Rrëfimet e mikut të Heminguejt: “U vetëvra se e ndiqte FBI-ja”

Jul 4, 2011 | 11:22
Heminguej dhe Kastro

Misteri ka rrethuar vdekjen e Ernest Heminguejt qëkur ai i dha fund jetës së tij pesëdhjetë vjet më parë.Por, në përvjetorin e vdekjes së tij, miqtë e kanë hedhur poshtë variantin se shkrimtari i madh kishte vrarë veten për shkak të çrregullimit të personalitetit ose depresionit. Sipas tyre, këto nuk kanë lidhje me vetëvrasjen e tij. Miku i Heminguejt dhe dramaturgu Aaron Eduard Hotçner, ka sugjeruar se arsyeja që shkrimtari i njohur vrau veten ndërsa gruaja e tij, Maria, flinte në shtëpinë e tyre në Idaho, ishte se ai e kishte kuptuar mbikëqyrjen e FBI-së, e cila dyshonte për lidhje të tij me Kubën. Hotçner, i cili ka botuar dy libra mbi jetën e Heminguejt, shkroi në “New York Times” se shqetësimet e fituesit të çmimit “Nobel” (Heminguej), të cilat u hodhën poshtë si iluzionet paranojake, patën një ndikim të madh në jetën e tij dhe kontribuuan ndjeshëm në ankthin dhe vetëvrasjen. “Heminguej u frikësua shumë nga jeta e përgjuar dhe ndjekja prej FBI-së”, shkruante Hotçner. Ai ka përmendur dy incidente që nxirrnin në pah ankthin e mikut të tij të vjetër se ishte i ndjekur nga agjentët. Në nëntor 1960 ai kishte shkuar në Idaho për të takuar Heminguejin dhe mikun e tyre, Duke MekMullen, për të kryer një udhëtim peshkimi, por në vend që të ndalonte në barin e tyre, Heminguej, i mbushur me ankth, nuk pranoi të ndalonte nga shqetësimet e tij të zakonshme. Hotçner kujton se Heminguej i kish thënë se agjentët e FBI-së po e ndiqnin. “Ky është ferri më i keq. Ferri i dreqit. Ata kanë përgjuar çdo gjë. Kjo është arsyeja pse ne jemi duke përdorur makinën e Dukut. E imja përgjohet. Çdo gjë më përgjohet. Nuk mund të përdor telefonin. Posta përgjohet”, kish thënë Heminguej. Kotchner tha se Heminguej u bë më i shqetësuar në udhëtim duke kërkuar të ndalonin për të parë dy burra që po punonin në një bankë, i bindur se ata ishin duke kërkuar nëpërmjet llogarive të tij me urdhër të FBI-së. Autori i shqetësuar, gjithashtu kujton se si Heminguej, gjatë së njëjtës vizitë, identifikoi dy të huaj si agjentë të FBI-së që i ishin vënë pas. Pas dy incidenteve, Heminguej u shtrua në spital, ku iu nënshkrua terapisë me elektroshok dhe tentoi disa herë, pa sukses, të vetëvritej. Kjo sjellje i bëri miqtë e tij të mos e besonin në atë kohë mbi çdo pretendim se ai ishte një objektiv i FBI-së, duke e quajtur të çuditshëm. Pretendimet e tij mbi ndjekjen nga FBI-ja mbetën të pavërtetuara edhe kur i dha fund jetës në vitin 1961. Por, në vitet ‘80, ankesat e autorit u gjetën të justifikuara kur agjentët publikuan dosjen e tyre mbi të pas një kërkese nga “Liria e Informacionit”. FBI-ja ishte interesuar intensivisht për të dhe kishte mbajtur shënime në lidhje me përpjekjet e tij për të nisur një rrjet spiunimi antifashist. Agjentët më pas i raportuan Presidentit të atëhershëm amerikan, J. Edgar Hoover, se autori ishte fizikisht dhe mendërisht i sëmurë. Ndjekjen ndaj tij ata e zvogëluan kur Heminguej u shtrua në spital. Dosja e autorit kishte më shumë se 120 faqe. Tani miqtë e tij shprehin keqardhjes pse nuk e kishin marrë seriozisht shqetësimin e tij në atë kohë.

© Panorama.al

Te lidhura