovarë, as jugorë. Në atë rrugë ka vetëm veriorë, kuksianë, tropojanë, dibranë.
Pak më tutje, gjithmonë nga e majta, me rrugën “Coca Cola”, vjen e bashkohet rruga “Liqenas”. Hyj në rrugën “Liqenas”. Po ai muhabet edhe brenda rrugës “Liqenas”. Ku s’ka asnjë shqiptaro-maqedonas, ndonjë Biliana apo ndonjë Cvetko, sepse fshati Liqenas atje ndodhet, buzë Prespës. Në rrugën “Liqenas” banojnë vetëm pukjanë dhe kuksianë.
Këtu më lindi një dyshim në formën e një supozimi; Ai që i ka vënë këta emra rrugësh me emra vendesh që nuk përputhen me prejardhjen e banorëve, a mos vallë ka menduar që të bëjë një mpleksje gjithëshqiptareske apo mbarëkombëtare të tillë që atje ku jetojnë veriorë, emrat e rrugëve duhet të jenë me emra vendesh jugorë, dhe e kundërta. Hamendësim i kotë. Se po të ishte e vërtetë se Bashkia e Kamzës do ishte e molepsur me mpleksje inteligjente të kësaj natyre, vetë rruga “Coca Cola” do quhej rruga “Fanta” ose rruga “Pepsi”.
Më tutje, budallallëku nis e trashet pak si tepër. Ja “Rruga Kukur”!
Ku është ky Kukuri?! Nuk e di askush aty rrotull. Por për fat e di Google Earth-i, i cili në më pak se 1 sekondë Kukurin e gjen diku në thellësi të Gramshit. Shumë mirë që një rrugë në Tiranë mban emrin e një fshati të thellë të Gramshit. Por halli se në rrugën “Kukur” nuk banon asnjë kukurian, kukurak apo kukurec, atje janë të gjithë tropojanë dhe dibranë.
Pak më tutje, ku rruga “Coca Cola” nga e majta nis e shkon paralel me Lanën e pisët nga e djathta që rrjedh në sens të kundërt, tjetër kryqëzim, dhe tjetër tabelë- rruga “Kallmet”. Në rrugën “Kallmet” nuk u hyra fare, se Kallmeta në Shqipëri janë shumë.
Por s’mund të mos hyja në rrugën tjetër që u quajtka rruga “Mitrovica”. Ku, të them të drejtën, hyra kot, sepse e mora me mend dhe e vërtetova, atje s’kishte asnjë kosovare apo kosovar.
O pamje rrëqethëse!… Rruga “Verona”! Po! Rruga “Coca Cola” kryqëzohet me rrugën “Verona”!
Zonjë kalimtare në punë të vet.
– Ju lutem Zonjë e nderuar, a banoni tek rruga “Verona”?
– Po.
– A ka në atë rrugë ndonjë Romeo a ndonjë Xhulietë?
– Po jo moj jo. Çfarë Xhuliete e çfarë Romeo thua ti, moj gocë. Rruga “Verona” është vetëm 40 metra e gjatë. Atje jemi gjithsej tre shtëpi, robt e të cilëve unë i njoh të gjithë një nga një se jemi të gjithë tropojanë.
Andej nga fundi, rruga “Coca Cola” ngushtohet shumë, është plot me ferra dhe gjithë baltë. Por duhet të vazhdoj. Njohja e budallallëkut bashkiak kamzak nuk bëhet pa sakrifica.
Më tutje, rruga “Coca Cola” takohet me rrugën “Koplik”, e të tjera e të tjera.
S’të lypset të dish aspak çfarë ka thënë Ainshtaini dhe Erazmi i Roterdamit për budallallëkun. Ik e shih emrat e rrugëve që ka vënë Bashkia e Kamzës.
© Panorama.al












