
Në librin e tij me kujtime “Kur shembeshin themelet”, botim i shtëpisë botuese “Onufri”, ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme për vitet 1981-1992 tregon për një takim kokë më kokë me Ramiz Alinë. Kur Lame i argumentonte se përse duhej të lejohej pluralizmi, në një mënyrë indirekte Alia i shprehu idenë e formimit të partive të reja prej njerëzve të besuar të Partisë së Punës, por që ai ishte skeptik nëse populli do ta besonte këtë gjë… Gjithashtu Lame tregon për momentin e shpërthimit të protestave të studentëve, thirrjet e të cilëve hynin në ambientet ku mbahej një mbledhje e Presidiumit të Kuvendit Popullor, anëtar i të cilit ishte edhe skulptori Kristaq Rama. Teksa dëgjoheshin thirrjet “Liri Demokraci”, Ramiz Alia i drejtohet Ramës, duke thënë se ishin pikërisht bijtë e “shokëve” të Presidiumit që merrnin pjesë në demonstrata, duke pasur parasysh Edi Ramën. Pas përfundimit të mbledhjes, sipas kujtimeve të Qemal Lames, ky i fundit teksa bën një copë udhë bashkë me Kristaq Ramën, patën mundësi të flisnin për arsyet pse Rama ishte bërë pjesë e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe se i biri, Edi, e kritikonte vazhdimisht për këtë fakt.
NJË TAKIM ME RAMIZ ALINË, ME KËRKESËN E TIJ
Ditën e botimit të artikullit në gazetën “Drita”, më 2 dhjetor 1990, rreth orës 9:00, më kërkoi në telefon Ramiz Alia:
– Shoku Qemal! Kam lexuar artikullin që ke shkruar në gazetën “Drita”. Ma sollën në mëngjes, që para orës shtatë, në shtëpi. Është këtu, në zyrë, e kam mbi tavolinë. Po të kesh kohë, hajde të bisedojmë.
– Po, shoku Ramiz, – iu përgjigja. – Po vij menjëherë.
Pasi vajta në zyrë, vazhduam bisedën. Ramizi sqaroi më tej mendimin e tij:
– Nga artikulli del e plotë ideja për një mendim të ri, për sistemin politik dhe juridik. Duke lexuar, krijova mendimin: Qemal, ti ke mendim më të gjerë se ato që shkruan!
– Po, shoku Ramiz. Problemi kryesor, siç kam thënë edhe herë të tjera, mbetet pluralizmi politik. Duhet të pranohet, edhe në vendin tonë sistemi me shumë parti…
– Qemal! Ti do që të krijohen parti të reja politike?!
– Po. Ky është mendimi im. Është mirë që sa më shpejt të vendoset sistemi me shumë parti dhe të funksionojë shteti ligjor…
Edhe reformat që po kryhen gradualisht për demokratizimin, kanë si përfundim pluralizmin politik dhe shtetin.
– Unë mendoj se pluralizmi ideologjik, që diskutuam në Plenum, e plotëson këtë sistem, në kushtet e vendit tonë….
– Pluralizmi ideologjik nuk mund të plotësojë dhe as të zëvendësojë pluralizmin politik, shoku Ramiz. Në vazhdim të këtij argumenti, është fakti se çdo ideologji ka një filozofi politike të caktuar. Kjo filozofi politike, buron nga platforma
e një politike të caktuar, e një partie politike. Partitë politike janë forca politike e organizimit më të lartë politik të një grupi ose grupimesh shoqërore, shtresave shoqërore të caktuara, me kërkesa, aspirata dhe qëllime të caktuara për gjendjen politike e shoqërore, zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë shoqërinë, rrugën që do të ndiqet në perspektivë për të garantuar sigurinë dhe zhvillimin shoqëror. Këto janë disa nga kriteret teorike dhe praktike të funksionimit të politikës dhe të rolit që ajo ka në sistemin shoqëror të caktuar.
– Do që të krijosh vetë një parti tjetër?,- më ndërpreu vazhdimin e mëtejshëm të mendimit tim…
– Jo, shoku Ramiz. Unë nuk kam pasur ndonjëherë mendim për të krijuar vetë parti politike. Unë personalisht nuk dua të krijoj ndonjë parti tjetër politike. Unë jam i bindur në pikëpamjet e mia për socializmin dhe demokracinë. Partia e Punës është ripërtëritur në organet udhëheqëse, janë caktuar në detyra drejtuese njerëz të rinj, me arsim të lartë, të aftë profesionalisht, vlerësohen nga opinioni shoqëror, me ide të reja që premtojnë të bëjnë ndryshime, në përshtatje me kohën e sotme. Janë realizuar disa masa me rëndësi, si ndryshimet në Kushtetutë, për sistemin shtetëror dhe ekonomik, u krijua mundësia për njohjen e pronës private, lejimin dhe garantimin e investimeve të huaja, punën private, administrimin e ri në ndërmarrjet shtetërore dhe kooperativat bujqësore etj. Unë kam dhënë mendimet e mia edhe në komisionin qeveritar, ku bëja pjesë, edhe për këto ndryshime ligjore. Po të zbatohen mirë këto ligje të miratuara, do të krijohet përvojë dhe do të vlerësohet më mirë gjendja dhe perspektiva ku duhet të shkojmë…
– Përse thekson dhe arsyeton mendimin për parti të tjera politike? – Mendoj se është e domosdoshme të analizojmë me objektivitet dhe qetësi, gjendjen e brendshme politike, situatën e përgjithshme ndërkombëtare dhe masat që kërkohet të merren për një politikë që të jetë e aftë për të përmirësuar gjendjen e rëndë politike dhe shoqërore dhe për të përcaktuar një strategji më të studiuar për të ardhmen. Jemi vend europian dhe e kemi të domosdoshme të gjykojmë e marrim vendime që kanë në përmbajtje ruajtjen e shtetit dhe interesat tanë kombëtarë, duke i përsosur me përvojën europiane. Me ndihmën e shteteve të fuqishme perëndimore, do të kemi mundësi të përmirësojmë gjendjen dhe të zgjidhim çështjen kombëtare. Shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi dhe në Çamëri presin nga ne. Vendet e tjera ish-socialiste kanë kaluar në sistemin demokratik perëndimor. Ne nuk mund të ecim më në këtë rrugë, si deri tani, dhe me këto parime politike për socializmin e diktaturën e proletariatit. Pluralizmi politik që mund të pranohet edhe nga Partia e Punës, do të ndikojë pozitivisht në gjendjen e përgjithshme politike, përfshirjen e grupimeve të ndryshme shoqërore, sipas bindjeve politike etj. Reformat që po merren nga Partia, mendoj se na çojnë në fund të fundit në këto përfundime. Më mirë të reagojmë tani. Po të hezitohet, do të jetë vonë.
– Të ndryshojmë vijën politike dhe të ndryshojmë sistemin, që shoku Enver na ka porositur ta ruajmë dhe ta forcojmë?
– Mendoj se gjendja politike dhe shoqërore, pakënaqësitë e mëdha në popull, paralizimi i ekonomisë dhe financave etj., mosplotësimi i nevojave për nivelin normal të jetesës, kërkojnë të bëhen ndryshime thelbësore. Vizioni i të ardhmes ka rëndësi të orientohet në idetë e reja politike që shtrohen dhe imponohen nga gjendja në të cilën ndodhet populli.
– Përse je kaq i sigurt në mendimin tënd?
– Unë jam më i riu në Plenumin e Komitetit Qendror, shoku Ramiz. E dua Partinë dhe popullin. Është koha për ndryshime. Kërkohet të dëgjojmë dhe interpretojmë me kurajë mendimin e popullit, për përmirësimin e gjendjes politike dhe të reflektohet sa më shpejt në plotësimin e nevojave elementare të jetesës së popullit. Kështu nuk ecet më, thonë hapur njerëzit. Këtë e dëgjojmë kudo ku jetojmë dhe në çdo rreth apo grup njerëzish me të cilët marrin kontakte, kur shkojmë për të realizuar detyrat që na janë caktuar. Kam bindjen se kemi shansin historik për të realizuar ndryshime me rëndësi politike dhe shoqërore. Analiza që unë i bëj situatës politike të brendshme dhe asaj të jashtme, kërkon ndryshime thelbësore për ndryshimin dhe hedhjen e hapave me guxim. Deri tani, ka pasur rezultate. Gjendja është rënduar. Kemi ngelur prapa në zhvillimin tonë, në krahasim me shtetet fqinje dhe ato të zhvilluara. Nuk kemi mundësi ekonomike dhe financiare për të ecur më tej në këtë rrugë, siç është konceptuar dhe zbatuar socializmi dhe shteti i diktaturës së proletariatit.
– Çfarë mendon atëherë?
– Mendoj se është momenti historik për të realizuar kalimin paqësor nga socializmi në demokraci. Socializmi është demokratik në përmbajtjen e tij, si doktrinë politike dhe si ideologji. Këto parime të drejta kanë ndikuar që socializmi si sistem është mbështetur nga pjesa më e madhe e popullit. Gjendja ku jemi, ka evidentuar të metat e sistemit të zbatuar në vendin tonë, si dhe në vendet e tjera ish-socialiste. Kërkohet një mendim i ri politik. Për të realizuar këtë ndryshim që kërkon populli, vlerësoj se është e nevojshme të mendojmë për idetë e reja, të veprohet me kurajë dhe të bëhen ndryshimet që u parashikuan me ndryshimin e Kushtetutës dhe të ligjeve. Në mendjen time kam krijuar idenë për ndryshimet e domosdoshme që duhen bërë në teori dhe në praktikë për socializmin demokratik. Këto probleme nuk i kam diskutuar kaq gjerë me ndonjë njeri tjetër. Meqë po më pyesni me intimitet, ndiej detyrimin që të argumentoj po me sinqeritet mendimin tim. Së pari, është e nevojshme të vlerësohet dhe mbështetet mendimi i ri politik për socializmin dhe demokracinë në kushtet e sotme të vendit tonë, si dhe të përvojës së vendeve të tjera në Perëndim dhe në Lindje. Kjo kërkon që të parapërgatiten organet e partisë, komunistët, intelektualët dhe në tërësi populli. Vazhdimësinë e mësimeve të Enver Hoxhës populli nuk mund ta pranojë më në kushtet e rënda në të cilat jemi. Gjendja e rëndë ka shkaktuar pakënaqësinë për pasojat e ardhura nga sistemi i diktaturës së proletariatit. Ka rëndësi që të merren mendime nga organet e partisë, intelektualë me reputacion në popull, si dhe njerëz që kanë ide të reja. Së dyti, të vlerësojmë marrëdhëniet shoqërore në të cilat jemi dhe të ndryshojmë duke filluar nga ndryshimet në Kushtetutë, për sistemin politik dhe shoqëror. Së treti, të lejohet krijimi i partive të reja politike. Së katërti, të vendosim, të rivendosim marrëdhëniet me shtetet perëndimore, të cilat i kemi ndërprerë. Të rivendosim edhe lidhje më të mira me shtetet e Europës Lindore, që kanë kaluar nga socializmi në demokraci. – Qemal! Nuk është kaq lehtë si mendon ti. Pranimi i pluralizmit politik nënkupton dorëzimin e pushtetit te partitë e reja që krijohen.
– Mendoj se populli, në shumicën e tij, e përkrah Partinë. Edhe ju vlerësoheni për reformat graduale që janë miratuar dhe pritet zbatimi i tyre në praktikën shtetërore. – Jo! Nuk është çdo gjë pluralizmi politik. Është e vërtetë se populli ka besim dhe mbështet Partinë e Punës. Prandaj, nuk ka presione nga populli për parti të tjera. Ideja e pluralizmit shtrohet në formë presioni nga vendet perëndimore, që të ndryshojmë politikë dhe të afrohemi me Perëndimin. Njerëzit nuk mund t’i besojnë ndonjë personi që do të krijojë parti të re. Kemi më shumë se 45 vjet në pushtet dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë me përkrahjen që na bën populli. Edhe po të caktojmë disa njerëz të besuar për të krijuar parti të reja, që të plotësojmë mekanikisht kërkesat e shteteve perëndimore, atyre nuk u beson njeri. – Mendoj se pluralizmi politik duhet të lihet të zhvillohet natyrshëm, shoku Ramiz. Grupimet politike të shtresave të popullit është mirë të vendosin vetë për përkatësinë e tyre politike. Së pari, mendoj se nuk duhet të përsëritet gabimi që bëri Mustafa Qemal Ataturku në Turqi, që caktoi shokun e tij të ngushtë, për të krijuar një parti të re politike, për të bërë ndryshimin siç kërkonin shtetet e tjera perëndimore. Kur shoku i tij u bë opozitar i fuqishëm dhe filloi të pretendojë më shumë për pushtet më të madh, ai u bë i rrezikshëm. Ataturku e arrestoi dhe e dënoi me vdekje. Së dyti, zgjedhja e disa personave të njohur dhe mbështetja e tyre për krijimin e partive opozitare do të ishte një veprim mekanik. Njerëzit njihen nëpërmjet punës. Pushteti nxit dhe kultivon edhe egoizmin për më shumë vlerësim dhe marrje më shumë pushtet politik, legjislativ, gjyqësor etj. Në fillim ata janë mirënjohës, ndaj atij me shumë pushtet dhe premtojnë besnikëri. Por kur forcojnë pozitat, marrin famë, krijojnë përvojë politike, duan më shumë pushtet. Kur e shohin se pengesa kryesore është ai që i ka mbështetur dhe bërë të njohur në politikë, veprojnë gradualisht në mënyrë të maskuar dhe pastaj hapur, të minojnë pushtetin, të dobësojnë pozitat, deri edhe të largojnë me forcë, të arrestojnë, të dënojnë etj. Pra, pushteti krijon ambicien për pushtet.
– Paske njohuri të mira edhe nga politika ndërkombëtare për pluralizmin?! Edhe nga ana filozofike i argumenton mendimet! – Këto i kam lexuar në historinë moderne të Turqisë, shoku Ramiz. Profesioni i hetuesit më ka dhënë edhe përvojën politike.
– Qemal! Këto mendime më befasojnë. I sheh fenomenet ndryshe nga politika që po zbaton Partia…
– Ju më pyetët me sinqeritet, shoku Ramiz. Unë e ndjeva për detyrë të përgjigjem, po me të njëjtën mënyrë: të shpreh pa rezerva mendimet e mia. Nuk isha përgatitur për këtë bisedë. Janë mendime që tani u formuluan më qartë, pas pyetjes suaj. – Mirë, Qemal. Me kurajë dhe mendimin tënd. Ke ide të avancuara. Në këto kushte, ato zor se mund të kuptohen nga shokët e tjerë të udhëheqjes. Faleminderit!
– Unë ju jam mirënjohës, shoku Ramiz, që më thirrët dhe më kërkuat mendim… Rrugës për në zyrë analizova edhe një herë bisedën. Kisha kaluar çdo kufi të lejuar nga politika dhe praktika e diktaturës së proletariatit. Ishte me pasoja. E kuptoja përgjegjësinë. Njëkohësisht isha i bindur se kisha mbajtur qëndrim të drejtë. Kisha argumentuar mendimet e mia.
STUDENTËT I JAPIN GODITJEN PËRFUNDIMTARE SISTEMIT SHTETËROR ME NJË PARTI
Ishim në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Bëhej analizë për gjendjen e kriminalitetit dhe ishte paraqitur një raport nga Hetuesia e Përgjithshme. Po bëheshin diskutime. Kritikohej rritja e kriminalitetit dhe zbulimi i pamjaftueshëm i krimeve të rënda, sidomos i atyre që destabilizonin gjendjen. U vu në dukje edhe një herë kritika për liberalizëm në Hetuesi. U kritikua bashkëpunimi me Sigurimin e Shtetit dhe Policinë, sidomos për lirimin nga hetuesia të personave të ndaluar nga policia… Papritur u dëgjuan në afërsi thirrjet: Liri-Demokraci… Të gjithë drejtuan sytë nga jashtë dritares, nga vinin thirrjet. Në krah kisha Kristaq Ramën. Në këto mbledhje rrinim pranë njëri- tjetrit me kënaqësi dhe ndanim mendime të njëjta për situatën e krijuar. Ramizi mori në telefon ministrin e Brendshëm. Pastaj, duke vështruar nga Kristaqi dhe unë, tha: Janë studentët e Arteve. Janë djemtë e shokëve tanë, që demonstrojnë (Me këtë përcaktim jepte të kuptonte për Edi Ramën, djalin e Kristaqit.) Ligji i Qemalit nuk i dënon. Çfarë presim? Kur të vijnë të na hyjnë në sallën e mbledhjes? (Me përmendjen e emrit tim donte të rikujtonte qëndrimin e hetuesisë për dekretin për manifestimet, ku ai kërkonte që hetuesia të hetonte dhe të çonte personat në gjyq, sipas praktikës së vjetër, megjithëse kishte ndryshuar ligji.) Dekreti për mbledhjet dhe manifestimet publike ka parashikuar rregulla të reja, shoku Ramiz, – sqarova shkurt mendimin tim. Nuk pati reagime të tjera. Si kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, argumentova se hetuesia ka zbatuar një politikë të drejtë penale. Pasi mbaroi mbledhja, u larguam bashkë me Kristaqin. Ai dukej i tronditur, por nuk e jepte veten, ishte shumë burrëror. Rrugës kemi vazhduar bisedat dhe më thotë: U emërova pa dëshirën time si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Jam skulptor dhe nuk kam pasur dhe nuk kam dëshirë për politikë. Emri im u bë fakt i kryer. Nuk mund ta kundërshtoja. Nuk kam asnjë përfitim dhe nuk dua të kem. Më pëlqen profesioni im dhe i jam përkushtuar skulpturës. Kam pasur vlerësime të mëdha artistike për monumentin e Enver Hoxhës, bashkë me Muntaz Dhramin etj. Prandaj na kanë emëruar, mua këtu në Presidium dhe Muntazin në Plenumin e Komitetit Qendror. Thonë se na vlerësojnë, por në fakt na dëmtojnë emrin tonë si artistë, duke na politizuar… Djali del në demonstratë, pasi është me ide politike që nuk përputhen me politikën aktuale. Ai ka të drejtë kur më kritikon se përse rri akoma këtu në Presidium. Por nuk kam si shkëputem. Me ty Qemal, si gjithmonë, flas hapur se kam besim dhe e vlerësoj mendimin tënd politik, uroj të kesh sukses. Të bien më qafë padrejtësisht. Kritikohesh për liberalizëm, se zbaton ligjin. Unë të kam mbështetur dhe të mbështes. Është shumë pozitive, që një njeri si ju është në këtë organ të lartë shtetëror, – i plotësova mendimin.- Pavarësisht nga qëllimet e emërimit, fakti që këtu ka njerëz si ju, e bën më human këtë organ. Ju dhe ata si ju keni një kulturë qytetare, për të cilën ka nevojë drejtimi i shtetit. Emërimi i ministrave të rinj, si Skënder Gjinushi, Farudin Hoxha, Ismail Ahmeti, Besnik Bekteshi, Pajtim Ajazi etj., i ka dhënë një frymëmarrje të re veprimtarisë shtetërore. Populli tregohet i kënaqur me këto zgjedhje. Ju kanë afruar me qëllimin që t’i mbështesni, por ju mbani qëndrim parimor dhe nuk mbështesni padrejtësitë. Këtë qëndrim nuk e kanë llogaritur. Ndryshe nuk do t’ju kishin emëruar. Jeni nga ata që flet hapur dhe thoni me guxim fjalën tuaj. Kjo e frenon edhe Ramizin, në dhënien e mendimeve dhe marrjen e vendimeve. Duam ndryshime demokratike. Këtë do ta arrijmë me njerëz me kulturë të gjerë qytetare, si ju. Djali bën mirë që thotë hapur mendimet e tij. Manifestimi publik e politik nuk është më i dënueshëm. Po kështu ndanim mendime të njëjta për gjendjen e rëndë dhe ndryshimet që duheshin bërë. Kur arritëm te sheshi “Skënderbej”, u ndamë, ai për në shtëpi, në Rrugën e Kavajës, dhe unë për në zyrë. Më 1 dhjetor 1990, studentët e Universitetit të Tiranës “Enver Hoxha” kishin afishuar në korpusin qendror një peticion ku kërkohej plotësimi i kushteve më të domosdoshme të tyre, për jetesë e studim. Në rast se këto nuk do të plotësoheshin, kërkohej dorëheqja e qeverisë. Studentëve nuk iu dha përgjigje nga qeveria. Pas kësaj heshtjeje dhe mosdhënies brenda një jave të një përgjigjeje për plotësimin e kërkesave të paraqitura, u kalua në veprime konkrete të organizimit të studentëve për demonstratë. Nga data 7 deri më 9 dhjetor 1990, do të bëhej organizimi i parë i studentëve me një platformë politike kundër regjimit në fuqi.
QEMAL LAME
© Panorama.al











