
Pas mbrëmjeve poetike në skenën e Teatrit të Metropolit, rikthehet si regjisore me dy projekte të reja, në Tiranë dhe në Prishtinë. Aktorja tregon për jetën e saj, karrierën, pedagogjinë dhe fëmijët.
Kur bëhet fjalë për dashurinë, ajo gjithnjë di të flasë bukur. Më shumë se një interpretim artistik në skenë, përpara publikut artdashës, Rozina Kostani di të përçojë emocionin. Dhe një i tillë përjetim ishte i pashmangshëm në të tri javët, ku ajo u shfaq si një nga protagonistet e mbrëmjeve poetike të zhvilluara në skenën e Teatrit të Metropolit. Ndihet kaq mirë mes vargjeve të Naimit, Lasgushit, pse jo dhe Vojsava Nelos, që i këndon gruas… “Në të gjitha herët, kam zgjedhur për të interpretuar temën e dashurisë. Ndofta, ngaqë jam më e reja dhe ndiej rrahjet e fuqishme brenda meje. Interpretimi i fundit ishte më tepër një thirrje në emër të dashurisë, që u zë pritë gjithë të këqijave të marrëdhënieve njerëzore, siç janë dhuna ndaj gruas, diskriminimi etj”, thotë Kostani. E ka shprehur botërisht qasjen e saj ndaj aktrimit, ndërkohë që regjisura është përditshmëria e saj, që nis nga auditorët e Akademisë së Arteve për të përfunduar në projekte personale. Mbi dy të tilla ajo është duke punuar këto kohë, por preferon të jetë diskrete. Sepse gjithnjë u paraprin të papriturave, të cilat rëndom janë pjesë e punës së saj. “Zakonisht flas për projektet e mia pasi nisin provat në skenë. Momentalisht po punoj për një shfaqje në Teatrin e Komedisë. Një komedi angleze, regjisore e së cilës do të jem unë. Kam nisur përzgjedhjen e kastit të aktorëve dhe për disa ditë do të nisim provat. Qasjet e fundit i kam pasur kryesisht drejt zhanrit të komedisë, por jo asaj që të gajas nga fillimi në fund, por asaj që ther në problematikat e shoqërisë shqiptare. Njëherësh, jam e ftuar në Prishtinë, për të qenë regjisore e një tjetër shfaqjeje komedie me aktorë shqiptarë”.
13 vitet e pedagogjisë në Akademinë e Arteve të Bukura

Asnjëherë nuk ka kërkuar që përmes figurës së pedagoges të vendosë diktatin në radhët e studentëve të saj. Sepse arti nuk ka rregulla të qarta, të shkruara e zeza mbi të bardhë… Ka mjeshtëri profesionale, mbi të gjitha pasion. Rozina Kostani thotë se për studentët e Akademisë bën pjesë në grupin e pedagogeve të dashura, me të cilën mund të komunikosh lirshëm, përtej kornizave pedagog-student. “Prej 13 vitesh jap lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit në Akademinë e Arteve. Të japësh mësim është një eksperiencë shumë e bukur. Duke qenë pasionante si natyrë, e bëj me dëshirë punën. Është diçka që më mban të karikuar thuajse çdo ditë. Besoj se interesi i brezave të studentëve është variabël në vite të ndryshme, për shkak edhe të zhvillimeve të hovshme që ka pasur vendi ynë. Studentët sot janë të bombarduar nga fluksi i madh i informacionit, nevojës për t’u asociuar, për të punuar, dhe në këtë duzinë raportesh më duhet të bëj punën time profesionalisht, duke mos diktuar rregulla, por duke ofruar edhe përvojën personale. Kam bashkëpunim shumë të mirë me të gjithë studentët e mi”.
Nëna e dy fëmijëve
“Them me bindje se kam një jetë plot ngjyra, variacione”, pohon Rozina. Dashuria me bashkëshortin e saj ka lindur në moshë të herët, por martesa erdhi në moshë të pjekur. “Nëse nuk do të kisha lindur një fëmijë përpara të 30-tave, gjithçka më pas do të ishte e vështirë për t’u vendosur”, thotë regjisorja. Lindja e fëmijëve dhe ardhja në jetë e vajzës Sarah Nikol, sot tetë vjeçe e gjysmë, dhe Orestit gjashtëvjeçar, i ka ndryshuar plotësisht jetën. Mëmësia për të është një nga ato role që nuk ka të krahasuar me asnjë prej atyre të tillave që ajo ka interpretuar në skenë. Herë një nënë autoritare që kërkon t’i dëgjohet fjala, ashtu siç herë të tjera ajo bëhet tok me fëmijët, duke luajtur në dysheme me lodrat e tyre, duke bërë mësimet së bashku, e duke u bërë më fëmijë se ata. Rozina ka preferuar të gjejë ekuilibrat, që e ndihmojnë për të qenë një bashkëshorte dhe nënë e devotshme, gjithashtu një artiste e kompletuar. “Është kaq bukur të jesh prind… Kur më merr im bir në telefon dhe belbëzon për të më thënë se e ka marrë malli, kur luaj tok me ta, kur i vë në gjumë dhe thuajse çdo natë u lexoj përrallat e preferuara… Dua që të mos gdhend fëmijë sipas dëshirave të mia, por fëmijë me karakter. Çdo mëngjes i shoqëroj për në kopsht dhe në shkollë, i jap porositë e mia, ndërsa darkave kur mblidhemi të gjithë bashkë në folezën tonë familjare është momenti më i bukur, ku diskutojmë për ngjarjet e ditës, për të papriturat, për ta mbyllur me përrallat aq të dashura për ta”, përfundon ajo.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











