
Komisioni i Ligjeve kishte parashikuar sot debatin për propozimin e PS. Do të diskutohet vetëm projektbuxheti. Socialistët do të kërkojnë një reformë të plotë parlamentare
Drafti i depozituar në Kuvend që prej 19 shtatorit u shty disa herë në Komisionin e Ligjeve, teksa u vendos përfundimisht nga selia rozë për të mos u diskutuar. Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se ky hap u ndërmor për të krijuar një hapësirë më të madhe për konsensusin me Partinë Demokratike që përfshin edhe ligjet me 3/5. Sipas kalendarit trejavor të Komisionit të Ligjeve të miratuar dy javë më parë, ishte vendosur që drafti që mban firmën e kreut të Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi të diskutohej në mbledhjen e sotme. Por, ashtu siç njoftohet edhe në faqen zyrtare të Kuvendit, Komisioni i Ligjeve do të mblidhet sot me vetëm një pikë në rendin e ditës, atë të miratimit në parim të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm. Në draftin e PS-së për ndryshimin e rregullores kërkohej rikthimi i votimit të fshehtë sa herë vendosej për emra. “Duke kaluar nga votimi për anëtarin, në votim për raportin, me dinakëri kalohet nga votimi i fshehtë në votim të hapur, duke shmangur parimin e votimit të fshehtë ‘për çështje që kanë të bëjnë me personat’ të sanksionuar në nenin 60 të Rregullores”, thuhet në propozimin e PS-së. Gjithashtu kjo forcë politike ka kërkuar që çështjet jashtë rendit të ditës që tani diskutohen në fund të seancës parlamentare, të rikthehen në fillim të seancës.
Pakti PS-PD
Gjatë kontakteve të fundit mes negociatorëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste është vendosur që reforma parlamentare të nisë pak më vonë se reforma zgjedhore. Kjo sepse më parë duhet të punojnë grupet e punës që do të përafrojnë rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë me rregulloren e Parlamentit Europian. Ky ka qenë një propozim i ardhur nga PD, ndërsa PS ka nisur nga puna për këtë pikë, pasi ka mandatuar Ditmir Bushatin të studiojë dhe përcaktojë pikat e kontaktit me rregulloren e Parlamentit Europian. Edhe kjo reformë do të duhet të përfundojë deri në fund të marsit 2012. Nga krahu i maxhorancës sipas të gjitha gjasave do të jenë sërish shefi i kabinetit i Kryeministrit Berisha, Oerd Bylykbashi dhe deputeti i PD-së, Viktor Gumi, ata të cilët do të negociojnë për këtë reformë. Sa i përket mënyrës së votimit, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli është shprehur se ajo duhet të jetë e hapur në mënyrë që qytetarët të mësojnë se si kanë votuar të zgjedhurit e tyre për çështje të caktuara.
“Rregullorja si ajo e PE-së”
“Për sa u përket rregullave të Parlamentit duhet të garantoj çdo shqiptar se, ndonëse rregullorja e këtij Parlamenti është në standardet më të larta demokratike, ne jemi të hapur për ta konfrontuar atë nen për nen, me rregulloren e Parlamentit Europian dhe standardet më të larta të Europës dhe të botës që ekzistojnë. Ky është dhe qëndrimi ynë. Uroj dhe shpresoj që nga këto standarde të udhëhiqet dhe frymëzohet dhe opozita në Parlamentin e vendit” është shprehur Kryeministri Berisha.
Topi: Jemi afër zgjidhjes
Presidenti Topi u shfaq optimist teksa tha se forcat politike janë pranë gjetjes së konsensusit. Si President, unë vazhdoj të jap apele, dhe besoj që jemi shumë afër një momenti komunikimi dhe fillimit të zgjidhjes së problemeve që janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për çdo qytetar shqiptar. Edhe njëherë i inkurajoj që me predispozicionin e duhur të fillojnë dialogun, të fillojnë komunikimin, pastaj vendimmarrja, kuptohet, është sipas të gjitha rregullave që ka demokracia”, tha Topi.
Propozimet e PS-së
Pak ditë më parë Partia Socialiste i ka dërguar një letër nëpërmjet Fatmir Xhafës, kreut të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali ku propozonte një axhendë konkrete për votimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. Sipas PS-së, disa prej ligjeve do të votohen në muajin nëntor, vetëm pasi të jetë ngritur një komision ad-hoc pranë komisionit të Ligjeve, i cili do të shqyrtojë të gjitha propozimet nga e para. Nga ana e saj maxhoranca ende është shprehur publikisht për këtë propozim.
ADI SHKEMBI











