Rrëzimi i burgut përjetë, në sitë dosja e Aldo Bares

Oct 6, 2011 | 12:58
Aldo Bare në një seancë gjyqësore

Ministria e Drejtësisë do të kalojë në “sitë” të gjitha procedurat e ndjekura gjatë gjykimit të Aldo Bares në Shkallën e Parë dhe Apelin e Krimeve të Rënda. Vetëm dy ditë nga shpallja e vendimit të Apelit për prishjen e burgimit të përjetshëm dhe rigjykimin e Bares, inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë kanë mbërritur pranë Gjykatës për Krimet e Rënda. Bëhet e ditur se ky inspektim ka pasur si “shtysë” një nga argumentet me të cilat u prish dënimi ndaj Aldo Bares, ai i shkeljeve të rënda procedurale. “Hetimi” i gjykimit të të akuzuarit si “prijësi” i bandës së Lushnjës, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë u konfirmua dje nga burime pranë Gjykatës. Sipas burimeve, në skanerin e inspektorëve të Ministrisë do të kalojnë të gjitha dosjet, në të cilat është regjistruar emri i Aldo Bares. Në këtë mënyrë, verifikimi pritet të nisë që në praktikat procedurale të ndjekura nga gjykata për vlerësimin e masës së sigurisë, dhënë në mungesë në vitin 2006 ndaj tij. Bëhet fjalë për masën e caktuar nga Krimet e Rënda, në kohën kur Aldo Bare u arrestua në Ankara, ku qëndroi për disa vjet deri në ekstradimin drejt Shqipërisë. Njëkohësisht, në “sitën” e inspektorëve do të kalojnë edhe procedurat e ndjekura në nisjen e gjyqit në mungesë ndaj tij, nisur dy muaj para se Aldo Bare të zbriste në Rinas dhe vijimësia e gjykimit të tij. Seanca e parë gjyqësore ndaj Aldo Bares te Krimet e Rënda u shënua më 21 korrik 2009, në një kohë që Bare zbriti i prangosur këmbë e duar në Rinas, në 25 nëntor të këtij viti.
DYSHIMET
Paqartësia e pozitës procedurale të Gramoz Selmanit, një prej dëshmitarëve kyçë në gjykimin e Aldo Bares në Shkallën e Parë, mendohet të jetë një prej “ngërçeve” të gjykimit të parë. Gjatë gjykimit, mbrojtësi i Bares ka pretenduar se Gramoz Selmani akuzohej për gjashtë vrasje dhe se prokuroria nuk kishte paraqitur një vendim pushimi të hetimeve ndaj tij. Gjithashtu, në seancat e gjykimit në Apel, pyetjet e trupit gjykues ndaj palëve mëshonin tek rregullsia e zbatimit të procedurës në gjykimin e parë. Në seancën e fundit, pak para tërheqjes në dhomën e këshillimit, Gjykata pyeti prokurorin nëse ishte e rregullt apo jo përfshirja si provë në gjykimin e parë të tri deklarimeve të dhëna në Ambasadën Shqiptare në Greqi. Për shkak se tre dëshmitarët nuk mund të paraqiteshin në Gjykatën për Krimet e Rënda, u pranuan në dosje deklarimet e tyre, ndonëse në to nuk shënohej se në çfarë cilësie ishin pyetur deklaruesit.

Apeli: Ka shkelje, dojsja të rigjykohet
TIRANE – Paraditen e së hënës, një trupë gjykuese e Gjykatës së Apelit prishi vendimin gjyqësor të 28 marsit 2011 të Shkallës së Parë, sipas të cilit Aldo Bare dënohej me burgim të përjetshëm. Sipas vendimit të Apelit, dosja me të pandehur shtetasin Aldo Bare (Alfred Shkurti) do të rigjykohet në Shkallën e Parë nga një pesëshe e re gjyqtarësh. Vendimi i Apelit, nëse lihet në fuqi në Gjykatën e Lartë, do të nisë edhe një herë nga “zero” përballjen e të pandehurit Bare me akuzat e “faturuara” nga Prokuroria në emrin e tij.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura