Rrëfimi i parë i Gaxhait nga arrestimi në 1997: Ju tregoj mikun më të mirë

Feb 13, 2017 | 15:09

Gazmend Braka, i njohur ndryshe si Gaxhai, u arrestua në vitin 1997 për kryerjen e një sërë krimesh me bazë në qytetin e Vlorës.

gaxhai

Sot i ka kaluar të dyzetat. Në vitin e mbrapshtë 1997 ishte i ri dhe ashtu sikundër thotë edhe vet, nuk i mendonte shumë veprimet që kryente. E quante veten të fortë. Jo vetëm kaq. I ushqyer edhe nga kundërshtarët e tij, të së njëjtës moshë, ai shkoi më tej. Vendosi të bëhej kryetar i një bande të armatosur në qytetin e Vlorës. Po kështu për të marrë këtë titull, vendosi të kishte një pseudonim. “Gaxhai”, është pseudonimi i tij. Kështu e thërrasin edhe në burg. Edhe ne drejtuesve të institucionit të vuajtjes së dënimit në Peqin kur u prezantuam, i kërkuam që të zhvillonim një bisedë më Gaxhain.

Emri i tij i vërtetë Gazmend Braka ndodhet i shënuar vetëm në regjistrat e burgut si dhe sipër derës së qelisë. Prej 18 vitesh një prej personazheve të njohur të botës së krimit qëndron i mbyllur në qeli. Është dënuar me burgim të përjetshëm për një seri vrasjesh në qytetin e Vlorës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Është një nga të dënuarit, i cili ka tentuar të paktën tre herë të arratiset. Hera e fundit është ajo e vitit 2005, ku tentoi të largohej nga burgu 302 përmes një tuneli. Që prej atij momenti, duket se një prej të fortëve të qytetit bregdetar të Vlorës është pajtuar me fatin e tij.

Për herë të parë që nga dita kur provoi prangat në duart e tij, Gaxhai pranon të flasë për gazetën “Shekulli”. Ndërsa morën lejen për tu futur në një prej institucioneve të sigurisë së lartë atë të Peqinit, drejtohemi për tek sektori ku qëndrojnë një numër fare i vogël të dënuarish me burgim të përjetshëm. Ai quhet sektori “VIP”. Drejtuesit e burgut na thonë se ka marrë këtë emër, pasi në të janë akomoduar njëri-tjetrin dhe secili prej tyre qëndron në dhoma të ndara. Trokasim në derën e hekurt dhe të mbyllur hermetikisht të dhomës me numër 4. Dritaren e vogël të saj e hap Gazmend Braka, quajtur ndryshe “Gaxhai”. Përshëndetemi dhe menjëherë na njeh. Madje na kujton edhe rubrikat e viteve të mëparshme që ne kemi shkruar ndaj tij. Në pamje dukej i rënë moralisht.

Fizikisht na tha se është shumë mirë. Fjalët i ka të ngadalta dhe shumë pak e vë buzën në gaz. Pranon se nuk është më ai i viteve 1997. Thotë se vitet kanë bërë të vetën dhe se, ai tashmë është pajtuar me fatin. Para se t’i përgjigjet pyetjes së drejtuar prej meje, Gaxhai mendohet. Kokën e mban ulur ndërsa duart në xhep. Na tha se nuk e kishte të vështirë të fliste hapur, por për të ishte hera e parë që bisedonte me një gazetar ne qelinë e tij të kthyer tashmë në banesën e përhershme. Ne këmbëngulëm dhe më në fund arritëm të shkëpusim nga një prej të fortëve të viteve 1997 në qytetin e Vlorës, disa fakte të cilat ai i cilëson të vërtetat e jetuara gjatë trazirave dhe më pas ato në qelitë e burgut.

Cila është jeta juaj brenda këtyre mureve?

Jemi mësuar tashmë. Unë u bëra 40 vjeç. Jam futur fëmijë në burg dhe tashmë e di se çdo të thotë qëndrosh në qeli. Dita është shumë e thjeshtë, përgatis ushqimin dhe pastaj mundohem të bëj pak gjimnastikë. Është fare e thjeshtë.

Kush është miku juaj më i mirë këtu?

Nuk do ta besoni po të them se mikun më të mirë e kam televizorin. Gjatë ditës shkëmbejmë edhe ndonjë bisedë të shkurtër me shokët e sektorit.

Sa herë zhvillon takime me familjarët?

Takimet i kam rralla. Familjen nuk e kam në Shqipëri. Prej disa kohësh ata ndodhen në Gjermani. Kam tre fëmijë. Vajzën e madhe e kam 16 vjeçe dhe dy djem, njeri 14 dhe 10 vjeç. Fakti që janë jashtë shtetit më pengon të takohem me ta. Familjarët e tjerë i takoj më rrallë.

Sa herë komunikon me ta në telefon?

Kur më krijohet mundësia flas në telefon me fëmijët. Më merr malli, por kështu e ka jeta. Ky ishte fati im.

© Panorama.al

Te lidhura