
Belgjika ktheu dje në Aeroportin e Rinasit nëntë shtetasit e parë shqiptarë të kanë kërkuar azil me pretendimin se janë në hasmëri. Azilkërkuesit e riatdhesuar, të cilët janë nga Shkodra, Kukësi dhe Hasi, u transportuan në Shqipëri me një avion të posaçëm të nisur nga Brukseli. “Misioni” për riatdhesimin e tyre do të vazhdojë deri në kthimin e plotë të të gjithë shtetasve shqiptarë që me anë të dokumenteve false kanë kërkuar azil. Burime nga Policia e Shtetit thanë se para se ata të ktheheshin në vendet e tyre të origjinës, ku dhe janë pajisur me vërtetime “gjakmarrje”, fillimisht janë marrë në pyetje nga oficerët e Drejtorisë Kundër Krimit Financiar. Policia tha se nëntë personat e kthyer, fillimisht janë ballafaquar me dokumentet false, të cilat i ishin vënë në dispozicion policisë nga autoritetet belge para kthimit të azilkërkuesve. Gjatë procesit të ballafaqimit me dokumentet, në bazë të listës emërore të tyre, mësohet se të gjithë kanë pranuar të jenë mashtruar për të kërkuar azil për kushte më të mira në Belgjikë dhe kanë dhënë para për t’u pajisur me këto vërtetime. Pasi kanë firmosur të gjithë në lidhje me pavlefshmërinë e dokumentacionit, janë transportuar nga policia në drejtim të Shkodrës, Kukësit dhe Hasit, ku tashmë ka nisur një proces hetimor ndaj tyre.
HETIMI
Policia e Shtetit tha dje zyrtarisht se, “për personat e kthyer, që rezultojnë të jenë nga qarku i Shkodrës dhe i Kukësit, materialet do t’u referohen prokurorive të rretheve përkatëse, në vijim të materialeve të referuara më parë në ngarkim të dy të zgjedhurve vendorë”. Autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me ato belge, po hetojë çdo rast në lidhje me ata persona që kanë abuzuar dhe shpërdoruar detyrën, duke mashtruar shtetasit shqiptarë me dokumente dhe vërtetime fiktive për përfitimin e azilit në Belgjikë. Por, përveç personave që dyshohet të kenë kryer falsifikimin e dokumenteve, që ndodhen në Shqipëri, burimet sqaruan se ata që kanë planifikuar dhe kanë udhëzuar shqiptarët për të kërkuar azil ndodhen aktualisht në Belgjikë. Deri tani është identifikuar një prej tyre dhe pritet arrestimi i tij. Këtë fakt e pohoi edhe drejtori i Përgjithshëm për Imigracionin dhe Azilkërkuesit të Belgjikës, Freddy Rosemont, në vizitën që kreu më 18 tetor në Shqipëri. “Një pjesë e informimit të rremë ndaj azilkërkuesve shqiptarë e ka burimin në Belgjikë”, deklaroi drejtori belg. Ndërsa shefi i Komisariatit të Rinasit, Gëzim Përbibaj, u shpreh dje se, “vazhdon procesi për rikthimin e të gjithë shtetasve që kanë aplikuar. Në bazë të rregullave që disponon Komuniteti Europian, do t’u nënshtrohen edhe sanksioneve, një ndër të cilët është edhe heqja e së drejtës për të hyrë në hapësirën ‘Shengen’ për një periudhë deri në 5 vjet”.
Pa pasaporta
Pas rikthimit të Shqipëri të nëntë shtetasve që kishin kërkuar azil në Shqipëri, veprimi i parë që është kryer në aeroportin “Nënë Tereza” ka qenë verifikimi i dokumentacionit. Nga ky kontroll ka rezultuar që tre prej tyre nuk ishin të pajisur me pasaportë. Sipas Policisë, kjo do të thotë që ata kanë udhëtuar ilegalisht drejt Belgjikës dhe për këtë arsye do të nisë një hetim i veçantë për “dhënie ndihme në kalim të paligjshëm të kufirit”.
ETLEVA DELIA











