
Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje në qarkun e Dibrës gjashtë investime të rëndësishme, që kapin vlerën e 1 miliardë e 100 milionë lekëve. Duke folur para banorëve të zonës, Kryeministri tha se qeveria që ai drejton, do të vazhdojë të investojë në projekte të ndryshme, edhe pse opozita nga ana e saj kërkon të bllokojë çdo projekt. “Diktatura i la këto zona në varfëri ekstreme, sërish tani, na dalin dhe nuk votojnë 3/5 dhe pengohet statusi. Po vëllezër, dy gjëra duhet t’ju them këtu. Lavdi Zotit, për dy arsye, së pari sot jemi vend anëtar i NATO-s dhe liritë tona i kemi të garantuara njëherë e përgjithmonë. Liria tek rregulli është ligji kombëtar dhe ndërkombëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut, së dyti sot vërtet mund të pengojnë statusin, sepse nuk japin votën, por unë ju shtroj pyetjen të gjithë socialistëve të Peshkopisë, të Kukësit, të Tiranës të mbarë Shqipërisë, votuat ju për ta, që ata të mos votojnë në Parlament statusin për fëmijët tuaj, për familjet tuaja, për Shqipërinë në Bashkimin Europian? Thashë lavdi Zotit për dy arsye, arsyeja e dytë është se shumica e gjërave janë në dorën tuaj, të dashur qytetarë dhe qytetare, janë në dorën e shumicës që vendos në Parlament, sepse ju e patë betejën e turpshme donkishoteske që bënë kundër “Rrugës së Kombit”, ju e patë betejën që bënë kundër rrugës së Arbrit, ju e patë betejën që bënë kundër rrugës Tiranë-Elbasan, votën e tyre kundër pensioneve, kundër rritjes së rrogave, kundër shtrirjes së internetit në shkolla”, u shpreh Kryeministri. Në një takim që zhvilloi me të zgjedhur vendorë dhe të administratës shtetërore në këtë qark, Kryeministri u fokusua te thellimi i decentralizimit dhe zhvillimi i qëndrueshëm rajonal. Sipas Berishës, nga 27 taksat kombëtare, qeveria do të mbajë vetëm 6 dhe të tjerat do t’ia transferojë pushtetit vendor, po ashtu 25 për qind të çdo rente, do t’i kalojë pushtetit vendor. Kreu i qeverisë kërkoi përdorimin e çdo burimi të mbështetur dhe nga qeveria për trefishimin e drurëve frutorë që rriten në këtë zonë dhe përpjekje maksimale për pastrimin e komunave dhe bashkive të këtij qarku nga plehrat, për të rritur ardhjet turistike në qarkun e Dibrës.
Minatorët, protestë në rrugë
BULQIZË – Rreth 20 familjarë të minatorëve të vrarë e plagosur në minierën e kromit Bulqizë kanë dalë që në orët e para të mëngjesit në hyrje të qytetit, tek vendi i quajtur “Karburanti” me pankarta në duar, ku shkruhej “Berisha, vrasës”. Mësohet se policia lokale ka ndërhyrë dhe ka shpërndarë protestuesit e pakët në numër. Ndërkaq, Kryeministri nuk ka lëvizur në këtë rrugë, por ka udhëtuar nga Qafa e Buallit në Rrugën e Arbrit. Pra, as Kryeministri nuk i ka parë protestuesit dhe as këta të fundit kreun e qeverisë. Drejtues lokalë të PD-së Bulqizë thanë se ky ishte një veprim i nxitur nga subjektet e majta politike në këtë qytet.











