Fushata zgjedhore në Tiranë nuk ka shumë që ka filluar e, megjithatë, tashmë jemi në gjendje për të gjykuar mbi mënyrën dhe strategjinë se si secili nga kandidatët për Tiranën është duke zhvilluar fushatën e tij. Mbi të gjitha, një gjë duket qartë: edhe pse është një fushatë vendore, edhe pse në thelb të saj duhet të qëndrojnë zgjidhjet për problemet akute të kryeqytetit, kandidati socialist preferon të flasë politikisht duke e shtjelluar argumentin në nivelin politik qendror, sikur të bëhej fjalë për zgjedhje të përgjithshme dhe jo vendore. Asgjë e re dhe asnjë surprizë në këtë strategji të tij. Të gjithë e kishin parashikuar një sjellje të tillë, sepse është shumë e qartë që z. Rama bën fushatë për postin e kryeministrit në vitin 2013 dhe jo për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Për më tepër, pas një viti tensioni politik të ndezur dhe të nxitur nga socialistët, pas një bojkotimi pa sens dhe strategji të Kuvendit të Shqipërisë, pas çadrave në bulevard, grevës së urisë dhe dhunës së pashembullt të 21 janarit, pakkush mund të dyshonte se z. Rama do të prapsej dhe do të hidhte sytë në alternativat menaxheriale për zgjidhjen e problemeve pa fund të Tiranës.
Megjithatë, pakkush, gjithashtu, mund të mendonte se edhe pse në fillim të fushatës, gjuha e përdorur nga z. Rama, nga kandidatët e tij, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, të ishte kaq e ashpër, pa sens dhe provokatore në të njëjtën kohë. Nuk mbahet mend qëkurse janë zhvilluar fushata të tilla verbalisht kaq të ashpra në Shqipëri. Në çdo rast është e nevojshme të bëjmë një analizë për të kuptuar më mirë çfarë po ndodh me lidershipin socialist dhe cilat janë simptomat e opozitës sot, aq më tepër kur modeli që z. Rama ofroi në vitin 2009 ishte shumë më i ndryshëm.
Për të kuptuar dallimin midis «Ramës 2011» dhe «Ramës 2009» mjafton të shfletojmë gazetat dhe të rishikojmë kronikat e mediave për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Fjalori i z. Rama në vitin 2009 ishte i mbushur me shprehje të cilat synonin paqen dhe konsensusin social në dobi të alternativës socialiste. Z. Rama, në tubimet e tij i mëshonte mirëkuptimit, shkrirjes së dallimeve partiake për një Shqipëri më të mirë, kërkonte votat në emër të kohezionit social, solidaritetit njerëzor dhe bashkëpunimit pa dallime partiake. Dhe të mendosh që pavarësisht performancës shumë të mirë të Ekzekutivit të asaj kohe, pavarësisht faktit që Z. Rama nuk hartoi dot një program real qeverisës për të prezantuar, pavarësisht hatërmbetjeve dhe luftës së brendshme të klaneve dhe brezave në PS, ai mori një rezultat mjaft të mirë zgjedhor. Nuk ka rëndësi në këtë analizë se çfarë bëri me deputetët e tij, si i (sh)përdori ata dhe besimin e elektoratit. E rëndësishme është të kuptojmë se gjuha që ai përdori, pavarësisht të gjithave, në një mënyrë apo në një tjetër, ia përmirësoi rezultatin në kufij të paimagjinueshëm edhe për vetë atë ndoshta. Në këtë rezultat është e kuptueshme të kenë influencuar edhe faktorë të tjerë, të cilët personalisht mendoj se kanë qenë të neglizhueshëm dhe për këtë arsye nuk po i rendit.
Pra, një logjikë e thjeshtë do të bënte menjëherë pyetjen: për ç‘arsye z. Rama ka zgjedhur këtë gjuhë? Për ç‘arsye ai po i mëshon dhunës verbale dhe konfliktit në çdo rast dhe në çdo takim të tij? Pse përdor një gjuhë përbuzëse edhe kur nuk është aspak e nevojshme? Përse ai po diferencohet negativisht kaq dukshëm nga rivali i tij, z. Basha, edhe kur e di që kjo rrugë nuk të çon asgjëkund? Cili është plani, nëse ka një të tillë? Nëse nuk ka një plan të tillë, cili është Rama i vërtetë: ai i 2009-s, apo ai i 2011-s? Kë duhet të besojmë: njërin, të dy, apo asnjërin? Këto janë në thelb dilemat ndërsa vëzhgon çfarë po ndodh me fushatën e opozitës.
Mendoj se argumenti kryesor për t‘i dhënë një përgjigje logjike kësaj sjelljeje (ndoshta strategjie), është fakti i padiskutueshëm që z. Rama në këto zgjedhje nuk përfaqëson opozitën. Përkundrazi, ai përfaqëson pushtetin e rëndësishëm dhe të konsoliduar në Tiranë që prej 11 viteve. Në këto 11 vite, opozita ka qenë Partia Demokratike dhe qytetarët e Tiranës, të cilët e kanë mbështetur z. Rama në fillimin e karrierës së tij si kryebashkiak, por, sipas të gjitha gjasave, nuk janë më të gatshëm ta luajnë një rol të tillë.
Nga ana tjetër, demokratët e projektojnë vetveten në rolin e opozitës, pavarësisht se pushteti qendror menaxhohet prej tyre. Që këtu vjen një diferencë e madhe në përqasjen mendore dhe pragmatiste të fushatës. Kandidati Basha vjen me një platformë premtimesh, ndërsa kryebashkiakut aktual nuk i mbetet veçse të numërojë sukseset e tij si kryebashkiaku 11-vje<&ar. Nëse z. Rama ka suksese apo jo për të treguar, këtë do ta gjykojë elektorati, por sidoqoftë, nga fakti se ai nuk po përmend asgjë nga këto suksese, natyrshëm dikujt i lind një dyshim i fortë në këtë pikë. Z. Rama nuk i përmend sepse në të vërtetë ka pak apo shumë pak suksese për të justifikuar qenien e tij plot 11 vjet në krye të kryeqytetit.
Në paraqitjen e platformës së tij elektorale në Pallatin e Kongreseve disa ditë më parë, ajo që të bënte më shumë përshtypje ishte referenca e tij e ekzagjeruar ndaj Tiranës në vitin 2020. Në këtë referencë që z. Rama e trajton si vizion të tij (dhe këtu s’ka asgjë të keqe), u përmend gjithçka, veçse nuk u dha shpjegim se përse shumë nga indikatorët që lidhen me gjelbërimin, punësimin, rrugët e shtruara, çështjet sociale, mjedisin etj., çuditërisht nuk iu përmbajtën referencës ndaj arritjeve të administratës “Rama” në këto vite, por vetëm vizionit të tij për vitin 2020. Për më tepër, nëse do të rishikonim premtimet e Ramës në fushatën e vitit 2007, do të gjenim shumë shifra të njëjta, pra me pak fjalë, premtime që ripërsëriten në të njëjtën mënyrë, me të njëjtën shifër. Kjo do të thotë që në katërvjeçarin e fundit, shumë indikatorë ekonomikë, socialë dhe mjedisorë nuk kanë progresuar, përkundrazi, kanë mbetur në vend, për të mos thënë që janë tkurrur.
Së fundi, z. Rama shpalosi edhe atë që ai e quan program të tij për transportin publik, që konsiston midis të tjerave, edhe në 6 linja tramvaji për Tiranën. Shumë mirë, këtë ka premtuar edhe z. Basha, por në një shtjellim të ndryshëm. Sidoqoftë, ka një pyetje që mund t‘i bëhet z. Rama dhe jo z. Basha: Përse nuk i ndërtuat këto linja mandatin e kaluar? Përse duhet t‘ju besojmë sot? Dhe jam i sigurt që duke ndjekur këtë linjë arsyetimi, mund t‘i bëjmë shumë e shumë pyetje z. Rama, përgjigje për të cilat ai zor se mund të ketë me kaq pak rezultate dhe kaq shumë probleme të akumuluara.
Dhe tani mund të hidhemi në temën kryesore të këtij shkrimi: Pse gjuha e z. Rama është kaq e ashpër? Përse platformës reale dhe shumë të prekshme te z. Basha, gjuhës së tij “të kadifenjtë”, z. Rama i përgjigjet politikisht dhunshëm, por edhe në mënyrë evazive, duke përmendur Tiranën e vitit 2020, duke mos iu referuar aspak “sukseseve” të tij në 11 vjet, duke iu drejtuar më shumë politikës së madhe, dhe jo halleve të tiranasve?
Sepse z. Rama nuk ka më një argument. Nuk ka një argument sepse nuk ka arritje të prekshme, përkundrazi, ka vetëm problematikë të akumuluar. Nuk ka argument sepse në thelb nuk i intereson Bashkia, por mundësia që i jep Bashkia për të kontrolluar politikën e madhe dhe për të qenë faktor në të. Nuk ka argument sepse ka zgjedhur të përgjigjet verbalisht rëndë, ashpër, për të tensionuar situatën dhe për të denigruar kundërshtarin e tij. Në këtë pikë, argumenti i tij është i rrënuar.
© Panorama.al












