Për Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk paska qenë e thënë të gjejë ndonjëherë qetësi. Një vit pas largimit nga posti i Presidentit të Kosovës dhe humbjes përballë Isa Mustafës në konkurrimin për kreun e LDK-së, Fatmir Sejdiu po kërkon të rikthehet përsëri në lojë. Dhe mënyra që ai ka zgjedhur ta bëjë këtë është goditja e lidershipit aktual dhe shfrytëzimi i pakënaqësive në struktura dhe degë të ndryshme të partisë. Ndonëse e përsëriti disa herë se nuk ishte i idhnuar me çfarë ka ndodhur deri më tani, idhnimi dhe qeshja e sforcuar mbizotëruan të martën në mbrëmje në fytyrën e ish-presidentit për një orë e 45 minuta, gjatë një interviste në Televizionin publik të Kosovës. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që çoi në dorëheqjen e tij si President, Sejdiu e cilësoi produkt të një fushate të orkestruar kundër tij. Ai foli për sulme mediatike, aksione të brendshme e faktorë të jashtëm, që në një moment u sinkronizuan në një fushatë jo dinjitoze kundër tij. Ish-presidenti tha se ky vendim ndikoi edhe në humbjen e tij përballë Isa Mustafës dhe se edhe në zgjedhjet partiake pati qarqe shpifëse të orkestruara, kërcënime, demonstrime provokuese dhe përfshirje të elementëve kriminalë. Sejdiu la të kuptohet qartë se Isa Mustafa e kishte prerë në besë duke kandiduar papritur për kryetar të LDK-së, që kishte punuar në prapaskenë kundër tij dhe se pas fitores ai po e mbyllte partinë. Ish-kryetari e goditi liderin e ri duke e akuzuar se po përndjek mbështetësit e tij në parti, nuk po arrin konsensus brenda LDK-së dhe me partitë e tjera opozitare dhe se e ka lënë këtë forcë në një pozicion të dyshimtë politik, as pozitë dhe as opozitë.
Këto dhe akuza të tjera përbënin thelbin e “platformës Sejdiu” për të ndryshuar LDK-në, ose, e thënë ndryshe, për të përgatitur një rikthim të mundshëm të tij në krye të saj. Nuk ka asgjë të keqe që një politikan të ketë ambicie për të qenë lider, por mllefi dhe pakënaqësia personale janë të pamjaftueshme për të të bërë të tillë. Akuzat dhe kritikat e Sejdiut për Isa Mustafën mund të qëndrojnë, atyre mund t’u shtohen dhe shumë të tjera. Por, mentaliteti i goditjes së rivalit politik, zhvendosja e të gjitha të këqijave tek ai, mungesa e kërkimit të përgjegjësive edhe te vetja, e shndërrojnë garën normale politike në një luftë të pandershme që degradon në përçarje dhe frymë konfliktuale.
Përveç akuzave ndaj lidershipit të Isa Mustafës, ish-presidenti nuk shpalosi asnjë ide apo vizion të vetin se si do ta udhëhiqte LDK-në. Madje, në asnjë moment të intervistës, ai nuk pati guximin të pranojë qartë dhe prerë: Po, unë dua ta drejtoj LDK-në dhe di ta drejtoj më mirë se Isa Mustafa. Sejdiu e shmangu këtë përgjegjësi duke u përqendruar në atë që është më e lehtë për konsum publik e mediatik, sulmin ndaj rivalit të tij të të njëjtit lloj. Nëse do të flitej për përgjegjësi, ish-presidenti do të duhej të pranonte edhe dështimet e tij. Ai e akuzon, për shembull, Isa Mustafën, se po e mban LDK-në as pozitë e as opozitë, ndërkohë që simbol i këtij statusi ishte ai vetë gjatë krushqisë së panatyrshme, por mjaft të leverdishme me Hashim Thaçin. Isa Mustafa, të paktën prej zgjedhjeve lokale të vitit 2009, ishte i përcaktuar në ndarjen nga PDK-ja dhe i mbeti konsekuent këtij qëndrimi. E, ndoshta ishte ky qëndrim që i shpëtoi fytyrën LDK-së në Prishtinë, pasi humbi në komunat e tjera të mëdha. Sejdiu thotë që Mustafa nuk po arrin të afrojë AAK-në me të cilën do t’i kishte numrat për të qeverisur, por nuk tregon se përse ai e refuzoi një letër bashkëpunimi të Blerim Shalës gjatë kohës që qeveriste me Thaçin. Mund të gjenden plot momente për të cilat Fatmir Sejdiu do të duhej të paktën të jepte sqarime përballë qytetarëve, por ai nuk preferoi këtë rrugë për t’u rikthyer në fushën e betejës politike.
Marrja e përgjegjësive, njohja e meritave kundërshtarit dhe fryma bashkëpunuese edhe me rivalin do të ishin elementet që do ta bënin një garë politike të ndershme dhe të dobishme për subjektin politik dhe vendin. Por Sejdiu nuk mundi t’i shpëtojë dot ambientit primitiv të politikës shqiptare duke bërë që ambicia e tij të jetë e paragjykuar pa u shfaqur ende mirë. Ai nuk pati durimin të presë që kryetari i ri i LDK-së të provohet të paktën në zgjedhjet e ardhshme, pasi t’i ketë bërë tre vjet në krye të partisë, por pa u mbushur viti e goditi atë. Goditja në vetvete, nxitimi për ta bërë këtë, shfrytëzimi i pakënaqësive dhe jo konkurrimi i ideve, e komprometojnë ambicien e Fatmir Sejdiut. Mënyra se si ai po tenton të rikthehet, më shumë se sa shqetësim për fatin e LDK-së, është padurim për fatin e tij e personal. Pas asaj që shfaqi Sejdiu në intervistën e tij në RTK, një gjë është e sigurt: në LDK do të kemi përsëri përplasje. Rruga që ka zgjedhur ish-presidenti për t’u faktorizuar politikisht nuk lë asnjë shteg hapur për të bashkëpunuar me Isa Mustafën. Për partinë e Rugovës nuk qenka e thënë të ketë ditë të qeta.
© Panorama.al












