Albert Rohan, i cili me Martti Ahtisaarin hartoi propozimin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, që shërbeu si bazë për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur më 2008, thotë se ai plan, i njohur si Pakoja e Ahtisaarit, është zgjidhja edhe për veriun e Kosovës, dhe në vend të diskutimeve për një zgjidhje të re, do të duhej të bisedohej për zbatimin e saj.
Në një intervistë të shkurtër për “Kohën Ditore”, diplomati i mirënjohur austriak, Rohan, thotë se përgjegjësia për veriun e Kosovës është para së gjithash e institucioneve dhe e lidershipit politik të Kosovës, por edhe e Beogradit dhe vetë serbëve në veri.
Ndërsa Brukseli, përveç që duhet të ofrojë përkrahje më të madhe për stabilizimin e Kosovës, është koha e fundit të tejkalojë edhe pengesën që ia krijojnë Kosovës 5 vendet e BE-së që ende nuk e njohën pavarësinë.











