Rovena Stefa: Kënga “Djepi” sensibilizim për të bërë fëmijë, unë do bëj pesë

Jun 3, 2012 | 13:16

Këngëtarja e njohur Rovena Stefa, në një konferencë për media, ka promovuar klipin e saj të ri “Djepi”, me të cilin siç ka thënë synon të sensibilizojë nënat dhe familjet shqiptare për një familje të shëndoshë dhe me më shumë fëmijë. Stefa ka deklaruar se e gjithë ideja e këtij klipi është që të gjitha nënat shqiptare, të gjitha familjet tona, duhet të lindin sa më shumë, nëse kanë dashuri për familjet e tyre. “Teksti ‘Djepi’ është i thjeshtë,  i bukur,  i drejtpërdrejtë dhe do të vijë tek ju shumë pastër. Shpresojmë t’ju pëlqejë mesazhi që ne kemi dhënë. Ekzistenca jonë, e kombit shqiptar, varet nga numri i popullsisë dhe lindjet. Sa më shumë të ketë lindje, aq më shumë rritet numri i popullsisë, aq më shumë rritet forca vitale, forca rinore, forca e punës”, ka thënë Stefa. E pyetur se si e ka parë angazhimin e institucioneve në ngritjen e lindshmërisë, Rovena ka thënë se jetojmë në një vend, që kemi vështirësi dhe nuk kemi politikat sociale, që shtetet e tjera i praktikojnë me lindjen e një fëmije, por së paku duhet të vetedukohemi nga ana morale dhe psikologjike, që të ndryshohet në të mirë të vendit tonë. “Në momentin që unë martohem, do t’ju premtoj të gjithëve, që unë e para do të mundohem ta shtoj familjen me pesë fëmijë. Ky është një premtim“, ka thënë Stefa. Ndërsa, tekstshkruesi Avni Qahili ka thënë se populli shqiptar ka mbijetuar nga tradita dhe lindja e madhe e në asnjë mënyrë nuk mund të na shtypë askush. “Ishte një ide e përbashkët imja dhe e Rovenës, pikërisht në 100-vjetorin e Pavarësisë, të bëjmë një projekt mbarëshqiptar, duke përfshirë një autor teksti nga Maqedonia, një video realizues nga Kosova dhe një kengëtare dhe kompozitore nga Shqipëria, që simbolikisht ne t’i bashkojmë trojet tona”, ka thënë Qahili. Kurse, përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Genc Prelvukaj, ka thënë se qellimi i rritjes së lindshmërisë, po e bën këtë këngë më të madhe dhe do ta ketë efektin në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët. Të pranishmëve u është drejtuar edhe përfaqësuesja e Agjencisë së Statistikave, Hazbije Qeriqi, e cila duke përshëndetur iniciativën e Rovenës, ka thënë se pas regjistrimit të popullsisë, që kanë bërë vitin e kaluar, në vjeshtën e këtij viti do të dalim me rezultate përfundimtare. Para viteve ‘90, lindjet kanë qenë në rritje, por më pas ka filluar një rënie, e cila në ditët e sotme mund të përkthehet si përgjysmim i lindjeve. Dhe në këtë rënie kanë ndikuar disa faktorë, një nga ata më kryesorët është emigrimi masiv, pastaj kushtet ekonomike, shkurorëzimet dhe angazhimi i femrës shqiptare në punë.

© Panorama.al

Te lidhura