
Reparti i Inspektim-Shpëtimit të Minierave ka deklaruar dje se shpërthimi i të martës së javës së kaluar është një gabim njerëzor. Sipas drejtuesve të RISHM-it, rezulton se në brendësi të galerisë 16, ku 1 javë më parë humbi jetën minatori Naim Shyti dhe u plagosën rëndë tetë të tjerë, ka pasur një shkëndijë zjarri. Kjo shkëndijë në ambientet e tejngopura me hidrogjen ka provokuar shpërthimin fatal për minatorët që ndodheshin në brendësi të galerisë. Përfundimi i kontrollit të RISHM-it është bërë publik gjatë një mbledhjeje të zhvilluar mes specialistëve të këtij reparti, përfaqësuesve të ACR-së dhe Prokurorisë. Në këtë mbledhje janë bërë të njohura dhe masat ndëshkuese për ACR-në, drejtorin e minierës dhe shefin e ajrimit, i shkarkuar javën e shkuar. “Për neglizhencë të rregullave të sigurimit teknik në minierën e Bulqizës, kompania austriake ACR gjobitet me 500 mijë lekë, drejtori Medat Zogu me 150 mijë lekë dhe po me këtë vlerë inxhinieri Afrim Okshtuni.
I menjëhershëm pas deklaratës së RISHM-it ka qenë reagimi i minatorëve. Taf Koleci, presidenti i Sindikatës së Punonjësve të Industrisë tha se ka mbetur i befasuar nga konkluzionet e RISHM-it, pasi sipas tij edhe në këtë rast përsëritet rituali i shpalljes “fajtorë” të viktimave. “Që ditën e parë të ngjarjes së rëndë, ku mbeti një minator i vdekur dhe u plagosën tetë të tjerë, këshilli sindikal parandjeu se strukturat shtetërore do të sajonin ngjarjen si të “favorizuar” nga ana e minatorëve që u ndodhën në zonën e shpërthimit. I pari që nxitoi të jepte këtë version ishte drejtori i minierës së Bulqizës, Medat Zogu dhe tani edhe RISHM-i deklaron të njëjtën gjë”, tha Koleci për “Panorama”. Ai theksoi se dje ka ndjekur një pjesë të mbledhjes, ku të pranishëm kanë qenë prokurorë të çështjes, përfaqësues të ACR-së, të AKBN-së dhe Ministrisë së Ekonomisë. Sipas raportit të RISHM-it, në vendin e shpërthimit janë gjetur cigare, paketa, çakmakë, të cilët kanë provokuar shpërthimin. Ndërkohë, për Taf Kolecin nuk janë cigaret shkaku i shpërthimit, por gjendja skandaloze e pajisjeve elektrike. “Shpërthimi vdekjeprurës nuk është shkaktuar nga cigaret e minatorëve, por shkak është bërë gjendja jashtë standardeve e pajisjeve elektrike, pasi ato nuk janë të termoizoluara. Disa herë e kemi ngritur këtë shqetësim dhe nga ACR ka heshtje. Nga këto pajisje të pasigurta, të vjetruara, mund të jetë shkaktuar lidhje e shkurtër”, deklaroi Koleci, duke dhënë tjetër version për ngjarjen e rëndë. Duke iu referuar gjobave të vëna nga ACR, minatorët mendojnë se kjo është një tallje me jetën dhe shëndetin e minatorëve. Koleci theksoi se organi i akuzës normalisht nuk duhet të marrë plotësisht në konsideratë konkluzionet e RISHM-it, por të hetojë deri në gjetjen e shkaqeve të vërteta. Ato cigare apo çakmakë që qenkan gjetur në galeri, duhet të kenë qenë aty prej kohësh. “Ne, – tha përfaqësuesi i minatorëve, kërkojmë që prokurorët e çështjes të mos ndikohen nga raportet e RISHM-it, pasi pjesë e strukturave që kanë përgjegjësi të rëndë për shpërthimin është ky repart që sot e sfumon ngjarjen në hiçgjë”, përfundoi Koleci.
Shpërthimi në Bulqizë

Të martën e kaluar, shpërthimi i fuqishëm i ndodhur në galerinë numër 16 në minierën e Bulqizës solli vdekjen e minatorit 38-vjeçar, Naim Shyti. Babai i dy djemve ishte brenda në galeri për të vendosur një ventilator ajrimi, pasi niveli i gazit ishte katër herë mbi normat për të punuar në thellësitë e tokës. Si pasojë e provokimit të një shkëndije në rrethana ende të papërcaktuara nga Prokuroria, hidrogjeni në sasi të mëdha në galeri shkaktoi shpërthimin e fuqishëm. Tetë minatorë të tjerë përfunduan me plagë të rënda, tre prej të cilëve vazhdojnë të marrin mjekim në një spital privat në Tiranë.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











