“Rritet numri i rasteve me kancer gjiri”- Mjekja onkologe: Preken edhe vajzat e reja 20-vjeçare! Kontrollet duhet të fillojnë herët

Oct 24, 2025 | 22:55

Mjekja onkologe Anisa Çela ka ngritur alarmin për rritjen e rasteve të reja me kancer gjiri në Shqipëri, duke theksuar se sëmundja po prek gjithnjë e më shumë mosha të reja. Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, ajo tregoi se janë regjistruar edhe raste tek vajzat 20-vjeçare, të cilat deri para pak vitesh konsideroheshin përjashtim i rrallë.

anisa cela

“Kemi patur raste tumori tek 20-vjeçaret. Një prej tyre e ka kaluar me sukses sëmundjen, sot është nënë e dy fëmijëve dhe gëzon shëndet të plotë,” – tha mjekja Çela.

Sipas saj, gjenetika është një nga faktorët kryesorë të rrezikut, prandaj gratë dhe vajzat që kanë në familje raste të ngjashme duhet të bëjnë kontrolle të rregullta, edhe nëse janë nën moshën 40 vjeç.

“Nëse një grua ka nënë apo kushërirë me histori të kancerit të gjirit, duhet të bëjë ekzaminime periodike – qoftë një eko apo mamografi – pa pritur moshën 40 vjeç,” – theksoi ajo.

Mjekja shtoi se fasha më e prekur mbetet 50-60 vjeç, por incidenca është në rritje në të gjitha grupmoshat. Rritja e numrit të rasteve, sipas saj, lidhet gjithashtu me ndërgjegjësimin më të madh dhe kryerjen më të shpeshtë të mamografive, që ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjes.

Anisa Çela: Vitet e fundit vihet re një rritje e rasteve të reja me kancer të gjirit, por kjo përkon dhe me rritjen e ndërgjegjësimit. Mamografia është ekzaminim specifik për ta evidentuar qartë.

Gjenetika është një nga shkaqet kryesore, ndaj duhet të bëjnë kontrolle dhe ekzaminime të shpeshta, psh një grua që ka një nënë, një kushërirë patjetër duhet të kryejë ekzaminime qoftë një eko apo mamografi, pavarësisht se mund të jetë nën 40 vjeç.

Incidenca është më e rritur në këto raste. Kemi patur raste tumori tek 20-vjeçaret. Rasti që kam ndjekur ia ka dalë. Ka 2 fëmijë dhe gëzon shëndet të plotë. Fasha më e prekur është 50-60 vjeç por ka dhe stade.

© Panorama.al

Te lidhura